Blog

Kosova duhet ta lexojë edhe një herë urimin e Angela Merkel - Nga Enver Robelli

Sigurisht që është shumë mirë që kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, merr një urim nga kancelarja gjermane Angela Merkel. Sigurisht që është mirë që bashkë me urimin atij i vjen edhe ftesa për të vizituar Berlinin.

Por për ta parë sa poshtë është fundosur imazhi i Kosovës në Berlin dhe kryeqytete të tjera, duhet lexuar fjalia e tretë: «ndërtoni shtetin ligjor, luftoni krimin dhe korrupsionin, përmirësojeni gjendjen ekonomike...»

E qartë: Albin Kurti nuk mund të fajësohet për gjendjen që e ka trashëguar. Por është tmerr, turp, skandal e përtej skandali të shohësh se edhe në një urim të rëndomtë nuk mungojnë fjalët krim e korrupsion.

Dhe turpi, tmerri e skandalet janë pasojë e keqqeverisjes së kabineteve të kaluara, që janë dominuar kryesisht nga ata që me aureolën e fitimtarëve të luftës thanë se do të ndërtojnë një shtet funksional dhe e shkatërruan duke e vjedhur në shumë forma. Në këtë nismë grabitjeje nuk qenë vetëm. Patën duartrokitës, mbështetës, përfitues, mashtrues e manipulues.

Qeverisja e Albin Kurtit do të matet sidomos me kapacitetin, këmbënguljen dhe vendosmërinë për të luftuar korrupsionin, krimin dhe keqqeverisjen. Këtu mbetet të shihet nëse kjo qeveri do të dallojë nga të tjerat. Duhet të dëshmohet e shihet kjo në të ardhmen.