Blog

Bamirësia nuk reklamohet - Nga Ndue Dedaj

Duhet thënë se tërmeti i 26 nëntorit zbuloi energjinë e pashtershme të shqiptarëve në ndihmë të vëllezërve të tyre të dëmtuar rëndë, në Durrës, Thumanë, Laç, Shijak etj. Ka një rekord bamirësie, si në numrin e njerëzve të përfshirë, ashtu dhe në ndihmat e mbledhura, shprehje e bujarisë dhe e solidaritetit njerëzor të pashoq. Njerëz të thjeshtë nga këtu dhe diaspora, biznesmenë, artistë, gazetarë, emigrantë, organizata humanitare, grupime vullnetare, qytetarë të Kosovës etj. janë përbashkuar për t’iu dhënë ndihmë familjeve të goditura nga tërmeti shkatërrimtar. Dikush mund të dhurojë një shtëpi, dikush vetëm një kokërr mollë. Fisnikëria njëlloj është.

Por sa ç’është i lartë akti i bamirësisë masive në vetvete, aq i panatyrshëm është reklamimi që disa u bëjnë thasëve me ushqime apo me veshje, siç është vënë re këto ditë në zonat e tërmetit, me individë që shpërndanin ndihma para kamerave, si për të thënë: na vini re dhe ne, jemi këtu për të kontribuar në përballimin e pasojave të tërmetit. Mund të mos e ceknim në këtë moment këtë aspekt moral, nëse ai nuk do të ishte i dukshëm dhe në kohë “paqeje”, ku bamirës të njohur e kanë kthyer në modë të reklamojnë fort atë që bëjnë në ndihmë të të vërfërve. Nuk jemi për anonimatin e ndihmave që jepen, pasi tek e fundit janë një kontribut i vlefshëm për shoqërinë dhe personat dhurues, në mënyrë të veçantë, por dhe ata të angazhuar me menaxhimin e tyre meritojnë të falenderohen, por jo këta të fundit t’i vetëshpallin ndihmat, javë për javë, përmes ekranit, duke mos lënë asnjëherë jashtë kamerave lotët e fëmijëve apo të rriturve që hyjnë në shtëpitë e reja të dhuruara etj.

Kemi një përvojë shumëvjeçare të ndihmës ndaj njerëzve në nevojë, si atë të Karitasit Shqiptar, punonjësit e të cilit në asnjë rast nuk i kemi parë, në këto 29 vite, të shpërndajnë ndihma para kamerave televizive. As karitasin e udhëhequr për shumë vite në Mirditë nga misionari austriak Franz Vinsauer. As motrat gjermane të Fushë-Arrësit, që kanë ndërtuar shtëpi për të varfërit e dhënë ndihma për një kohë të gjatë etj. Ashtu si myftinitë e disa qyteteve që ndihmojnë të varfërit për kapërcimin e situatave jo të mira ekonomike. Në njëfarë mënyre, për organizma të tilla kjo është puna e tyre e përditshme, e “padukshme” për të mundur varfërinë.
Bamirësia para se të jetë ndihmë ekonomike, materiale është dashuri, virtyt, dinjitet. Nuk është e denjë që dikush të fotografohet i përlotur duke shtrirë dorën për të marrë ndihma e dikush duke e zgjatur dorën për të dhënë ndihma. Gjithmonë marrëdhënia midis atij që jep dhe atij që merr ka qenë e fshehtë për sytë e botës, fisnike. Reshiti, një krutan me banim në Tiranë, para disa vitesh shkon bashkë me familjen e tij në spitalin e një rrethi verior për t’i dhuruar një fëmije, që do të dërgohej jashtë vendit për kurim, shumën prej një milion lekësh të vjetra, me kushtin që ndera e tij të mos bëhej publike. A nuk thotë populli: “Nderen që bën vetë mos e përmend, atë që bëjnë të tjerët ndaj teje mos e harro kurrë”.

Mjafton të shihje, që në orët e para pas tërmetit, dyndjen masive të kosovarëve drejt Durrësit e Thumanës me vargun e makinave, ekipet e shpëtimit, ndihmat e ndryshme, si dhe mikpritjen në Prizren të njerëzve të mbetur këtu pa shtëpi. Por dhe ndihmat e pakursyera, të natyrave të ndryshme, nga vendet e rajonit, si Italia, Greqia, Turqia, Mali i Zi, Serbia etj. Apo ardhja e këngëtares Bebe Rexha, bashkë me të atin, nga Nju Jorku drejt e në Bubq të Fushë-Krujës për të ndihmuar në ndërtimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti. I keni vënë re ekspertët e huaj, ata francezë e të tjerë, që kqyrin pallatet? Nuk iu afrohen mikrofonave, nuk është në kulturën e tyre të flasin për atë që bëjnë, e kërkojnë komunikimin me publikun vetëm kur kanë diçka për t’iu thënë njerëzve, në funksion të tyre. Aq më pak udhëheqësit, në vendet e tyre, nuk zënë ekranet gjithë ditën e ditës, duke treguar bëmat e tyre në mposhtjen e fatkeqësive natyrore etj.

Ndihma e cilitdo është aq e çmuar sot, sado e vogël të duket, ama me bujari dhe pa duk. Mirëpo me gjasë tashmë asgjë nuk i shpëton leçitjes në publik dhe kjo nën ndikimin e politikës, e cila e ka për zakon t’u bjerë tamtameve të propagandës, jo pak herë duke na e shitur sapunin për djathë. Jemi mësuar qysh herët me “dhurimin” nga Partia të shkollave, spitaleve, pallateve parafabrikate për strehim, anise paguanim gjithë jetën taksën e pashkruar të punës së papaguar.
Reporterët e zbritur në terren, me ditë e me net, shumica e tyre gra dhe vajza, kanë dhënë modelin se si duhet bërë gazetari në raste të tilla katastrofash natyrore. Ata kanë raportuar non stop situatën e rëndë pas tërmetit me të gjitha problematikat, përfshi menaxhimin e lodhshëm të ndihmave, por dhe ato pak raste kur familje të veçanta ende nuk e kishin gjetur çadrën e nevojshme, dhe pse në terren lëviznin zyrtarë, nëpunës dhe bamirës të shumtë.

Ashtu si për gjithçka tjetër që lidhet me posttërmetin, edhe për ndihmat e bamirësinë janë mediat ato që përcjellin atë çka përbën lajm për publikun, mjafton që të lihen në punën e tyre, pa i trysnuar e ndikuar “korrentet” jashtë profesionit, si preferencat qeveritare për këta apo ata bamirës etj.