Për Historinë dhe historianët-Nga Klodi Stralla
Historia është të treguarit e të shkuarës në kohën e tashme dhe ata që meren me këtë lloj zeje quhen historianë.
Disa e quajnë Historinë shkencë shoqërore dhe kanë bindje se prej saj mund të nxirren mësime për të tashmen dhe të ardhmen e njerëzimit.
Disa thonë se ajo është një regjistruese e thjeshtë datash, ngjarjesh apo personazhesh që kanë luajtur rol në kohën e vet dhe asgjë më tepër.
Disa të tjerë mendojnë se historia e vërtetë është ajo që bazohet vetëm në burime, si dokumenta të shkruara, kujtime bashkëkohësish apo kronika kronikanësh, të renditura sipas një metodologjie të caktuar.
Ka edhe nga ata që thonë se historinë e kanë bërë gjithmonë fitimtarët sipas interesave të tyre.
Edhe këtu në Facebook shumë prej nesh, duke postuar ndonjë dokument arkivi, ndonjë intervistë bashkëkohësi apo fotografi të kohës, mendojmë se kemi gjetur të vërtetën shteruese, ndonëse të gjithë e dimë se Arkivat kanë dryne edhe njëqind vjeçare dhe jo çdo gjë që ka ndodhur gjendet brenda tyre.
Marksizmi, për mëse një shekull, pretendoi se kish zbuluar ligjet e Historisë me të ashtuquajturin Materializmin historik, ndonëse shumica e parashikimeve të tij nuk u vërtetuan nga ngjarjet që rodhën pas. Kish edhe nga ata si iluministi Volter që, me njëfarë cinizmi thoshte se “Historia thotë ngandonjëherë edhe të vërtetën!”
Me kalimin e viteve, kur shumica e bashkëkohësve të ketë vdekur, kur historianët e rinj do të jenë më tru-ftohtë e më pak zemërzjarrtë, pritet që Historia të tregojë më saktë të vërtetën, ndonëse, po me kalimin e kohës, shumë krime e padrejtësi të së shkuarës zbehen dhe justifikohen.
Unë, për vete, mundohem të hap sytë e veshët dhe të vë në lëvizje trurin për të kuptuar të sotmen sepse ruaj bindjen se, qoftë e shkuara, qoftë e ardhmja, janë shumë të ngjashme me të tashmen.



















