Blog

Dija nuk ngrihet me zhele!

Nga: Rudi Erebara

Fëmija që merr falas një libër të përdorur një herë, edhe shumë më keq dy herë, është bërë për gjynah. Nuk ka asnjë arsye të bëhet për gjynah, por ama shteti e bën për gjynah. Përse duhet të marrë fëmija im librat e një fëmije tjetër? Fëmija tjetër ndoshta i do t'i ruajë kujtim librat. Një tjetër fëmijë, ndoshta është ngelës. Një tjetër ka merak kush ia ka prekur librin. Paratë janë gjërat më të pista që ne qarkullojmë në jetë. Edhe kjo ndodh se janë prej letre. Ku e di unë si prind sa bythë janë ulur mbi librin që do t'i japë shteti me detyrim fëmijës tim? Po sa minj e kacabunj i kanë kaluar sipër nëpër magazina? Nuk e di. 
Qeveria meqë luan rolin e bamirëses në vend që të luajë rolin e qeverisë, siç i takon, nëse do të ndihmojë me librat të gjithë shqiparët kudo që ndodhen, t'ua rimbursojë shpenzimin e librave në bazë të të ardhurave. Nuk ka nevojë të bëjë kush çel poza më të bukura. T'ua rimbursojë fëmijëve të mësuesve, policëve, ushtrakëve, mjekëve dhe infermierëve që punojnë në shtet, zjarrfikësve, të papunëve (dmth këtu hyj edhe unë), pastaj të ndërtojë strategjinë ndihmëse të riciklimit të librit për ata që kanë nevojë, që e shohin të arsyeshme të kursejnë se u duhet, se janë ekologjistë, etj, etj, që ta blejnë librin e përdorur me gjysmë çmimi a më pak, sipas gjendjes së librit.
Sepse unë nuk dua që pas tre vjetësh fëmija im të fillojë shkollën me një libër zhele, sepse ashtu i shkon edhe shkolla.