Blog

Letra e Ylli Dylgjerit për Edi Ramën

I nderuar zoti Rama,

LETRAT kanë përmirësuar jetën dhe sjelljen e mijëra njerëzve sot në Shqipëri. Me anë të tyre njerzit raportojnë, spiunojnë, predikojnë, dashurojnë, dorëhiqen etj. Edhe në Kuran për njerëzit që rrinë kot thuhet: Rri që rri, bëje një hajmali! 

Të shkruash letra është edhe një mënyrë e efektshme për të dhënë dëshmi. Dëshmitarët e Jehovait janë shumë më të sukseshëm në përdorimin e Letrave sot se SPAKU nesër.

Nevojën e komunikimit me Letra ta imponojnë edhe rrethanat. Ju kaluat papritur nga tifoz i letrave me vlerë në shkrues i letrave pa vlerë.

Si t'ia shpjegojmë më thjeshtë publikut?

Në disa zona, shumë njerëz jetojnë në shtëpi që kanë masa të rrepta sigurie. Njëri prej tyre jeni dhe Ju. Në vende të tilla nuk mund të predikohet lirisht. Disa e kalojnë pjesën më të madhe të kohës jashtë shtëpisë, kështu që nuk i takojmë kur japim dëshmi nga shtëpia në shtëpi.Të tjerë jetojnë në zona të veçuara.

Ju për shëmbull jetoni në mal, në periferi të zonave të banuara. Mundësia e komunikimit me Ty është e vështirë. Dikur, në vitet e diktaturës në fshatin ku jetoni Ju sot, komunikimi bëhej me duar në vesh, duke dalë në majën e shkëmbit, e më pas sokëllije me britma për të dhënë një informacion. Zëri jehonte nga maja në majë, e kështu arrije të çoje një lajm në malin karshi.

Edhe sot, pavarësisht letrave, shtëpia Juaj me beton e hekur, nuk merr e përçon lehtë tingullin apo informacionin. Aq më shumë që Ju s'futni edhe njeri brënda. Por gjithësesi letrat janë zgjidhja më e mirë e Juaja sot.

Disa herë komunikimin me anë të letrave ta shtyn edhe sëmundja, gruaja, era e keqe e gojës, koha e keqe, bllokimi i Facebook-ut, frika e telefonisë nga përgjimet e shërbimeve, demonstratat e publikut, bllokimi i rrugëve, mungesa e dashamirësisë së njerzve për tu takuar me Ty etj.

Unë, në kohën si Drejtor letrash në Qeveri, përpunoja 7000 letra në vit. Ju më pas, kur morrët timonin, ngaqë s'kishit nerva e mbyllët fare Drejtorinë e Letrave dhe tani po e ringjallni prap me korespondencën me Lulin. Ndaj them, se letrat e njëpasnjëshme që po dërgon sot, si Kryeministër, duhen mirëkuptuar. Ato janë një dëshmi dokumentare me dorën dhe kokën Tuaj.

Porosia e vetme që mund T’iu jap sot, si ish Drejtor i Letrave të Qeverisë Nano është:

Ki kujdes të vendosësh pulla të mjaftueshme, sidomos nëse në zarf ke futur literaturë plotësuese. Nëse vlera e pullave është e pamjaftueshme, zarfi mund të të kthehet mbrapsht. Dyshoj se letrat i kanë shkuar Lulit.

Gjithësesi, jetë të gjatë letrave!

Me respekt,

Ylli Dylgjeri