Kadareja, Jusuf Vrioni dhe udhëtari i panjohur
Shkrimtarja Mimoza Kuchly ka rrëfyer sot në profilin e saj në Facebook një ndodhi në tren.
"Udhëtimet në tren, tashmë janë bërë pjesë e dehjes sime. Është vendi ku mund të qëndroj e udhëtoj me orë të tëra, ku natyra më përkëdhel indet e dëshirës shpirtërore për të shkruar.
-"Më falni zonjë, mund ta shoh pak librin tuaj?" Më përmendi zëri i një zotërie diku tek 60-65 vjetët. Më kënaqësi i zgjas librin dhe vëzhgoj udhëtarin e panjohur që po e shfletonte me kujdes.
-"Do të çuditeshit nëse do t'ju thosha që e kam lexuar dhe e njoh pothuajse përmendësh veprën e Kadaresë. Është autor shqiptar, lindur në një qytet të mrekullueshëm në jug të Shqipërisë.." Vazhdonte të më fliste, duke shfletuar librin ndaj dhe i shpëtoi buzëqeshja ime" naive".
-"Më vjen çudi që nuk e kam lexuar këtë libër, nuk ia fal vetes. Jo, nuk jam shqiptar, por ai i ka prezantuar aq hijshëm dhe të vërtetë sa duket se edhe vetë ata nuk e njohin veten".
Ai fliste dhe unë në asnjë moment nuk e ndërpreva, më pëlqente ta dëgjoja, si edhe pasagjerët e tjerë, kur ai foli për Kanunin, Doruntinën, Dasmën dhe ikonën e tij “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”. Më duhet të zbrisja. Një stacion më parë, i mora librin, zbrita shkallët e vagonit dhe pa asnjë mëdyshje, iu ktheva duke i lënë librin në dorë, me autografin në vend të autorit, ndërkohë që ai bisedonte me një zotëri rreth Shqipërisë. "Nga një bashkatdhetare e Ismail Kadaresë, me shumë kënaqësi". U ngrit në këmbë, u përkul dhe me mirënjohje foli duke më përshëndetur:
-"Unë e adhuroj vendin e Shqiponjave të Kadaresë, vlerësojeni dhe ju penën e tij".
Stacioni erdhi, fat që foton e librit e kisha bërë më parë, tani më duhet ta blej sërish, pa u penduar. Udhëve të Parisit "e braktisur përkohësisht" nga Kadareja dhe Jusuf Vrioni, një ndër njohësit më të mirë të gjuhës franceze, në të vërtetë mbetet më i miri.."
( Paris 2018)





















