Blog

Njeriu me dinjitet - Nga Albesa Aliu

Më vjen keq që shumë njerëz nga diaspora shqiptare nuk tregojnë solidaritet me lëvizjen globale kundër racizmit. Në të kundërtën, vazhdojnë narrativën e djathtë, në mbrojtje apo injorim të padrejtësive me frikën se po ndodh "apokalipsi".

Protestat kundër brutalitetit të policisë në Amerikë dhe në botë janë vazhdimësi e thirrjeve të pandalura të zezakëve për drejtësi, për barazi, për jetë të dinjitetshme, për politika që mendojnë për të gjitha shtresat e shoqërisë, veçanërisht ata që margjinalizohen në mënyrë sistematike (në bazë të ngjyrës, theksit, normave të kthyera në ligje, abuzimit nga policia, historisë, monumenteve të frikshme).

Fatkeqësisht, njeriu i vitit 2020 përmirësoi teknologjinë, të drejtat e kafshëve por JO të njerëzve që nuk duken apo mendojnë sikurse të bardhët. Rrjedhimisht, shumë nga ne, duam të vazhdojmë diskriminimin sikurse kolonizuesit që arsyetuan skllavërinë e zezakëve. Pra, si shoqëri duam të qëndrojmë në atë shekull sepse ashtu filloi. Madje, edhe nëse grupe nga shoqëria trajtohen padrejtësisht. Sepse, gjatë kolonizimeve filloi civilizimi ndërsa të gjithë të tjerët janë inferiorë nga natyra. Pra, edhe në shekullin 21 vazhdojmë t’i vlerësojmë të gjitha narrativat historike që paraqesin çdo kënd tjetër inferior dhe arsyetojmë racizmin dhe supremacinë.

Dhe kur ty si shqiptar ky diskriminim nuk të afekton në atë masë sa zezakët, problemi nuk ekziston fare. Edhe pse, po të jetoje në ndonjë vend në Evropë sikurse Greqia, Franca, apo Gjermania do ta ndjej se si ksenefobia t’a shkatërron çdo ditë të jetës deri sa internalizohet dhe e arsyeton.

Në Athinë, shpesh herë dëgjoja shqiptarë duke arsyetuar ksenofobinë që e përjetojnë. Shumë shqiptarë në shumë vende të botës e kanë jetuar dhe vazhdojnë ta jetojnë atë realitet duke u ndjerë inferiorë. Dhe veprojnë njejtë ndaj racave e grupeve të tjera sapo tu vijë mundësia.

Shumë konservatorë kanë frikë se po ndodh apokalipsi sepse po u rrezikohet supermacia ndaj të gjitha racave. Këtë frikë e fshehin duke e vendosur vëmendjen te grupet e vogla anarkiste që ndodh të marrin pjesë në disa protesta e incidente, në numër të vogël në raport me masën. Disa duan njerëz sikurse Trump, që ua përforcojnë frikën se do t’ju humb pushteti dhe supremacia.

Disa që jetuan në shtypje sikurse ne në Kosovë apo në Shqipëri u rikthehen traumat e pa-trajtuara asnjëherë, se do të bëhet luftë apo komunizëm nëse e bëjmë shoqërinë më të barabartë për ata që nuk duken të bardhë. Dhe, se sa të jem vetë rehat nuk më intereson për tjetrin që është më keq se unë.

E kemi detyrim moral të kërkojmë drejtësi dhe barazi për të shtypurit. Ta krijojmë një shoqëri me dinjitet!

Kreditet e fotos: Peter Aprahamian, Science Photo Library. 

*Autorja është me origjinë nga Kosova dhe jeton në provincën e Manitoba-s. Ka studiuar Psikologji pranë Hellenic American University në Athinë si dhe ka kryer programin Master pranë Canadian Mennonite Univeristy në Winnipeg. Aktualisht punon si konsulente për organizata jo-fitumprurëse që ndihmojnë emigrantët.