Blog

Kalorësi i betuar i Kishës Greke nuk mund të mbrojë nderin e Republikës dhe Kombit Shqiptar - Nga Alfons Zeneli

Alfons Zeneli

Këto ditë, një pjesë e opinionit është njohur me një skandal radhe në Jug, konkretisht në fshatin Sopik, komuna Finiq.

Shetasi shqiptar Odise Gremo shkon në Konsullatën greke të Gjirokastrës dhe aty njoftohet se i është anulluar viza pasi në emisionin e Marin Memës ka deklaruar se banorët e fshatit të tij janë shqiptarë.

Motivacioni zyrtar me të cilin Konsullata greke e Gjirokastrës i mohon vizën Odise Gremos eshte: "Për mungesë ndërgjegje kombëtare greke dhe se ka bërë propagandë shqiptare".

Ky motivacion është bërë i ditur me një shkresë zyrtare, me firmë e me vulë nga konsullata. Pra duket qartë se kemi të bëjmë me një politikë të hapur shtetërore greke për konvertimin e shqiptarëve në grekë nëpërmjet dhunës verbale.

Pra sipas ligjeve të shkruara dhe të pashkruara, shteti grek mund t`i ndëshkojë shtetasit shqiptarë me mohimin e të drejtave themelore nëse ata nuk kanë “ndërgjegje kombëtare greke” dhe nëse bëjnë “propagandë shqiptare” brenda territorit shqiptar!?

Sipas specialistëve, kjo sjellje e shtetit grek nëpërmjet Konsullatës në Gjirokastër, përbën një shkelje të hapur të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Nuk eshte aspak cudi sepse dihet zyrtarisht qe Greqia eshte vendi i fundit ne Evrope sa i perket respektimit te drejtave te pakicave dhe te lirise se besimit.

Ashtu si dikur bandat e Zervës dhe trupat paramilitare greke plaçkisnin, digjnin, thernin e vrisnin, në fshatra e zona të tëra me popullsi civile shqiptare, sot ata bëjnë të njejtën gjë nëpërmjet reparteve parapolitike dhe paradiplomatike.

Gjithsesi, kjo nuk përben lajm as çudi. Ajo që duhet evidentuar sërish, është qëndrimi apo ndjeshmëria e shtetit shqiptar ndaj skandaleve të tilla që ndodhin brenda teritorit për të cilin ai është përgjegjës.

Mirëpo a duhet shpresuar në një reagim të qeverisë shqiptare?

Nëse iu referohemi disa të ndodhurave të deritanishme, unë them se nuk duhet të shpresojmë aspak.

Devotshmëria e Ramës dhe qeverisë së tij ndaj kauzës greke është e njohur dhe e faktuar.

Jo shumë kohë më pare u diskutua e u fol për instalimin e varrezave të ushtarëve grekë në Shqiperi.

Së pari, shumë prej tyre ishin fiktive. Rasti i një fshati në Përmet ku çdo lloj eshtre që gjendej nën tokë konsiderohej si ushtar grek, ishte unik sa i përket falsitetit kriminal të ketij procesi. Por dhe antinjerëzor po të kesh parasysh faktin se Permeti është zona ku andartët grekë kanë bërë krimet më barbare të mundshme.

Tani, pasardhësit e viktimave janë të detyruar që të mbajnë mbi tokën e tyre edhe varrezat e vrasësve. Nuk është çudi që ndonjë ditë, banorët e fshatrave të Përmetit të detyrohen për të bërë homazhe tek ato varre.

Zinxhiri i varrezave të ushtarëve grekë përkonte jo rastësisht me kufirin imagjinar të Vorio Epirit. Ndërkohë që sipas grekëve, aty ku ka varre ushtarësh grekë, është tokë greke.

E gjitha kjo, jo vetem ngjau para syve të qeverisë së Ramës, por edhe me bekimin e saj të përgjeruar. Por jo vetëm kaq. Shumica e harxheve u përballuan nga shteti shqiptar. Pra, Rama, me paratë e shqiptarëve ndërtoi e zbukuroi varrezat e grekëve që në më të shumtën e rasteve kishin masakruar civilë shqiptarë.

Rama i shndërroi këto varreza në medalje turpi të perjetshëm në historinë e shtetit shqiptar.

Kur publikova para pak kohësh videon e ceremonisë së pranimit të Ramës si Kalorës i Kryqëzatës Ortodokse të Varrit të Shenjtë të Kishës Greke, një aradhe “rilindasish” të atrofizuar u erdhi keq dhe e justifikuan Ramën si zakonisht në mënyrë të verbër. Anipse gjithçka ishte e qartë si drita e diellit.

Motivacioni i pranimit të Ramës në radhët e Batalionit të Kryqëtarëve Ortodoksë është: devotshmeria ndaj kauzës së Kishes Greke.

Ndaj Rama nuk ka asnjë shans të reagojë fuqishëm ashtu siç ia kërkon detyra, nderi zyrtar dhe betimi para Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, sepse ai është betuar para Kishës Greke si kalorës i saj.

Nuk dua të provokoj asnjë njeri, por më vjen trisht e ndjej dhimbje të thellë për të gjithë ata “rilindas” që do t`iu duhet ta kapërdijnë përdhosjen kombëtare që iu bën Rama për hir të dashurisë për Partinë dhe vendit të punës.

©Alfons Zeneli