Blog

Sa afër e kemi Coronavirusin? - Nga Avdulla Kënaçi

Nga: Avdulla Kënaçi

Ritmi i jetës sime, ashtu si i shumeë shqiptarëve në Kanada, ndryshoi papritur. Duhet të mbylleshim brenda mureve të shtepisë (lockdown).

Mendova se duhet ta kisha të lehtë nga që jam mesuar të "ngujohem" me orë të tëra përpara kompjuterit duke shkruar letërsi, por nuk ishte ashtu.

Lajmet për invadimin e epidemise në Kanada më rrëmbyen të terin. Ku është virusi? Ku ka sulmuar më shumë? Sa afër e kemi? Si do sillemi me të po qe se na troket në derë?

E pamundur të përqëndrohem tek realizimi i tregimeve të skicuara. Shkruaj një paragraf, i kthehem ta lexoj. Pasazhi nuk më pëlqen, diçka i mungon, eshte rakitik. I mungon jeta e vërtetë, ajri dhe dielli, i mungon buzëqeshja e njerëzve, komunikimi me ta.

Për një çast harrova se sot këmbehen stinet. Vjen pranvera me lule dhe gjelbërim. Oh, sa e bukur që eshte pranvera në Kanada!

Mu kujtuan të ngujuarit nga gjakmarrja në Shqiperi. Ata i pret një plumb pushke te dera e shtepisë dhe ne një virus fare, fare mikroskopik, që nuk do ta rrokim kurrë me sy.

Mos e paçim fat. Të shpresojmë të mos ta dijë se ku jemi futur, të shpresojmë të kalojë pa na parë.

Le të vazhdojë rrugën, ndoshta shkon e "ngujohet" në akullin e Alaskës dhe ashtu i ngrirë të mbetet përjetësisht.

Le ta lerë njerëzimin në punë të vet!

Le të më lerë edhe mua në punën time!

Mississauga, 21 Mars 2020