Blog

Më në fund Kosova me ushtri

Nga: Xhevdet Nasufi

Lufta e Kosovës ngadalë por sigurt, me vështirësi të mëdha të brëndshme dhe nga jashtë po i sjell frytet e veta. Njëra nga ato kënaqësi ka filluar të ndodhë këto ditë. Ka filluar më në fund të marrë formë juridike dhe institucionale Ushtria e Kosovës, një nga elementët dhe karakteristikat më të rëndësishme të shtetit të Kosovës.

Shtetin në parim, si organizim shoqëror e politik, e ka atribuar si të tillë, mes të tjerave edhe egzistenca i ushtrisë. Ushtria është garancia sublime e sigurisë së shtetit, e mbrojtjes fizike dhe juridike të tij, që në paraqitjet e para në parahistori dhe gjer në ditët e sotme. Ushtria nuk është vetëm simbolikë dhe strukturë përbërëse e egzistencës së shtetit, por edhe siguria dhe liria e tij, mbrojtësja më e devotshme e sovranitetit dhe funksionimit të shtetit.

Shteti gjithmon ka pësuar në funksionimin e tij nga kapja e brendshme, nga përvetsimi ilegjitim i individëve, të cilët janë të autorizuar ta drejtojnë ate sipas normës së shkruar. Kjo po ndodh edhe në Kosovën e përvuajtur gjatë shekujve, por gjithkund ndër ne shqiptarët, dhe më shumë se te të tjerët. Shtrirja abuzive e funksionimit të shtetit nga armiqtë, si shqiptarë na ka kushtuar robëri shekullore, kurse nga njerëzit po na kushton varfërim, zhvillim dhe demokratizim.    

Miq të dashur, ushtria e një vëndi, forcat e armatosura të tij, janë themel i pazëvëndësueshëm për pavarsinë dhe sovranitetin komplementar të çdo shteti.  Andaj, sot i gëzohemi skajshmërisht transferimit të FSK-ës në Ushtri të Kosovës si pjekuri në rritje të pavarësisë dhe shtetndërtimit, si garantues të paqes, sigurisë dhe zhvillimit të qetë të Kosovës.  

Të përgëzojmë në këtë moment historik Kosovën dhe popullin e saj për këtë fitore të madhe, fitore edhe për të gjithë shqiptarët kudo që janë.