Mjaft u grindët për vizat! - Nga Ilir Levonja
Nuk ka asnjë problem se na kthejnë vizat. Nuk e di pse grindeni? Për në Greqi kemi malet. Andej i kemi edhe ca varre. Nuk ka rrugë andej, por nuk ka problem. Maleve ua dimë shtigjet. Mbaj mend që një i ri shqiptar më tha dikur se rrugët bëhen duke ikur. Ishte viti 1991. Dhe iku. Tani nuk e di nga bëhet. Duhet të jetë afro tek të pesëdhjetat. Çfarë nuk bëri për të nxjerrë një vizë. I afrohej shpesh një gazetari. Sot ai është milioner, kurse djali i ri emigrant, por nuk dihet se ku.
Greqia atëherë nuk ishte vetëm Greqi, por edhe liman për në Europë. Edhe për Amerikë. Nga Greqia fillonin të gjitha.
Sot gazetari është i famshëm. Në fillim qe “As” i Berishës, pastaj armik i tij. Madje ka plot njezetë e kusur vjet që merr gjithçka, honorare, rrogë, tendera, tituj. U bë armik i Berishës sepse qe qeveria e tij që i prishi tregun e vizave me ambasadat. Edhe pse Berisha, ia hapte dyert kanat, sojsëzit. Më pas qe “As” i Nanos, pastaj armik i tij. Armik i Nanos dhe i Berishës. Gjeti një minierë ari të zi. Një fondacion..., çfarë nuk volli për ish-miqtë armiq. Tani është “As” i Ramës. Nuk e ka problem pse shtyp edhe ndonjë njeri në rrugë.
Fatkeqit i ra për pjesë një projekt rrugësh, nga ato ta bëjmë Shqipërinë si Europa, por me gropa. I ra autostrada mespërmes sa katundi duhet të hidhet shalësh, nga njëra anë në tjetrën. Por në Shqipërinë “eurogropiane” makinat ecin vetë, nuk i vozit kush. Ndaj të vrasin. Në Shqipërinë tonë ku ngjykata dënon viktimën, ngjykata ia çon mandatën në varr. Aq e fortë dhe këmbëngulëse është ngjykata jonë.
Do na kthejnë vizat. Po punë e madhe! Nga 40% e popullatës së emigruar, 90% janë natyralizuar në italianë, grekë, gjermanë, kanadezë, amerikanë, anglezë, irlandezë, zviceranë, kongolezë, haitianë, kubanezë etj. Ku nuk ka shkuar shqiptari i gjorë. Mirëpo, prapë ai gazetari, thotë që fajin e ka Saliu. Ka makinë klasi lartë ai. Ka një të tillë edhe gruaja e tij. Megjithëse në letra janë të ndarë. Ai është shumë i varfër dhe si i tillë flet studiove përnatë. Me ato honorare mbahet. Megjithëse gruaja e tij nga katundi i ndarë më dysh të thyen kokën me euro. Të shtyp hundët me përbuzje sepse disponon disa apartamente në gjirin e Lalzit, disponon ca vila në kodrat e Golemit. Ku ka maja. Madje këtë gazetarin e shpallën edhe “Nderi Kombit”. Njezëtë a tridhjetë mijë dhrahmi i kërkoi djalit të ri atëherë për një vizë. I riu nuk i kishte ndaj iku maleve. Ku dinte ai se çfarë ishte dhrahmia. Ishte biri i lekut, i perimoreve dhe ofiçinave bujqësore.
Nuk e di, sinqerisht nuk e di përse grindeni për vizat. Nuk ka asnjë problem po të na i kthejnë. Me Italinë as 35 milje detare nuk na ndajnë. Skafistët aty janë. Tregu i artë i ambasadave, shoqatave, ministrive për shkëmbime përvojash. Tregu i florinjtë i bashkive me binjakëzimet etj.
Me siguri gjithçka do kthehet rishtas në normalitetin tonë me çamçakëz dhe sapun luksi. Aty është gjermani, maunet, bile edhe ambasadat. Bile, bile, të parën mësyni këtë hollandezen që, sipas gazetarit vetë, e dëgjon Bashën dhe hedh në shqyrtim në parlament regjimin e vizave me Shqipërinë.
Pikë e zezë! Vjet në qershor u çorrëm se u çelën negociatat, tani fajin e ka opozita. Unë edhe sot e kësaj dite se çfarë bëhet me atë djalin që iku maleve në Greqi nuk e di. Më dhëmb zemra që nuk e di... por me siguri është natyralizuar, po bën karrierë ka familje, është një qytetar i devotshëm grek apo italian. Por unë nuk e di, ndaj më dhemb koka. Më dhëmb shumë derisa nuk di gjë. Megjithatë, gazetari është akoma aty dhe mund ta shpallë armik këtë gallofin që dënon shurrëtarët. Mund të jetë afruar dikund edhe me këtë fëmijën e çerdhes nr. 4, Rudinën. Gazetari është aty me tituj, ofiqe, pasuri. Aty me një plan tjetër afatgjatë, rihapjen e udhëve të ikjes.




















