Opinione

Presidentët, në kërkim të kohës së humbur - Nga Ndue Dedaj

Në afro njëqind vjet, Shqipëria ka pasur dhjetë kryetarë shteti, ku interesante do të ishte të dihej për secilin se si e ka përjetuar kohëqëndrimin e tij në atë detyrë. Pa i hyrë një shqyrtese të tillë, një gjë është e habitshme: presidentët e periudhës së pluralizmit nuk janë ndjerë asnjëherë të shpërblyer me postin numër një të shtetit, megjithëse funksioni i lartë ka qenë njëfarë dhurate për ta, pasi u është dhënë nga partitë politike fituese të zgjedhjeve dhe jo drejtpërdrejt nga populli përmes referendumit. A nuk e tregon këtë fakti që fill pasi kanë lënë mandatin presidencial, ata i janë rikthyer prapë politikës për të kapur “kohën e humbur”, sa kishin qenë në krye të shtetit.

Sali Berisha, pasi ishte zgjedhur në postin e Presidentit të Republikës dy herë, nga viti 1992 deri në vitin 1997, pas tetë vitesh qëndrimi në opozitë, do të bëhej Kryeministër për dy mandate dhe pas tetë vitesh të tjerë “pension” politik (i tërhequr vetë nga kreu i PD-së, rrjedhimisht dhe nga pushteti), po kërkon të marrë sërish frenat e partisë së tij dhe të ekzekutivit, edhe pse me damkën amerikane të “non grata”-s. Pasardhësi i tij në Presidencë, Rexhep Mejdani, gjithashtu nuk u mjaftua me postin numër një të vendit, pasi në vitin 2005 kandidoi për atë të kryetarit të PS-së përballë kreut aktual të saj, Edi Rama, dhe kur nuk mundi ta fitonte garën, iu fut publicistikës, çka nuk kishte qenë zeja e tij, duke qenë aktiv në jetën mediatike, por jo më edhe në atë politike.

Alfred Moisiu e mori postin e lartë të Presidentit (konsensual) kur kishte dalë në pension, deshi ta përsëriste mandatin dhe njëherë pas katër vitesh dhe, kur kjo nuk ndodhi, normalisht që u kthye në shtëpi i respektuar. As Bamir Topi nuk u mjaftua me qenien President i Republikës, pasi me të dalë nga zyra presidenciale, krijoi partinë Fryma e Re Demokratike, që siç dihet nuk mundi asnjëherë të bëhej parlamentare. Ai qe shprehur, qëkur ishte në detyrë, se nuk kishte qenë i vlerësuar sa duhej me postin e kreut të shtetit. Edhe pasuesi i tij, Bujar Nishani, nuk do ta quante të përfunduar karrierën politike, pasi me ikjen nga posti i lartë i Presidentit do të kthehej në PD në detyrën e kryetarit të Këshillit Kombëtar të kësaj force politike, duke iu bashkuar së fundi “Foltores” së Berishës, në aksionin e saj politik.

Me gjasë nuk mund të ndodhë ndryshe, pasi edhe Presidenti aktual, Ilir Meta, ka deklaruar se mezi po pret ta heqë kostumin presidencial, që t’i rikthehet vrullshëm politikës partiake, duke premtuar se “këtu do të më keni dhe për tridhjetë vjet” a më shumë. Dhe kjo në sfondin e zgjedhjes së Presidentit të Italisë, ku zoti Sergio Mattarella e pranoi rizgjedhjen dhe për një mandat tjetër si një shërbesë ndaj vendit të tij, vetëm pasi “partitë e koalicionit nuk arritën të bien dakord për një kandidat kompromisi” dhe vetëm “mbas gjashtë ditë votimesh shpesh të tensionuara në Romë”, siç raportohej nga mediat italiane. Fjalimi i tij i shkurtër ishte modeli i urtësisë e thjeshtësisë së një politikani karriere e burri shteti në marrjen e një përgjegjësie të lartë shtetërore. Nënleximi ishte: “Unë në të vërtetë kam kohën për të shkuar në shtëpi, për të pushuar e shkruar kujtimet, por pranoj të shërbej ende, meqë kjo më kërkohet nga republika ime”.

Vërtet me Italinë na ndan deti gjeografikisht, por kjo është më e pakta ndarje. Me botën e qytetëruar na ndan mendësia. Shtetarët atje dallojnë për vizionin bashkëkohor që kanë për shtetin, pushtetin dhe sjelljen ndaj tyre, kurse ne ende jemi lindorë në të menduar e vepruar politikisht, jo vetëm për paradoksin se shumica e presidentëve të pluralizmit kishin qenë anëtarë të Partisë së Punës ose me “origjinë” prej saj.

Dëshmi e psikologjisë së unit është e gjitha çfarë ka ndodhur në këtë “tribunën” tonë politike këto tridhjetë vite pluralizëm politik. Shkopi i dirigjentit është i rëndësishëm për udhëheqësit tanë, presidentë, kryetarë të Kuvendit, kryeministra (aq më tepër për këta të fundit), pavarësisht se si luan “orkestra” nën dirigjimin e tyre, që nënkupton qeverinë dhe institucionet e tjera të shtetit. Ngaqë presidentët kanë dashur më shumë pushtet se iu jep ligji, ka ndodhur dhe pingpongu me qeverinë, por kjo ka qenë e ndërsjellë, pasi as qeveria nuk ka qenë më e “ndershme”, duke dashur dhe ajo që Presidenti të mos i përzihet e “prishë” punë dhe aty ku ai kishte kompetencat e veta ligjore.

Jo rastësisht, beteja më e madhe, e dukshme dhe e padukshme, maxhorancë-president, është zhvilluar në fushën e drejtësisë, për të pasur sa më shumë ndikim secila palë në pushtetin gjyqësor. Aq e fortë ka qenë përplasja mes tyre këtu, sa kemi qëndruar për disa vite pa Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë dhe Reforma në Drejtësi është kryer veçse me këmbënguljen amerikane. Kjo në thelb është një lojë e rrezikshme me Republikën. Shtetarët tanë asnjëherë nuk e kanë vënë atë në plan të parë duke e quajtur veten ushtarë të devotshëm të saj.

Presidenti Ahmet Zogu e ktheu Republikën e brishtë shqiptare në Mbretëri në vitin 1928, për të stabilizuar vendin apo për të mbretëruar pa u shqetësuar nga kundërshtarët politikë? Dhe kjo në kohën kur mbretëritë në Europë po shkonin drejt muzeut. Enver Hoxha e rishpalli Republikën e Shqipërisë në vitin 1946, por u soll me të si mbret e shkuar mbretit, edhe pse vendi formalisht kishte president, në fillim Omer Nishani e më pas Haxhi Lleshi. Kurse Ramiz Alia, në fillim të viteve ‘90, qe më shumë një President kujdestar i kalimit të pushtetit nga sistemi monist në atë me shumë parti.

Ne kemi pasur presidentë partiakë (kryetarë partie, zëvendëskryetarë, sekretarë të përgjithshëm) dhe vetëm në një rast mund të thuhet nga shoqëria civile çka ka bërë që ata ta shihnin partinë si mbështetje sa ishin në detyrë, si dhe kur të mos ishin. Për më tepër, të rinj në moshë, iu dukej shpejt me dalë në “lirim”, paçka se rregulli i pashkruar ky ishte. Ilir Meta ka qenë ministër, zëvendëskryeministër, kryeministër, kryetar i Kuvendit dhe tani President, një karrierë e plotë si e asnjë politikani tjetër, ndaj kushdo do të pyeste: çfarë i ka mbetur pa bërë në shërbim të vendit një pushtetari që ka pasur “luksin” e një karriere të tillë? Dhe mendja të vete të homologët e presidentëve tanë në Europë e Amerikë. Ku ata e ku këta tanët…

Ka një shpjegim pakënaqësia “kolektive” e presidentëve të Shqipërisë me atë çka kishin, që nuk janë zgjedhur në asnjë rast për herë të dytë (pos Berishës në ‘97-n, në rrethana që merren me mend) - ky post është parë si një kusur për funksionarë të lartë që nuk mund të ishin kryesorët në ekzekutiv, por si më thënë violina të dyta, çka ka bërë që disa nga këta të mos pajtoheshin me këtë statuskuo dhe ta shihnin veten si të përkohshëm aty, duke dëshiruar një mundësi tjetër, në ekzekutiv.

Mundet që tipi i politikanit shqiptar ende nuk është ai që rri si “kryeplak” i vendit duke zbatuar protokollin e shtetit, dekretuar vendimet e qeverisë, pritur e përcjellë delegacione të huaja dhe shoqata, dhënë nënshtetësi, nisur telegrame krerëve të tjerë të shteteve me rastin e festës së pavarësisë së vendeve të tyre dhe shpërndarë tituj nderi. Jo, politikani shqiptar quan punë “kantierin” e madh, ku realizohen projekte të zhvillimit ekonomik, infrastrukturës etj., jepen urdhra e nënshkruhen vendime qeverie, ku iu dëgjohet fjala nga i madh e vogël, po dhe darovitin miqtë me favore të pushtetit.

Por nuk është se presidentët kanë qenë gjithnjë komodë në krye të shtetit, madje në shumicën e rasteve janë kontestuar bash nga ata që i kishin ngjitur në majë të kupolës. Mund të përmendim këtu Topin, që kreu historik i partisë së tij e pati quajtur “horr bulevardi”, apo Metën, zgjedhur nga PS dhe shkarkuar në Kuvend po nga ajo dhe tani pritet vendimi i Kushtetueses ndaj tij.

A kanë faj presidentët tanë pse kanë qenë të kësaj prerjeje? Aspak. Problemi është yni që nuk kemi arritur të zgjedhim presidentë me referendum, që njohin vetëm Kushtetutën për “parti” e i falen vetëm asaj. Kushtetuta ende nuk është bërë “Bibla” e institucioneve, duke nisur nga ai i Presidentit, edhe pse të gjithë përbetohen para saj në çastin që hipin në pushtet. Dhe nuk do të ndryshojë kjo gjë derisa publiku ta ketë një të “vetin” atje lart, Presidentin. Jo për ta mbushur me dekorata, por me integritet si shtetas shqiptar.

Na duhet një President që nuk të mbyt në televizion me frazeologji shterpë për kombin, qytetarët, por që bën realisht vepra të dinjitetshme për ta. Çfarë mund të presësh, përderisa Presidenti i vendit nuk është një figurë publike, por thjesht politike, me sytë nga partia? Një President i dalë drejtpërdrejt nga populli nuk do ta quante “kohë të humbur” qëndrimin në krye të shtetit dhe nuk do t’i rikthehej organizatës-bazë të partisë për një marshim të ri politik…

©Ndue Dedaj - Panorama