Na skllavëroni, por vetëm na ushqeni - Nga Arben Braçe

Arben Braçe
Mbasi ka përfunduar tërësisht punë me rrëmbimin e të gjithë pushteteve politikë, ekonomikë dhe institucioneve të pavarura që lidhen me to, trashëgiminë kulturore dhe objekteve që e përfaqësojnë atë, Rilindja i është përveshur tashmë edhe historisë dhe vlerave të veçanta që lidhen me fakte kur vendi ka qënë në udhëkryq madhor. Fjalën e kam për 30-vjetorin e hapjes së ambasadave, datën 2 Korrik 1990, në të cilën partia mëmë e Rilindjes lëshonte vrer urrejtjeje dhe rrethoi me armatim të rëndë të gjithë “bijtë plangrishës” që guxuan të hynin në “tokën e ndaluar”.
Disa fanatikë me sy të gjakosur ishin të mendimit që të qëllohej me armatim të rëndë drejtëpërdrejt mbi ta dhe disa të tjerë më të “rafinuar”, bënin plane për rrëmbimin e karvanit të “bijve plangprishës” gjatë udhëtimit të fundit për në “botën e degjeruar”.
Planet dështuan, sepse makineria shtypëse njihte vetëm ligjet makabre që kishte fabrikuar kuvendi i komanduar nga partia dhe nuk njihte aktet ndërkombëtare, që më pas, do të na fusnin në rrugën e kombeve të qytetëruar.

Sapo bijtë e revoltuar na dhanë lamtumirën, akoma pa mbërritur në anën tjetër të Adriatikut, udhëheqësit e partisë mëmë të Rilindjes u lëshuan me forma sui generis të hakmarrjes dhe denigrimit duke nxjerrë prindërit që kishin qënë “indiferentë” nga shtëpitë dhe ata që ishin anëtarë të partisë duke i larguar prej saj si të “padenjë” dhe duke i spostuar nga postet për “mungesë vigjilence”, shumë syresh duke i internuar dhe të tjerë duke i demaskuar në mbledhje të gjata si prindër e familjarë të “tradhëtarëve të atdheut”.
Sa nëna dhe sa motra u rrahën paq nga punonjësit e sigurimit vetëm se u afruan pranë gardheve të ambasadave për të parë “bijtë plangrishës”, tek strukeshin të trembur brenda tokës së huaj në ambadasa. Nuk ka Dostojevsk ta përshkruajë, ndërsa sot për ironi të fatit vetë trashëgimtarët e varrmihësve i ngrenë monument në emër të lirisë, por edhe të vuajtjeve të hequra gjatë kohës së komunizmit, a thua se i kishte krijuar ndonjë kundërshtar politik i tyre ato vuajtje dhe të gjithë këta luftuan me të gjithë fuqinë për lirinë e sotme…!?
Turp i madh në fakt! Një histori e shtrëmbëruar, e treguar vetëm për farsë dhe një publik që nuk kupton se në këtë rast kemi një kod të politikës që nuk përputhet kurrkund me kodin e vërtetë moral. Një histori e vjedhur dhe e përvetësuar sikurse çdo vlerë tjetër që ka dalë në tregun e kotësive të Rilindjes që nuk po nginjet me pushtet.
Mbajtën fjalë anëtarë qeverie dhe nga trupi diplomatik i huaj, por protagonistët e vërtetë një zot e di se ku ndodhen të shpërndarë njësoj si zogjtë e korbit nëpër botë dhe përpos kohës kur qeveria kërkonte t’i fuste në dhe, në asnjë rast, nuk i ka rënë ndërmend për ata. Ata i kanë parë për 30-vjet si subjekte për t’i zhvatur remitancat, me të cilat shumë familje kanë mbajtur dhe mbajnë frymën nga uria.
Gjatë ceremonisë së inaugurimit kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, citoi Kadarenë tek përshkruante kurajën e “djemve plangprishës”, pa u kujtuar që më të guximshmit nga tanët patëm paturpësinë t’i quajmë edhe “jashtëqitje të kombit”.

Po kështu për të përshkruar momentet e vështira të atyre që mposhtën frikën dhe hynë në ambasada, kryetari Veliaj përmendi edhe një shprehje ironike të Dostojevskit: “A jam unë i denjë për gjithë këto vuajtje që po kaloj…?” Shumë prej nesh, sidomos gjenerata e prindërve tanë dhe ata që kanë bërë burg politik, me gjasë kanë pyetur veten si Dostojevksi, tha ai. A i meritojmë t’i heqim mbi kurriz të gjitha këto...?
Po në fakt! A i meritojmë t’i heqim vërtet të gjitha këto, kur pas 30-vjetësh kemi të njëjtën ndoshta edhe më shumë arësye e kurajë për të braktisur vendin?
Për dreq edhe mua mu kujtua Dostojevski me romanin pasionant filozofik “Vëllezërit Karamazov”. Romani është një dramë shpirtërore dhe betejë morale në lidhje me: besimin, dyshimin dhe arsyen, një vepër që ka qenë e respektuar në të gjithë botën nga intelektualë të ndryshëm si Sigmund Freud, Albert Einstein, Ludwig Wittgenstein, Martin Heidegger, Cormac McCarthy dhe Kurt Vonnegut dhe është cilësuar si një prej arritjeve të mëdha në letërsi.
Në romanin e tij, Dostojevski, duke dashur t’i referohet lirisë, në një pasazh të tij përmend se si: Krishti vjen pas 15 shekujsh, në një komunitet ku jetonte Inkuizitori i madh, i cili kishte ndërtuar një diktaturë shumë të egër. Inkuizitoi i madh ishte një burrë shumë i vjetër në moshën 90-vjeçare dhe gjëndur në mes të turmës vë re që ishte vetë Krishti, ai pretendonte që kishte sjellë lirinë. Me praninë e Inkuizitorit të madh turma hapet dhe menjëherë ai urdhëron rojet që Krishti të arrestohet. Mbasi Krishti arrestohet dhe futet në qeli ndërmjet Inkuizitorit të madh dhe Krishtit lind një debat në të cilin Inkuizitori i madh i thotë Krishtit se liria që t’i mendon se i ke sjellë popullit ata e morën dhe ma hodhën mua në këmbë dhe më thanë: “Na skllavëroni, por vëtëm na ushqeni…”
©Arben Braçe





















