Opinione

Precedenti i rrezikshëm i krijuar nga miqtë tanë amerikanë - Nga Erion Dasho

Kur Berisha shpallej "non grata" së bashku me familjen me argumentin për "korrupsion madhor", reagimet ishin nga më të ndryshmet.

Berisha vetë dhe familjarët, si personat e prekur nga kjo lëvizje, kërkuan sigurisht prova për këtë vendimmarrje të Departamentit të Shtetit. Në emër të tyre, të njëjtin veprim bëri edhe një kongresmen dashamirës me çështjen. Në të dy rastet, pa përgjigje.

Publiku reagoi në përputhje me orientimin politik. Demokratët, në atë kohë ende të papërçarë, iu bashkuan qëndrimit të Berishës; socialistët u gëzuan për ndëshkimin e armikut, ndërsa asnjëanësit nën parullën "të gjithë politikanët janë hajdutë" uruan që shpallja e Berishës "non grata" të pasohej me politikanët e tjerë të kupolës.

Në publik, kundërshtarët e Berishës e propaganduan shpalljen "non grata" nga Departamenti i Shtetit, si vulën e besueshmërisë mbi deklaratat që deri në atë kohë kishin mbetur në kuadrin e thashethemeve dhe akuzave të ndërsjellta politike.

Veçse prova të besueshme, të cilat mund të paraqiten përballë një gjykate dhe trupi gjykues, askush nuk pa.

***

Dy vjet e gjysmë pas shpalljes "non grata", Berisha e gjen veten përballë drejtësisë. Akuzat në këtë rast rrotullohen rreth një tjetër thashethemnaje ky kryefjalët janë "17 kullat", "pesë milionë euro fitime", etj.

Në mendjen e publikut të thjeshtë është krijuar automatikisht lidhja midis fakteve se kur dhëndëri i Berishës ndërton 17 kulla dhe fiton 5 milionë euro, sigurisht duhet të bëhet fjalë për korrupsion.

Po faktet? Faktet nuk kanë rëndësi! Ato i gjejmë rrugës!

Po akuza? As akuzë nuk ka, por duke qënë se Berisha është tashmë "non grata" dhe dhëndëri është shpallur tashmë "i korruptuar" me vendim të gjyqit të popullit, le t'i arrestojmë njëherë, pastaj mendojmë për akuzën.

***

Shpallja e Berishës dhe e familjes së vet të ngushtë "non grata" në fund të fundit është një akt politik i qeverisë amerikane. Është e drejta e kësaj qeverie të shpallë një person të padëshirueshëm bazuar në përkufizime, bindje diplomatësh, interesa apo edhe lobingje. Të gjithë këto janë të ligjshme në SHBA dhe ne, si miq të Amerikës, nuk na takon t'i paragjykojmë.

Por të ndjekësh të njëjtën logjikë që përdorën SHBA-të në rastin e shpalljes person "non grata" për të ngritur një rast gjyqësor para gjykatës shqiptare, kjo është e papranueshme.

Drejtësia ka ecurinë e vet të përsosur në shekuj e mijëvjeçarë që nis me provat, vazhdon me akuzën, me masën e sigurimit (kur është e nevojshme), me gjykimin dhe përfundon me vendimin.

Prishjen e kësaj radhe shqiptarët e kanë provuar në kurriz gjatë 45 vjetëve komunizëm. Në atë kohë Partia vendoste dhe hetuesit duhet të gjenin provat dhe akuzat, kurse gjykata të rikonfirmonte vendimin e partisë.

Shqiptarët u ndanë nga kjo logjikë e mbrapshtë në vitin 1990 dhe nuk duan kurrsesi t'i rikthehen asaj.

***

Drejtësia nuk mund dhe nuk duhet të veprojë me të njëjtën logjikë si politika. Shpallja e Berishës "non grata" dhe shpallja e Berishës "fajtor" ose "i pafajshëm" për çështjen e ish-Klubit "Partizani" nuk mund të kalojë nëpërmjet të njëjtave hallka dhe nuk mund të ndjekë të njëjtën logjikë.

Proceset e fabrikuar, drejtësia e dirigjuar nga politika, zinxhiri i shtrembëruar i drejtësisë ku fillimisht gjendet fajtori dhe më pas gjenden provat dhe akuzat, janë të papranueshme për një vend që synon Evropën.

Këtë mesazh nuk shpresoj ta kuptojnë pasardhësit e komunistëve të dikurshëm, por të paktën ta kuptojnë përfaqësuesit e miqve tanë të mëdhenj përtej oqeanit.

Drejtësia e riformatuar nën drejtimin e tyre, duhet të jetë e drejtë! Ajo nuk duhet të keqpërdoret në asnjë mënyrë, qoftë edhe për të ndëshkuar dikë që është shpallur i padëshiruar nga ata vetë.

Përndryshe precedenti se ai që kontrollon drejtësisë, mund ta përdorë atë kundër kundërshtarëve të vet, do të ishte shumë i rrezikshëm për të ardhmen e demokracisë shqiptare!

© Erion Dasho