Blog

Shqipëria, makth tronditës pafundësisht i bukur - Nga Edison Ypi

Nga: Edison Ypi

Vendi im është i tëri një makth tronditës pafundësisht i bukur. Është e mërkurë, por të duket e premte. Pas së enjtes vjen e marta. E hëna zgjat tre javë. E shtuna dhe e diela mungojnë me vite ose nuk çfaqen kurrë. Kodrat i bien flautit. Liqeret luajnë në harpë. Erërat në violinë. Lumi krrusur mbi piano. Interneti nuk është shpikur. Selfie nuk bëhen. Televizor nuk ka. Qiellin e prek me dorë. Peshqit e liqereve kullosin nëpër korije. Lushnja me Elbasanin bëjnë dashuri mbi një varkë në liqerin e Belshit nën një muzg me dy hëna. Gjermania përtej gardhit. Italia prapa derës. Amerika duke bërë muhabet me ca çapaçula në kafene. Elbasani po ha tavë dheje. Skrapari po ia lyp Kolonjës. Rrëzë një gardhi Përmeti po bën qef me Tepelenën. Shkodra me pantallona të shkurtra dhe gjysmat e sisëve përjashta ta bën me dorë ta marrësh deri në Laç. Lezha topless po lan Benzin me ujë pusi. Puka me flokët që ja merr era kah Mirdita ka ndalur anës rrugës se i është çpuar goma. Në qiell kullosin re si dele të bardha që i ruan një bari sa Shpiragu me kërrabë sa Tomorri, gunë sa Myzeqeja, fyell sa Devolli.