Vulgariteti i një të çmenduri - Nga Ilir Levonja

Shoh Ramën që kërcet e shan shkoqur ''fuck you'', pastaj dy orë më vonë rezervon një justifikim bajat, se bash ngaqë është shumë i përkushtuar për ju, i jep ashtu gojës. Shoh se si në mënyrë krejt anormale sulmon dy prokurorë që arrestuan Erionin, se gjoja janë të PD, në një sistem gjoja pluralist ku PD ka një përfaqësim zero. Madje është akoma i tronditur dhe i budallepsur sa nënshkruan tek-tuk edhe marrëveshje, si vota e emigrantit apo primaret e pjesëshme, me një PD të bombarduar me arsenale të çmendura të filomajtistëve amerikanë dhe kur rezulton se iniciatorja e një reforme në drejtësi është ish-gruaja e parë e bash Edi Ramës. Dhe ta mendosh që deri dje ky, gjoja nuk ndërhynte kurrë në punët e drejtësisë.
Meqënëse unë bëj pjesë tek ata që nuk besojnë tek reforma në drejtësi, edhe këtë skenarin e arrestimit të Erionit e konsideroj totalisht skenar të tipit të Enver Hoxhës karshi sojit të vet. Për më tepër që vendin e Erionit në skenën e pushtetit po e zë bash një pinjolle, produkt i një familje të luftës së ashpër brenda sojit. Ndërkohë Rama, ashtu masiv dhe i parruar uzurpon bashkinë, pa zbatuar aspak Kushtetutën e vendit për pjesën e pushtetin lokal. Ai shkumoset dhe shan lart e poshtë se ekziston një shtyp i cili shpif e nxjerr llum nga goja, kur 99% e shtypit janë të blerë nga ai dhe kasta e tij. Ashtu gogol nevrastenik ankohet se si prokurorët i kanë marrë telefonin një artisti të njohur medemek për hetimet karshi lali Erit.
Dhe me që ra fjala, me malin e parave që është hedhur për blerjen e votës, artistët kanë mëkatin e tyre më të dhimshëm në historinë e artit shqiptar dhe fatet e vendit të tyre. Dilnin me spote krejt në kundërshtim me të drejtën e votës, ligjit, Kushtetutës, merrnin përqindjet e milionave nga fondet e zeza të blerjes së votave, vetëm për të mbjellë një pemë dhe për të thënë: ''voto Lali Erin''.
Është po ky masiv i parruar që vazhdon flet me inat sysh, me hakërrim goje, me sy ziliqarë e fyes, me shpatulla, trup, bythë, duar me rripse xhinglash romësh, megjithëse e vranë brutalisht një fëmijë 17 vjeç në landfillin e Sharrës (2016), vrasje që nuk u zbarth kurrë. Ishte ky masiv brutal, fyes, me plot pështymë, që për një video të fshehtë mes të ndjerit Dritan Prifti dhe Ilir Metës, për 700 mijë euro, ngriti një furtunë brutale, thyerjesh, djegiesh, protestën më të dhunshme ku u vranë 4 qytetarë të ardhur nga skajet e vendit. Ky masiv rrinte në fund tek ura e Lanës, nga ku sot bën proçesione makabre me vejusha të zeza, duke përdorur po në mënyrë makabre edhe familjarët e të ndjerëve, me kosto propagande sa herë që i duhet të bëj skupe politike, pavarësisht rrobave firmato, shifrave të çmendura të grave, kunatave, sekserëve.
E shikoj ashtu tek i hapin dyert e makinave të shtrenjta, dhe më vjen në mendje kryeministri i Hollandës, kryeministër i një vendi me histori shekujsh arritjesh dhe të ardhura për frymë 10 herë më të larta se Rusia, i cili shkon në punë me biçiklitetë, ndërsa pensionisti shqiptar merr vetëm 80 mijë lekë, në një shtet me ekonomi krejt informale, të vrarë e zhvatur, pikërisht prej vjelljes gati prehistorike, aq sa do t'ju duhet të përgatisni veten me ilaçe të forta kur t'i merrni vesh shifrat.
E gjitha kjo zallamahi, të kujton forcën budalle, të një të çmenduri, i cili nuk njeh asgjë tjetër përveç pushtetit të tij, ndaj del po ashtu budallallisht dhe e pohon me mburrje se do largohet nga pushteti vetëm nëse i ndalon zemra.
E gjitha kjo, nuk është asgjë tjetër veçse konstatimi poetik i një poeti po të majtë, si ironi kapërcyellesh dekadash, me vargje të tilla: “në vendin tim, në vendit tënd/një kokë e çmendur, po çmend një vend”.
© Ilir Levonja