Budallai me syze të kuqe - Nga Ilir Levonja
Ka gati dy ditë që qëndrat meteorologjike, televizionet dhe agjencitë shtetërore po njoftojnë se një stuhi me emrin Erin është duke u formuar në gjirin e oqeanit Antlantik dhe se javën tjetër pritet të mbërrijë në brigjet e Amerikës. Të gjithë në gjëndje alarmi, webe, televizione, podcaste etj., një sensibilitet normal për një shoqëri të rrahur keq nga fatkeqësitë natyrore.
Janë struktura pa fund që impenjohen, një lloj vëmendje e kujdeshme dhe për t'iu gjendur njëri-tjetrit. Aq sa qendrat e emergjencave si para dhe pas ndajnë domosdoshmëritë, gjërat e nevojshme, thasë me rërë për mjetet, koli uji me racion të paracaktuar që të marrin të gjithë, radha në benzinata është për tu admiruar. Më pas del ushtria nëse ka dëme të konsiderueshme të hapë rrugët, të rinisë qarkullimi për qytetarët.
Në vendin tim, bash tani në kulmin e zjarreve, nga frengjia e një kulle mistike, del një budalla me syze të kuqe dhe thotë, ata që vënë zjarre të dënohen rreptë, dhe njerëzia shqyhen me komente duke mallkuar zjarrvënësit imagjinarë në Gramsh, Delvinë, Skrapar etj., pa u zgjuar asnjëherë se zjarrëvënësi është po vetë budallai me syze të kuqe.
Po mirë le ta marrim të mirëqënë se në Shqipëri po i vendosin zjarret ca njerëz të ronitur, po si i bëhet halli kur agjencitë e botës njoftojnë se po përvëlohet Portugalia, Spanja, Mali i Zi, Greqia, Turqia etj. Edhe aty zjarrëvënës të qëllimshëm paska? Apo janë të natyrës, për shkak se temperaturat kanë kapur pikun e kuq deri 44 gradë celsius dhe në kësi raste do të thotë emergjencë civile ose gjëndje e jashtëzakonshme. Që dmth, shteti dhe strukturat përkatëse shkojnë me tabore dhe asistojnë me mjetet e posaçme për popullatën. Por nuk thonë kot se aty ku mungon shteti, të mbyt propaganda, shpikja e fajtorëve etj., si e si të dalë shteti i pastër.
Në Spanjë janë ngritur ajrit dhe po luftojnë me flakët me qindra mjete fluturues, madje ushtritë e vendeve respektive po ndihmojnë në evakuimin dhe sistemimin e qytetarëve. Shqiptarët shkojnë pas deklaratave të budallait, vetëm t'i vësh re komentet në murin e budallait, mallkojnë gramshiotët, skraparllinjtë, delvinjotët për zjarrvënie të qëllimshme. I bashkohen budallait me syze të kuqe dhe ia vlojnë si vetëm ata dinë.
Mirëpo ndërsa kryeministrat e vendeve respektive i janë bashkuar situatës dhe ndajnë ore çast lajme me gazetarët nga selitë a vendet e rrënuara, edhe pse i kanë 100% në gjëndje pune kapacitetet, janë aty të solidarizuar, kurse në Shqipërinë e budallait dalin vetë qytetarët me fshesa melakuqe, nga ato që fshijnë oborret dhe përpiqen të fikin flakët masive. Budallai me syze të kuqe kërcënon nga frengjia.
Askush nuk pyet nga shqiptarët ore, e kanë fajin ata zjarrvënësit imagjinarë, apo mjerimi i batalioneve të emergjencave civile, përfshi këtu investimet bajate për shkak të vjedhjeve galopante, por edhe aprofesionalizmit të drejtuesve, se kudo në Shqipëri edhe zjarrëfikësit janë me shkollë partie, ndërsa pilotët janë të huaj pasi helikopterët janë të marrë borxh. Nuk ka kush të parashikojë motin, temperaturat, nuk ka një organizëm si duhet të emergjencave civile në fatkeqësi natyrore, pasi ngrohja globale po pjek globin. Kësisoj fajin e kanë zjarrvënësit në malet e Gramshit, Skraparit dhe Delvinës.
E hodhi budallai një gur në lumë dhe robtë po përpiqen ta nxjerrin. Gjithmonë anapulla vendi im, shumë tolerant me budallenjtë.
© Ilir Levonja - SHBA





















