Opinione

Masterclass? Ok, por kush paguan? - Nga Jeta Dedja

Një profesoreshë na kishte siguruar një trajnim falas me një nga emrat më të njohur të një rryme të psikologjisë kanadeze. Pjesëmarrjen e kishim konfirmuar të gjithë një muaj përpara, helbete ishte pa pagesë. Eksperti na kishte dërguar me email paraprakisht disa materiale për lexim. Ditën e trajnimit për dreq më zë një kollë e fortë dhe i dërgoj një email profesoreshës dhe ekspertit psikolog ku i shpreh ndjesë për mospjesëmarrje.

Pedagogia më pyet nëse kisha mundësi të merrja pjesë virtualisht pasi ajo mund të bënte lidhje me Zoom enkas për mua që të mos e humbisja këtë rast. Dhe kështu nuk e humba trajnimin.

Këtë situatë këtu në Kanada e quajnë Akomodim. Kur studenti has një vështirësi personale ose profesionale për të plotësuar një nevojë ose kërkesë që lidhet me ecurinë e edukimit dhe sukseset e tij, shkolla bën gjithçka t’ia përmbushë nevojat. Nëse do t’i thosha që nuk kam kompjuter, do të më kishin huazuar një të tillë. Nëse do t’i kisha thënë që më lodhen sytë nga ekrani, do të më kishin lejuar të përdorja versionin “dëgjim”. Pra për çdo situatë që do t’u paraqitja do të gjeja kuptueshmëri nga ana e tyre dhe përpjekje maksimale  për zgjidhje vetëm që të merrja shërbimin e nevojshëm.

Solla një rast krejt të zakonshëm për të treguar se mjediset ku ofrohet edukim i lartë kanë një lloj përulësie dhe gatishmërie të admirueshme ndaj studentëve. Profesorët me emra të mëdhenj janë njerëzit më të aksesueshëm të cilët u luten studentëve të shfrytëzojnë në maksimum oraret e konsultimeve me ta. Në çdo moment janë dhënës, të thjeshtë, intelektualisht të përulur dhe aspak prepotentë dhe imponues. Kur ndodhte të shkoja ndonjëherë me vonesë në ndonjë klasë ku mungesa detyrimisht do binte në sy për shkak të numrit të limituar prej 7 vetash, do të ndeshja vetëm mirëkuptim. Ka patur raste kur na janë ofruar akomodime edhe për oraret duke arsyetuar që veçanërisht studentët me fëmijë duhen respektuar për sakrificat  e tyre.

Tani dua të dal pak tek studentët e arteve (specifikisht të Kantos) në Shqipëri që nuk kanë marrë pjesë në një masterclass të sopranos me famë botërore Ermonela Jaho.

A kanë humbur ata një rast fantastik të mësojnë nga sopranoja e famshme, të jenë në një sallë me të, ta dëgjojnë e të shkëmbejnë eksperienca? Absolutisht që po.

Por para se tu bëjmë gjyqin atyre studentëve, mos ndoshta duhet të konsiderojmë edhe faktorë të tjerë? Po sikur mospjesëmarrja të ketë patur lidhje me dobësitë organizative të aktivitetit, orarin, me pagesën e papërballueshme, apo me keqperceptime të kësaj masterclass, dhe jo me dëshirën e studentëve?

Ndërkohë, ka edhe mënyra të tjera për tu mundësuar studentëve aksesin tek ekspertët ndërkombëtarë. Për shembull, profesorët e tyre ndoshta do të kishte qenë mirë të përpiqeshin të përfshinin të ftuar si Ermonela Jaho në plan-kurset e tyre. Se për një artist të përmasave botërore si Ermonela e njohur edhe për thjeshtësinë e saj, nuk do kishte rëndësi cilësia e sallës, a është në TKOB apo në Akademi, por qëllimi për të shpërndarë art, sukses e dije në vendin e origjinës. Dhe se ato pagesat që bëjnë studentët kur regjistrohen në universitet supozohet të përdoren edhe për rritjen e cilësisë së shërbimeve ndaj tyre. Një ndër to mund të kishte qenë pjesëmarrja në masterclass me Ermonela Jahon, pa pagesë ekstra.

Sipas kërkimeve të mia rezultonte një pagesë prej 200 eurosh për katër ditë trajnim për kandidatët e përzgjedhur, dhe 100 euro pagesë për dëgjuesit. (Reference: https://tkob.gov.al/wp-content/uploads/2023/03/Akademia-Teatrale.pdf).

Pra gjërat mund të jenë më të thjeshta se ç’duken. Shpeshherë mund të jetë çështje nevoje, prioritetesh, mundësie, vetëvlerësimi të ulët, dhe jo arrogance apo indiference.

A del ndonjë të marrë përsipër të flasë për sakrificat e studentëve ? Si e gdhijnë e si e ngrysin ata ditën? A marrin ndonjë bursë nga shteti, ndonjë ndihmë financiare me interesa super të ulëta apo studiojnë me paratë e prindërve apo punën që duhet të bëjnë lokaleve me muzikë live? A janë të ngopur me gjumë? A kanë kohë për të pushuar? A e përballojnë ata pagesën e kësaj Masterclass? Çfarë shërbimesh akademike marrin në universitetin për të cilin kanë kryer gjithë detyrimet e kërkuara financiare?

Apo fakti që janë studentë duhet patjetër të shoqërohet me idenë se ata duhet të vrapojnë symbyllur, kokëulur në TKOB, të shkëputen nga programi i rregullt akademik, pa vënë në pikëpyetje asgjë për të mos humbur shansin e jetës?

Prandaj, unë nuk gjej vend për të fajësuar studentët. Për mua ata i përkasin kategorisë së të pafavorizuarve, për të cilët nuk ofrohet akomodim, por shërbime të copëzuara, e megjithatë arritjet e tyre janë gjiganteske në raport me shërbimet. Unë gjej vetëm rast për të falenderuar të rinjtë sot që kanë motivim për të studiuar, aq dhe ashtu si të munden.

©JetaDedja/Flasshqip.ca