Václav Havel dhe elita jonë pa parime
- Nga: Ndue Ukaj
Një shoqëri kurrë nuk mund të trulloset e të stërkeqet, nëse ajo ka intelektualë të njëmend e elita të përgjegjshme, që besojnë në të vërtetën, flasin për të dhe angazhohen në dobi të asaj çka është res publica. Sepse, intelektualët dhe elitat nuk lejojnë që litari i injorancës, t’i lidhë masat dhe t’i tërheqë në humnerë, por bëhen dritë e lirisë dhe drejtësisë së njëmend dhe tërheqin masat kah mirësia e përparimi.
A e ka kryer këtë detyrë elita jonë, shkollat tona?
Përgjigjen më së miri e tregon realiteti i trishtë në Kosovë, të cilin mund ta gjykojmë në përkim me aksiomën: pema matet nga frutet e saj.
Nëse shoqëria jonë është e trullosur dhe e stërkequr përnjëmend, përgjegjësi nuk kanë vetëm “ata atje në politikë”, por mbi të gjitha, përgjegjësi kanë ata që kujdesen për atmosferën e ideve, ata që janë bërë trampolinë për “ata atje”, që u kanë dhënë krah budallenjve, pra intelektualët, shkollat dhe elita përfaqësuese.
Po, për të vërtetën flasin ata që besojnë në të, ashtu siç fliste dikur Ibrahim Rugova, në kontekstin tone, apo Václav Havel, në një rrafsh tjetër.
Dytë përfaqësojnë ide të mëdha dhe dytë janë shembuj frymëzues.
Pse ishte Haveli i veçantë, dhe çfarë e bënte atë të jashtëzakonshëm?
Jiří Pehe, këshilltari i parë politik i Havelit, përgjigjet kështu: "Shumë mund të pyesin se çfarë e bënte Havel-in të jashtëzakonshëm. Përgjigjja është e thjeshtë: Ai ishte i njerëzishëm, njeri me parime. Ai nuk luftoi kundër komunizmit për shkak të një agjende të fshehtë personale, por vetëm sepse ishte, sipas atij, një sistem i padrejtë dhe imoral."



















