Blog

Pas 39 vjetësh në Kosovë - Nga Agim Gjakova

Mëngjes qershori i nëntëdhjetë e nëntës. Nuk mund ta perceptoj natën e shkuar. Fjeta, pashë ëndërr, fola me vete, kujtova, përfytyrova… Po mundohem të ruaj gjakftohtësinë, buza disa herë po bën fërrr! Përpiqem, vërtitem, shtrëngohem për një qetësi buzëqeshëse. E arrij me mundim dhe ndjej se qelizat shprishen brenda meje, “cofin”, shkapërderdhen duke ma dhënë shprehjen e rëndomtë që mbulon vrullin e tyre në udhëtim të egër shpotitës… Ma bën tak të bërtas: Pashë bukën mos më lëvrini nëpër gjak! Po dua të nisem PËR KOSOVË.

Tridhjetë e nëntë vjet, dy muaj e njëzet e nëntë ditë! Largësi që bren zemrën e bjeshkës, më shumë se pika që gërryen gurin, që mbush detin me ujë, që shteron lumenjtë, që hedh në humbëtirë e djeg yjet… Po arrij të zmbraps shekullin, ta kthej mbrapa…

Fërkoj kraharorin dhe vërej time shoqe, Naimen, që më vështron me vëmendje dhe me një shqetësim “ekstrasistolik”. “Ku e ka zemrën? Athua në vendin e vet?! Gjithçka mund të ndodhë, gjithçka ka ndodhë…! Jo, jo këtë çast ndoshta, por atë minutë, atë sekondë, kur do të shkelësh në atë dhé të ndaluar, në atë dhé të përgjakur e të lulëzuar!” Ka në majë të gjuhës diç pyetëse, por stepet, ngurron. Heshtja është fuqi shprehëse dhe imazhet mund të shprishen në padurueshmëri.

Nuk di a përshëndetem me kënd. Me siguri, por krejt pa mendje. Dikush më përqafon. Është ime bijë, Fitorja. Tek në makinë më kujtohet se si ma rregulloi jakën e këmishës që kushedi se si ishte shtrembëruar, me një dorë që ndjell gazmim shpërthyes të dashurisë dhe dhembshurisë.

Disa orë nga Tirana deri në Kukës, me ndonjë peripeci, por pa hyrë në vetëdijen time. Regjistroj si robot ato që i kisha parë e kaluar dhjetëra herë dhe përpiqem të ruhem, të ruhem, pa tjetër të ruhem kur të vijë çasti, kur të afrohem tek prova e madhe… E kujt! E burrërisë?! E qëndresës?! E shkapërderdhjes?! Ndoshta për çdo kilometër drejt Qafës së Morinës fillojnë të shprishen të shkapërderdhen qelizat që mbrojnë, rivendosin, përpiqen për gjakftohtësinë. Bëjnë një luftë të madhe për mua, për sytë e mi, për buzët e mija që të rrinë të thata, të buzëqeshin, të përvijojnë rëndomësinë: Kush qenka ky i marrë!?

Gëzimi, im bir, i ulur para meje shoh se si kthen kokën herë pas here kah unë. Komedia e qelizave vazhdon punën e vet të qëndrueshmërisë stoike. Provoj t’i paqëtoj duke hedhur sytë përtej në horizont dhe le të rrjedhin vargjet në një recitim shtrëngues: “O qiell i hapur si hapësirë lirie e ëndërruar, o qiell i hapur gëzimi im i harbuar…”

Kthehem në jetën e udhëtimit për Kosovë. Recitoj në brendësinë e kataraktit dhe nuk gjej askund atë që thashë për gëzimin. Kaloj si i hutuar nëpër kufi me një karton që KFOR-i ma kish lëshuar si “gazetar” për të kërkuar ndihmën e trupave po të më nevojitej. Papritur pikërisht atëherë fillon shndërrimi. Filloj të marr formë të papeshë, të shtrëngoj duart e të përthyej gishtat, të rrudh qafën e ta ngjesh deri në dhembje për supe, të ngrij qepallat, të gapërroj sytë…! Ndoshta? Këmisha qullet. Qelizat ngarendin e shprishen, cofin, shkapërderdhen… Dua t’i shoh manat buzë udhës për Prizren, ata mana si dikur! Më ngjitet në tru të zbres e të zhgërryhem në dhé, në tokë, se çmenduria përfshiu gjithçka brenda meje dhe sado që kërkoj, vrullin e mendimeve të mia të mundimshme t’i lë mbrapa, t’i shtyj, t’i rras me përdhunë në zgafelle të mendjes, fluturojnë tej e tej dhe e zgorkojnë kraharorin, i shembin muskujt, kurthojnë kafkën dhe… Kërkoj ndihmën e qelizave. Ato shprishen, po e ruajnë gjakftohtësinë, e ma sjellin qetësinë buzëqeshëse?! Në vend të saj një buçitje tejet e madhe diku thellë: KAM HYRË NË KOSOVË!