Gazetarit nuk i ka hije heshtja!
Klodi Stralla shkruan në Facebook:
Ne shqiptarët vijmë nga një traditë komuniste e gazetarisë ku ajo ish vegël e propagandës të regjimit. Pas viteve '90 kur ajo u privatizua, shumë shpejt u shndërrua në vegël në duart e pronarëve të rinj për të siguruar favore nga pushteti i rradhës. Prandaj e kemi të vështirë të pranojmë rolin dhe misionin e saj në një sistem demokratik.
E nëse duam t'a mësojmë këtë, më shumë se askush tjetër, na vjen në ndihmë Oriana Fallaci, një gazetare italiane e përmasave botërore që me intervistat, artikujt në shtyp apo librat e saj, u shndrua në modelin e gazetarit që përfaqëson opinionin publik të shoqërisë.
U lind në Firence në 29 qershor 1929. Në vitet e luftës iu bashkëngjit lëvizjes të rezistencës antifashiste. Që në vitin 1950, fare e re, e gjejmë korrespondente të gazetës "Il mattino". Pas 1967-ës është korrespondente lufte në Vietnam, në luftën Indo-Pakistaneze, në Lindjen e Mesme dhe Amerikën Latine. Në vitet e fundit të jetës ajo tërhoqi vemendjen e publikut me kritikat e saj të ashpra ndaj Islamit, në mbrojtje të identitetit perëndimor të Europës, me librat e saj "Mllefi dhe Krenaria" (përkthyer në shqip) dhe "Forca e arsyes". Ndërroi jetë në shtator 2006, në moshën 77 vjeçare.
Bajroni na ka lënë një thënie që vjen e freskët deri në ditët tona: - "Një pikë boje mjafton për të zgjuar mendime tek miliona njerëz". Kjo pikë boje e penës të Fallacit ka lënë gjurmë të pashlyera në gazetarinë botërore.
Rallë mund të gjesh gazetarë të tjerë që të kenë intervistuar kaq shumë udhëheqës botërorë sa ajo. Që nga Dalai Lama, Henry Kissinger, Shahun e Iranit apo Ayatollah Khomenein, Wili Brandin, Khadafin, Arafatin, e deri tek Golda Meyer apo Nguyen Van Thieu. Lexoni këto intervista dhe krahasojini me intervistuesit tanë servilë, xhahilë e hipokritë, të tipit Fevzo apo Balla!
Oriana i përket asaj specie të rrallë të gazetarisë që gjatë gjithë jetës të vet plot peripeci e përkushtim, pati për moto:
"Gazetarit nuk i ka hije heshtja!"
E tillë do të kujtohet në breza.





















