Blog

Kjo është tragjike për ardhmërinë - Nga Lis Bukuroca  

Nëse një prind është agresiv në shtëpi

Nëse një prind bërtet, ofendon e kërcënon në shtëpi

Nëse mësuesi është agresiv në klasë

Nëse mësuesi bërtet, ofendon e kërcënon në klasë

Më thuaj ti

Prej kujt të mësojë unë dashurinë dhe durimin

Më thuaj ti

Prej kujt të mësojë unë mirësjelljen dhe respektin?

 

Ato sjellje të prindit dhe të mësuesit

Ato këmbëngulje për të na nënshtruar

Ato rrugaçëri armiqësore

I përvetësuam unë dhe ti

Dhe ja ku shfaqen tani:

Në Qeveri

Në Kuvend

Nëpër tubime

Nëpër debate.

 

Te mungesa e durimit

Te paaftësia e vetëpërmbajtjes

Te pazotësia e vetëkontrollit

Te mungesa e kujdestarisë me dashuri

Te sharjen dhe kërcënimet

Te moszgjidhja e fjalëve

Te rrahjet

Te mbizotërimi i më pak të fuqishmit

Te dominimi i fëmijës

Me kërcënimin e saj ose të tij

Me poshtërimin e saj ose të tij.

 

Duam të zbusim, por rrënojmë si prindi në shtëpi

Duam të qetësojmë, por shkatërrojmë si mësuesi në shkollë

Dhe ne bëhemi çfarë ishin ata

Të vrazhdë e të egër

Që shtypin e diskriminojmë:

Gratë

Bijat

Djemtë

Dhe në fund, dëmtojmë edhe shtetin

Mu siç na mësuan ata
Sepse mësimet merren në familje
Sepse mësimet merren në shkollë.

 

Nuk mund të bëhet ndryshe

Varësinë kemi mësuar përmendsh në shtëpi

Nënshtrimin kemi mësuar përmendsh në shtëpi

Dhe sa herë jemi gjunjëzuar

Na kanë lavdëruar

“Djalë e çikë e ngueshme”

Pse kemi hequr dorë nga vetvetja.

 

Varësinë kemi përsëritur në klasë

Nënshtrimin kemi përsëritur në klasë

Dhe sa herë kemi mbyllur gojën

Na kanë shpërblyer

“Djalë e çikë e ngueshme”

Pse kemi hequr dorë nga vetja.

 

Ja, kjo është arsye pse nuk përkapim lirinë

Dhe vullnetarisht bëhemi vasalë

Dhe, sapo të shfaqet tutori

Ne gjunjëzohemi plot ngazëllim

Të heshtur para këpucëve të tij

Me vështrim nga poshtë lartë

Me një leckë në dorë

Të gatshëm për t’ia lustruar këpucët

Për ta bërë më të madh se vetja

Vëlla të madh

Dhe, presim shpërblim dhe lëvdata

Presim të na rrahin supeve

Presim duartrokitje

Mu si edhe në shtëpi nga patriarku.

 

Kjo është arsyeja pse prodhojmë despotë:

Ata na trishtojnë

Si dikur prindi

Ata na qetësojnë me nënshtrim

Si dikur shkolla

Kurse ne shtrihemi dhe presim dhurata

Sepse jemi stërvitur me skllavëri

Në shtëpi

Në shkollë

Dhe jashtë.