Blog

Qeveria Rama na mësoi si t'i kundërvihemi të keqes - Nga Robert Kore

A ka ndryshim kur protestohet me moton: 1- “Kërkojmë të drejtat tona” me: 2- “Mos na mohoni të drejtat tona”?

Përgjigja është: Po, ka një ndryshim shumë të madh dhe thelbësor.

Kur thua “kërkojmë të drejtat tona” duket sikur dikush ka në dore të drejtat e tua dhe varet prej tij nëse ti jep apo jo.

Për shembull protesta e studentëve kishte tamam këtë lloj fryme. Dukej sikur Edi Rama kishte në dorë t’u plotësonte ose mos t’u plotësonte studentëve ato kërkesa që ata kishin.

Në protestën e studentëve doli një gjermane që protestonte bashke me ta. Besoj ju kujtohet se çfarë diference kishte cilësia e protestës së saj me cilësinë e protestës së studentëve.

Çdo lloj qeverie do kishte frikë sikur të gjithë studentet të protestonin si ajo gjermanja.

Krejt ndryshe është kur proteston me frymën “Mos më moho të drejtën time”! Sepse kur dikush të mohon një të drejtë, është njëlloj sikur dikush të mohon pronën tënde. Në këtë rast motivimi për të protestuar është i tille që nuk ka qeveri që të ndalojë.

Protesta tek Astiri dhe sidomos protesta e artistëve në mbrojtjen e Teatrit Kombëtar ka një motivim të tille. Ata që mbrojnë Teatrin, së fundmi fituan ndaj qeverisë, sepse qeveria e di shumë mirë se çfarë force të brendshme apo motivimi ka Edmond Budina, Neritan Liçaj, bashkë me shumë të tjerë ne kauzën e tyre.

Çfarëdo që të ndodhë, rezistenca në mbrojtje të Teatrit vendosi një standard të ri në mënyren se si duhet protestuar. Ata që mbrojnë Teatrin do të hyjnë në histori.

Qeverisja e Edi Ramës ishte më e keqja (në çdo aspekt) në tranzicionin shqiptar, por ne mësuam një diçka shumë të rëndësishme; mësuam se si t’i kundërvihemi një qeverisjeje të keqe.

P.S. Në Amerike protestohet me moton: “Stop denying our rights”. Dhe protestuesit amerikanë të nxjerrin sytë kur dikush ju mohon të drejtat.