Blog

Kisha e Bashkuar e Bajgave - Nga Arben Kallamata

Shumë zhurmë është bërë për këtë foto. Është quajtur blasfemi, përdhosje e vendit të shenjtë, sakrilegj, skandal. Por harrohet se nuk ka gjë më të përafërt me krishterimin se komunizmi. Krishti ishte komunisti i parë, predikuesi i barazisë, armiku i të pasurve. Kisha ishte institucioni i parë që tradhëtoi idealin e tij dhe u përdor për të shtypur masat, për të grumbulluar pasuri, për të ushtruar pushtet të pakufizuar, për të mbuluar dhe justifikuar perversitetet. Kisha ishte struktura e përsosur piramidale, që mbante në majë, në qiell, njëshin - të gjithëpushtetshëm, të gjithëditur, të pagabueshëm. Ishte organizata që s’pranonte rivale, që spastronte radhët nga kundërshtarët dhe heretikët, që kontrollonte dijen, që censuronte mendimin, që përcaktonte kodet morale.

Shtetet komuniste ishin veçse kopje të saj - me sekretarët e parë të partive, me udhëheqësit e dashur dhe të pagabueshëm, me rrjetet policore, me vigjëlencën dhe vendosmërinë për të goditur armikun e mundshëm dhe të pamundshëm. Meshat e të dielave janë format e edukimit të masave. Rrëfimet te prifti janë hapja ndaj partisë. Falja e mëkateve është autokritika dhe riedukimi. Pikat e përbashkëta nuk kanë fund. Mos u gënjeni nga “ateizmi” i Enver Hoxhës. Ai ishte thjesht lideri i një sekti fetar që lufton gjithë sektet e tjerë - siç ka luftuar tradicionalisht katolicizmi protestanizmin, ortodoksinë, mormonizmin, e të gjitha të tjerat, pa u quajtur asnjëherë fe ateiste.

Në perëndim kishat janë në krizë, sepse po mbeten gjithmonë e më bosh. Nuk iu shkon njeri. Megjithë lehtësirat në mostaksim nga shteti dhe në grantet e mëdha, përsëri nuk arrijnë të mbijetojnë. Prandaj kanë shpikur Kishat e Bashkuara. Që do të thotë që brenda ndërtesës së një kishe funksionojnë katër-pesë grupime të ndryshme fetare – metodistë, protestantë, pentakostë, mormonë, anglikanë, reformistë, katolikë, ortodoksë. Katër - pesë priftërinj që ndajnë mjediset për të ulur shpenzimet e qerave. Ndërkohë, mjediset iu lihen me qera edhe të interesuarve të tjerë për qëllime të ndryshme. Thjesht biznes.

S’ka përse të mos ndodhë edhe në Shqipëri. S’ka përse të mos ketë një kishë të bashkuar ortodokso-komuniste, apo katoliko-komunisto-bektashie, për shembull. Njerëzit duhet të mësohen me këtë. Aq më tepër kur ideologjitë kanë shumë më tepër gjëra të përbashkëta se sa probleme që i ndajnë. Ideja është vërtet gjeniale. I mungon vetëm emri. Këtë kishën ortodokse-komuniste të Tërmetit unë do ta quaja United Church of Bullshit - Kisha e Bashkuar e Bajgave.