Shtatori iku dhe nuk u pamë - Nga Ilir Levonja
Që prej 21 Qershorit 2019, opozita nuk proteston. U fol për ditë të nxehta, pushime, se njerëzit nuk mblidhen për shkak të impenjimeve të verës etj., arsye shqiptare këto, ndërkohë që opozita shkoi edhe vetë me pushime! Mesazhi: do shihemi në Shtator!
Protesta e 21 Qershorit po ta gjykosh nga pjesëmarrja dhe nga nga prurjet krahinore u ndikua nga skandalet e përgjimeve, nga konfliktualiti i vazhdueshëm social në lidhje me partneritetin publik privat, konfliktualiteti i vazhdueshëm i qeverisë me grupet për mbrojtjen e memories historike dhe kulturore, pa përmendur çështjen kombëtare si rasti i një marrëveshjeje treshe për kufijtë e Kosovës, konfliktualitetin institucional president-qeverikomision zgjedhor etj., pa përmendur mbajtjen e një palë votimeve moniste pa alternative por me saze, pa përmendur faktin se asnjë nga të përgjuarit apo nga ata të të kapurit me presh në dorë për vjedhjen e votës nuk është sot kontingjent drejtësie, por përkundrazi kanakar tavolinash bisedimesh po për sistemin zgjedhor. Nga ana tjetër faktori ekonomik, ku deficiti thellohet dhe pagat e shqiptarëve apo pensionet, akoma nuk u afrohen atyre në vendet përreth, jo më t'i kapin, megjithëse u mbushën plot 30 vjet ekonomi tregu, prapë xhepat po na i rrënon propaganda.
Nën këtë vështrim, protesta e 21 Qershorit qe një nga më të mëdhatë, një nga ato më fisniket e cila iu bashkua mendësisë së vendeve perëndimore. Protesto me forcë jo me dhunë. Dhe mirë u bë. Dhe duhet të ndodhë kështu me çdo qeveri qëllimi i se cilës devijon sikur 1 milimetër nga programi elektoral, se ndryshe nuk ka demokraci dhe ekonomi tregu më. Qe si me thënë, një mbyllje protestash që erdhën si pasojë e buzës së plasur të studentëve, fermerëve që derdhnin qumështin rrugëve, shoqërisë civile që nuk e përfilli kërkush etj. Me një sfidë të madhe politike vërvitjen e ca mandateve kallpe etj. Madje qe kjo sfidë që i afroi njerëzit megjithë dritëhijet e ca tipave opozitarë që akoma mbajnë erën e djersëve të komunizmit.
Por u mbyllën të gjitha me dy fjalë: shihemi në Shtator! E sot Shtatori iku e ne nuk u pamë. Tani kanë filluar të tjera insinuata, marrëveshje nën zë, biseda a ulje në tryezë me Damo Tërmetin, atë që i ... robtë Dibrës. Nuk e di ku qëndron ekzistenca opozitare këtu, kur rrugët janë bosh, televizionet me po të njëjtët kanakarë të parruar e me shallvare. I njëjti refren monoton me drejtësinë për “peshqit e mëdhenj”. Dhe mos harroni, një vend që nuk dënoi krimet e komunizmit nuk ka pasur dhe nuk ka për të patur kurrë ndërmend të dënojë “peshq të mëdhenj”. Sepse nuk e kupton se si funksionon shteti, nuk ka kulturën e mjaftueshme shtetarë. Eshtë i mbytur nga dhuna e njëshave, nga bindja për të qënë në rresht. Ose atë që ka, atë çikëz kulturë, e ka të mbytur nga propaganda. Dhe kjo ndodh kur vazhdimisht harron qëllimisht dhe shkon me pushime për të mos u kthyer më. Iku Shtatori Lul opozitari dhe nuk u pamë gjëkundi. Madje përshtypja është sikur nuk kemi më opozitë, por ca grindavecër të lodhur pushimesh.





















