Blog

Tjegulla mbi kokën e të moshuarës dhe ideja e bojës së zezë

Nga: Ilir Levonja

Ai çasti kur njeriu e kupton se është i vetmuar ndodh pikërisht kur i bie tjegulla e shtëpisë në kokë. Për më keq kur fati ta ka sjellë të jesh banor i ndonjë fshati mes malesh. Fshati të braktisur ku heshtja të mbyt me shumicë. Dhe sado grindje të kesh pasur me fqinjën a me shtëpinë përballë, për gardhin, degën e arrës, por që tashmë ata kanë fluturuar, ngordh si qeni prej mallit edhe për ata. Se kujt tjetër t'i thërrasësh për ndihmë. Eshtë një vetmi së cilës duhet t'i nënshtrohesh edhe me një lloj qortimi me veten për faktin se nuk je treguar vigjilent karshi perspektivës. Një pleqëri e paqtë është një marrëveshje mes qenies tënde dhe vetmisë, thotë shkrimtari kolumbian Gabriel Garsia Markez, po sa përqind e të vetmuarve arrijnë ta përvetësojnë këtë? Gjithsesi, tjegullën në kokën e një të moshuareje, diku në një fshat të Shqipërisë e dëgjova si një lajm ironik prej kryeministrit të vendit tim. Pra ai po tallej me kazanët mediatik të cilët emetonin si lajm të parë pikërisht këtë, se si një të moshuare i kishte rënë tjegulla e çatisë në kokë dhe se e kishin çuar urgjent në spital. “Pikë e zezë”,- tha, “kazanët kombëtar”. 

Që ta them unë këtë dhe gjithkush prej jush që nuk ka pasur asnjë orë pushtet, na falet. Por që ta thotë kryeministri është krim shoqëror. Mu kujtua fisnikja nëna e një shoku tim të cilën e gjetën shpirt bukur, shpirt fluturuar në botën e përtejme. E gjetën fqinjët pas dhjetë ditësh. Ndërroi jetë në një brengë sociale, asaj të vetmisë njerëzore. Sepse vetmia e të moshuarve, a fshatrat e braktisur janë një plagë e freskët kombëtare. Dhe nuk ka asnjë diskutim që si ky por edhe gjithë ata përpara tij kanë përgjegjësi të padiskutueshme. Kjo lloj mendësie a zëmërate me të ashtuquajturit kazanë mediatikë, që emetojnë si lajme të para këtë të tjegullës dhe plakës, është një dëshmi për sytë tanë. Dhe lum po i patëm hapur se ndryshe krimi vazhdon. Them lum, që të bëjmë dallimin midis realitetit tonë dhe atij të kryeministrit. Se siç e shikoni, sapo flitet për realitetin, për ne zemërohen zotat. Tv kazanët duhet të flasin njëzetë e katër orë rresht vetëm për të dhe lali Erin, a krimin, zhurmën e llogjeve të studiove. Realiteti ynë i dëmton shëndetin parisë.
Por nuk ke se çfarë i bën, ndaj gjykoj se këto protestat para kuvendit, nuk ia vlejnë fare. Eshtë njësoj si të protestosh tek dera e një njeriu që nuk bën asgjë tjetër, po veç flet me vete. Se kështu i bie, kur del e flet Elisa Spiropali dhe të tjerët duartrokasin. Flet një deputet për herë të parë në jetën e vet si i tillë, qartasi i çliruar nga që gjysma e sallës është bosh, se ata që janë përjashta nuk kanë asnjë përgjegjësi qytetare etj., të tjerët duartrokasin. Nuk ja vlen, janë humbje kohe. Atje po, atje ku dikush hodhi ca bojë të zezë. Kjo mjafton për t’u ndjerë opozitar. Mbahen të burgosur ca protestues të lodhur nga jeta. Ca që janë ashti i opozitarizmit dhe që qeveriu i quan vandalë. Një kuvend ku qeveriu tallet me një lajm se si një tjegull ra dhe i çau kokës plakës së shtëpisë. Një kuvend ku në orën dhjetë ka tridhjetë veta, e gjysëm ore më vonë pesëmbëdhjetë, dhjetë. Dhe dyzetë kur do flasi KM, nuk ia vlen. Kjo protestë para kuvendit është një lloj insistimi i pa kuptimtë. Kurse boja e zezë po. Mundësisht ndonjë autobot ose dy të tillë, tre dhe vlojani. I ra tjegulla në kokë thotë. I gjori burrë a e gjora grua, shqiptarë të vetmuar me sytë nga dera. 
Krijuan familje, e kishin vatrën plot, por vendi ua degdisi nëpër botë. A ka më bojë të zezë kush aty?

 

Tagged under Ilir Levonja