Blog

Ndue Ukaj: Lërini kukurisjet foshnjore!

Nga: Ndue Ukaj

Shqiptarët, kur janë larguar nga perëndimi, kanë përfunduar në robëri. Kjo ka ndodhur disa herë në historinë tonë. Prandaj, edhe Gjergj Kastrioti sikur të ngjallej, nuk do të mund të më bindte se, Kosova fiton diçka, duke u barrikaduar kundër perëndimit.

E di, Kosova nuk fiton as me servilitet dhe lojëra, siç ka vepruar tash e sa vite klasa mediokre politike e Kosovës.

Kosova, ka fituar dhe mund të fitojë, nëse punon bashkë me perëndimin, me liderë të vërtetë, ashtu siç punonte i urti dhe i mençuri Ibrahim Rugova, falë të cilit bota na njohu dhimbjet, dhe na çliroi e pavarësoi.

Kosova, ka sfida të shumta. Dikush thotë ekzistenciale! Por, ajo, asnjë betejë nuk mund ta fitojë, pa i zgjidhur problemet e brendshme, ato që lidhen me muret e mëdha që i kemi qitë mes nesh, mure këto që na pengojnë ta duam njëri-tjetrin.
Ne, edhe sikur të ishim të bashkuar, jemi të paktë, të pa përvojë dhe shumë të padijshëm në punë të shtetit, ekonomisë dhe politikës. 
Të fragmentuar, jemi hiçgjë.

Taksa, një ditë do të hiqet, Serbia mund edhe t'na njohë, por dinjitetin e humbur dhe dashurinë për njeriun, askush nuk mund t'na kthejë.

Duke u marrë me tema të mëdha, kemi harruar se, nuk është krijuar njeriu për shtetin, por shteti për njeriun. Kjo është proverbiale dhe biblike. Prandaj, ju që trumbetoni për Kosovën, mbrojmë njeriun e Kosovës dhe kështu e keni mbrojtur Kosovën. Të tjerat janë fiksion.
Lërini kukurisjet foshnjore!

Tagged under Ndue Ukaj