Blog

Nga teknikat e qeverisjes të një sulltani modern

Aurel Plasari shkruan në Facebook:

“Sulltan Abdul Hamidi arriti të bënte vezir të madh sekretarin e tij Said-Pasha. Ishte krijesa e tij dhe, në këtë mënyrë, e gjithë Porta e Lartë dhe të gjitha çështjet ishin në duart e vetë sulltanit.

Me mendjen e tij pjellore Abdul Hamidi ka shpikur një sistem fort të zgjuar të qeverisjes nëpërmjet ministrave të tij. Çdo ministër ka një ditë të caktuar për të vajtur në Pallat; sulltani i njofton urdhrat e tij dhe ministri bën të vetat dëshirat e ustait të tij të madh. Madhëria e tij bën gjithçka, por nuk bën asgjë pa një vendim të Këshillit të tij të ministrave. Për shembull, kur do që të emërojë X-in vali të Selanikut, i thotë ministrit të Punëve të Brendshme: “Propozo X-in për vali të Selanikut dhe mbështete propozimin”. Në mbledhjen e Këshillit të ministrave ministri bën propozimin, Këshilli i ministrave e mbështet dhe ia parashtron propozimin për miratim sulltanit. Në sytë e popullit emërimi vjen nga Porta e Lartë, ndërsa në të vërtetë ai është vendim personal i sulltanit.

Këto marifete trashanike kanë për qëllim të mashtrojnë opinionin publik. Por tanimë prej kohësh të gjithë sytë janë hapur dhe nuk shohin vetëm ata që i mbyllin sytë.

         

Ka madje të dhëna që sulltani, si e ka humbur shpresën për të ruajtur Perandorinë e tij, ka mbledhur një pasuri shumë të madhe për të siguruar të ardhmen e vet. Si provë mbështetëse përmendet shembulli i ministrit të Marinës, Hasan-Pasha, dhe i shambelanit Ragip-bej, të cilët kanë bërë miliona. Abdul Hamidi, që nëpërmjet agjentëve të tij të fshehtë është në dijeni edhe të gjërave më të parëndësishme, nuk mund të mos i dijë shkeljet e rënda në detyrë të kryera ditën për diell prej Ragi-bejve dhe dhe Hasan-pashave. Por Madhëria e tij, siç thuhet, është i kënaqur që shërbëtorët e tij të ndjekin shembullin e tij dhe të mbledhin pasuri për vete. Ç’është më e keqja, shumë funksionarë të lartë, guvernatorë të përgjithshëm dhe personazhe të tjerë mbështeten në këto fjalë që qarkullojnë për të bërë edhe ata po ashtu. Thuhet madje se shumë nëpunës të varësisë i kryejnë hapur akte të tilla shkeljesh të rënda në detyrë me qëllim që të mos mbeten mbrapa eprorëve dhe të mos shihen prej tyre me sy të keq”.

Nga: H. de Swchiter, Trois sultans: d’Abdul-Azis à Abdul-Hamid, Paris 1900 

 

Tagged under Aurel Plasari