Zgjidhja më e mirë është një qeveri teknike - Nga Enver Robelli
E kam shkruar e thënë në intervista menjëherë pasi ra qeveria si pasojë e egove të Isa Mustafës dhe Albin Kurtit. Deputetët e LDK-së duhet të mendojnë për të ardhmen e partisë së tyre, jo për të ardhmen e kryetarit të LDK-së, i cili nuk merr më vota. Ambiciet e tij politike janë vetëm personale.
LDK me udhëheqje të re proeuropiane dhe të gatshme për të pastruar shtetin e kriminalizuar - mund të marrë ende vota. Rrjedhimisht, çdo deputet i LDK-së që e ka parasysh të ardhmen e LDK-së dhe të ardhmen e tij politike, duhet të jetë i interesuar që të mos deformohet vullneti qytetar i 6 Tetorit 2019.
Më 6 Tetor 2019 LDK u ka thënë qytetarëve: na votoni neve, sepse ne me kryeministren Vjosa Osmani do ta çmontojmë sistemin korruptiv, nepotist dhe kriminal. Ky premtim ka tërhequr shumë votues. Edhe më shumë votues ka tërhequr premtimi se LDK nuk do të bëjë koalicion me PDK-në dhe AAK-në, madje kryetarin e AAK-së krerët e LDK-së e kanë akuzuar se i ka prishur raportet e Kosovës me SHBA, me Europë dhe me gjysmën e dynjasë.
Votimi i një qeverie që është në kundërshtim me votat dhe vlerat e 6 Tetorit 2019 është fyerje e rëndë e vullnetit të votuesve, ndonëse formalisht, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, LDK mund të krijojë qeveri duke u mbështetur në Listën Serbe, një organizatë gjysmëkriminale.
A është në interesin e Kosovës që në rrethana tejet delikate gjeostrategjike qeveria e Kosovës të jetë nën mëshirën e Beogradit?
Kjo pyetje është e tepërt. Andaj zgjidhja më e mirë në këto rrethana është qeveria teknike, e cila u përkushtohet dy punëve parësore: luftimit të pandemisë dhe përgatitjes së vendit për zgjedhje brenda 6 apo 9 muajve.
Nëse deputetët e LDK-së nuk tregohen largpamës, pas një viti mund të revoltohen, por me revoltën e tyre votuesit vetëm do të tallen. Sepse partitë politike jetojnë nga kredibiliteti.
LDK si patericë e partive të korrupsionit, haraçit, nepotizmit, vrasjeve të pasqaruara e poshtërsive të tjera nuk do të ketë më kredibilitet. Së paku jo në zgjedhjet e ardhshme.
Kryetari i LDK-së dhe shumica e argatëve të nëntokës politike në kryesinë e LDK-së janë në fund të karrierës politike dhe nuk marrin vota. Disa as nuk guxojnë të kandidojnë. Ndërsa ata që marrin vota janë në fillim të karrierës së tyre politike. Rrjedhimisht, duhet të demonstrojnë vendosmëri politike dhe vendimmarrëse.
©Enver Robelli





















