Blog

Një betejë që nuk fitohet vetëm - Nga Ruben Avxhiu

Nga: Ruben Avxhiu

Vendimi i qeverisë Kurti për të filluar heqjen e taksës duhet përshëndetur e mbështetur. Ai nuk ka qenë një veprim i lehtë por ka qenë në fund e vetmja alternativë.

Kosova mund të bëjë shumë sakrifica, po një humbje që nuk mund t’ia lejojë vetes është çarja me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleates sonë më të madhe.

SHBA nuk ka qenë e vetme në kërkesën për heqjen e taksës. Praktikisht të gjithë aleatët dhe mbështetësit e Kosovës, në botë, si individë, apo si organizata e shtete e kanë bërë këtë kërkesë. Sado e drejtë dhe e justifikueshme të ketë qenë tarifa nga pikëpamja e Kosovës, sado i merituar ndëshkimi i Serbisë, çmimi politik që po sillte me vete ishte tepër i shtrenjtë.

Kosova ka qenë gjithmonë në një luftë të pabarabartë me Serbinë. Jo vetëm është fqinji ish-pushtues, më i madh në numra, më i militarizuar, e më i begatë, po ai ka gëzuar mbështetjen e Rusisë imperialiste e bërthamore, me resurse të mëdha që e rëndojnë edhe më shumë peshoren në dëm të shqiptarëve.

Zhvillimet tragjike e katastrofike në Siri, treguan se çfarë ndodh kur një popull i paarmatosur si duhet ngre krye kundër një regjimi mizor që nuk ka asnjë përfillje për jetën e njerëzve dhe dinjitetin civil.

Në këtë luftë që nuk është mbyllur ende, ne kemi nevojë jetike për një aleat të madh si SHBA. Për fat të mirë në anën tonë janë vendosur tashmë bota demokratike, pjesa më e civilizuar, më e pasur dhe më e fuqishme e botës. Është një epërsi që nuk duhet ta humbasim. E vetmja shpresë e Serbisë së parformuar e shoviniste është pikërisht kjo përçarje mes Kosovës dhe aleatëve.

Aleanca vjen me kushte e kufizime. Sovraniteti i kufizuar mund të ngjajë ofendues nëse nuk shpesh perspektivën dhe kontekstin. Populli i Kosovës meriton të qeverisë veten dhe të ketë mundësi të bëjë zgjedhjet e veta, të drejta apo të gabuara. Po për këtë një fazë tjetër nevojitet.

Është e vërtetë që, si kanë argumentuar në gazetën tonë, “Illyria”, disa autorë se SHBA dhe pastaj aleatët mund të bindeshin për nevojën dhe efikasitetin e tarifës, po ka kaluar gati një vit dhe asnjë shenjë optimiste nuk ka pasur. Nëse ka pasur një mundësi për ta realizuar një gjë të tillë, shqiptarët nuk e kanë gjetur dot atë rrugë.

Në kushtet, kur SHBA është e etur që të gjejë një zgjidhje përfundimtare, në një kohë kur Serbia ka ende mundësi që të flasë me një zë të vetëm, në sajë të defektit të demokracisë së atjeshme, në një kohë kur mungesa e stabilitetit po vihet re në shumë rajone, në një kohë kur prirja amerikane për të ruajtur paqen dhe sistemin e sigurisë në botë vjen duke u dobësuar, Kosova ka bërë shumë mirë që i ka dhënë një mundësi kompromisit.

Ky vendim nga kryeministri Kurti nuk ka qenë i lehtë dhe ai ka nevojë për mbështetjen tonë. Reagimet tallëse dhe akuzuese që kanë ardhur nga pjesa tjetër e klasës politike në Kosovë janë të natyrshme, se Kurti në vite ka qenë shumë më radikal se ata në raport me Serbinë. Por, kur të mbarojë kumbimi i borive partizane, do të zërë vend mirëkuptimi dhe dhe mirënjohja që qeveria e Kosovës mori një vendim të urtë e jo të lehtë për të mirën e kombit.

Burimi: illyriapress.com