Blog

51+ arsye pse ika nga Shqipëria!

Shkruan gazetari Flamur Vezaj, tashmë me banim në SHBA


Ika sepse nuk kisha siguri për vete e familjen!
Ika sepse nuk kisha siguri në punë!
Ika sepse nuk paguhesha sa duhet! 
Ika sepse nuk merrja rrogën në kohë!
Ika se unë duhet të isha 24 orë në gatishmëri e pronarin nuk guxoje ta pyesje pse vononte rrogën! 
Ika sepse larg qoftë një sëmundje në familje duhet të merrje kredi në bankë për shpenzimet!
Ika sepse shteti nuk të ofronte siguri e ndodhte që shtetarët të të “shisnin” te kriminelët”!
Ika sepse kërcënimet i zgjidhja privatisht dhe i lodha familjen e miqtë!
Ika sepse të shpallurit në kërkim i gjejnë më shpesh vrasësit sesa policia! 
Ika sepse edhe po të ndodhte diçka ne krye të detyrës pas tre ditësh asnjë nuk do kujtohej për ty!
Ika sepse nuk doja të bëhesha “mercenar” i partive dhe kriminelëve!
Ika sepse drejtësinë duhet ta paguaje që ta gëzoje! 
Ika se po të kritikoje qeverinë (ministrinë përkatëse) ta heqnin nusen nga puna!
Ika sepse sa herë ndërrohej drejtori institucionit duhej të shkoje me i gjet mik që mos të hiqnin gruan nga puna!
Ika sepse në administratë promovohen militantët dhe jo specialistët!
Ika sepse krimineli është më i respektuar para ligjit se qytetari i thjeshtë! 
Ika sepse fëmijët e hajdutëve të pronës publike fshijnë djersën me 500 eurosha!
Ika sepse arsimi është shkatërruar, është bërë mësues edhe një me diplomë të blerë e drejtor ai që është dënuar për shitje diplomash! 
Ika sepse duhej të fusje mik për të futur fëmijët në kopsht!
Ika sepse që në kopsht duhet të bleje dyshek, jastëk, jorgan e mbulesa e më pas letra higjienike e sende tjera çdo muaj!
Ika sepse duhet të paguaje nën dorë që edukatorja (me rrogë qesharake) t’i ndërronte fëmijët në kohë që mos të ftoheshin! 
Ika sepse duhet të prisje në radhë për të blerë librat e fëmijës!
Ika sepse fëmija në shkollë nuk bënte pushim të gjatë se s’kishte ambiente!
Ika sepse fëmija nuk merrte dijen e duhur se mësuesja kishte 38 nxënës!
Ika sepse çdo muaj duhet të furnizoje klasën e fëmijës me letra A4 e sende tjera të nevojshme që shkolla nuk ia siguronte!
Ika sepse në çdo dimër fëmija duhej të vishej edhe në klasë me rroba të trasha se vinte i plevitosur nga shkolla!
Ika sepse fëmija ngrohej me frymëmarrjen e shokëve e shoqeve në klasë!
Ika sepse nuk kisha mundësi si politikanët apo ata që janë pranë tyre të shkolloja fëmijët jashtë!
Ika sepse shëndetësinë e ka marr lumi! 
Ika sepse shteti nuk të jep shpresa për shërimin e një të sëmuri apo një fëmije që ka nevojë! 
Ika sepse diagnostikohesh në spitale si private e shtetërore me sëmundje që nuk i ke!
Ika sepse në spitale çdo gjë duhet të blerë e paguar!
Ika sepse në urgjencën e pediatrisë duhet të presësh mbi një orë për të vizituar fëmijën me temperaturë!
Ika sepse në spitale private ke vetëm shërbimin e hotelerisë dhe do të paguash si hotel me 5 yje për një natë e nuk ke ku të ngrohësh qumështin! 
Ika sepse merr gjobë nga policia pa të ndaluar ndonjëherë e pa kryer shkelje!
Ika se më shumë dënohesh për rrip sigurimi se sa për shkelje semafori! 
Ika sepse kriminelët kanë dalë nga strofulla dhe janë përzier me politikanët e shtetarët!
Ika sepse vrasjet tashmë janë bërë statistikë dhe jo problem për parandalimin e tyre apo gjetjen e autorëve!
Ika sepse mungon çdo shërbim social!
Ika sepse ushqimet që blen nuk i kontrollon njeri!
Ika sepse edhe studentët e mjekësisë po i marrin provimet me para! 
Ika sepse për një gërvishtje makine vritesh! 
Ika sepse edhe ujin e pijshëm nuk e ke të garantuar dhe duhet blerë më shtrenjtë nga të gjithë vende e rajonit! 
Ika sepse fatura e dritave të vjen në bazë të tekave të faturistit!
Ika sepse për të paguar një pastruese për shkallën duhet të ziheshe me komshinjtë!
Ika sepse kompanitë celulare të vjedhin çdo ditë dhe asnjë nuk e çan kokën!
Ika sepse për parkingun duhet të paguash e po ta vodhën makinën nuk ta gjen njeri!
Ika sepse fushat sportive dhe parqet quhen ambiente në zhdukje!
Ika sepse politikanët nuk japin llogari, por kërkojnë nga qytetarët kur ankohen! 
Ika sepse asnjë politikan nuk përfundoi në burg për korrupsion e vjedhje të pronës publike apo edhe për shkatërrimin e Shqipërisë! 
Ika sepse u lodha nga gara e pacipë e politikanëve se kush e kush ta rrënojë më shumë këtë vend.....etj, etj, etj.

P.S. Mos më thoni që nuk janë të vërteta të gjitha këto! E që mendoj se janë arsyet që edhe shumë shqiptarë si puna ime janë larguar e po presin mundësinë e largimit nga vendi, për fat të keq!!!