I believe in freedom, I love America - Nga Sami Milloshi

Sami Milloshi - Boston
Një nga udhëtimet e mia të paharruara është udhëtimi tek Monumenti i Mount Rushmore ne South Dakota.
Aty e kam prekur si me pëllëmbë frymën e LIRISË Amerikane. Jam magjepsur aq shumë, sa e kam të vështirë të përshkruaj gjithë çfarë kam ndjerë.
Në një shpat mali kam parë me sytë e mi portretet e katër presidentëve te Amerikës te gdhendur në shkëmb: George Washington, Thomas Jefferson, Abraham Lincoln dhe Theodore Roosevelt.
Monumenti është gjigand. Lartësia e tij është 18 metra, në majë të malit...
Nuk kam ndërmend të zgjatem me hollësitë e monumentit, se ato i gjen gjithkush në internet. Dua të ndalem diku tjetër...
Në këtë histeri që ka shpërthyer prej ca trushplarëve marksistë e globalistë që vandalizojnë monumentet në Amerikë, nuk kanë kursyer as monumentin e Mount Rushmore. Po e përgojojnë edhe atë dhe pikërisht në prag të 4 Korrikut, Festës Kombëtare të Amerikës. Mendje të çmendura duan ta hedhin në erë edhe atë.
Si e qysh erdhi puna gjer këtu, vështirë ta thuash me pak rreshta. Por, ajo që mund të thuhet me pak fjalë është se, nëse një ditë, (larg qoftë e mos ardhtë kurrë) dikush do të mund ta shembte Mount Rushmore, si talebanët kanë shembur statujat e Budës, atëhere Liria Amerikane mund të kyçej në muze.
A ka gjasë të ndodhë kjo? Sipas meje kurrë!
Unë besoj se betejën midis Lirisë Amerikane dhe globalistëve neomarksistë do ta fitojë sërish LIRIA AMERIKANE.
Dikur një gazetar e pati pyetur presidentin Obama se çfarë mendimi kishte ai për tezën sipas të cilës Amerika përbën "një përjashtim". Ai i tha se nuk i dukej se Amerika përbënte "një perjashtim". Madje, Obamës i dukej se Amerika ishte, siç edhe tha, po kaq "exceptional" (e veçantë) po aq sa ç'mund të konsiderohej "exceptional", bie fjala, Greqia apo ndonjë shtet tjetër...
Në thelb, ajo përgjigje, tipike për nje adhurues të filozofisë së globalizmit, nuk i jepte Amerikës asnjë lloj veçanësie prej kombeve të tjerë. Sot, sipas adhuruesve të globalizmit, është pothuaj anakronike të besohet se Amerika ka diçka te veçantë nga të tjerët, e ca më pak të jetë lider botëror. Pa folur pastaj për të dëshpëruarit apo dashakëqijtë që përmendin tatëpjetën e supozuar të Amerikës...
Për dikë që është lindur e rritur ne Amerikë dhe nuk ka parë se çfarë do të thotë të të fusin në burg për nje fjalë goje, kjo mund të jetë e pranueshme. Por jo për mua që e kalova gjysmën e jetës ne Shqipëri dhe një të tretën në Amerikë.
Për dikë që nuk e di se çfarë do të thotë të jetosh me tollona dhe çfarë do të thotë të të mos vijë racioni i druve nga komunalja në pikë të Dhjetorit në apartamentin frigorifer, mund të jetë normale t'i verë flakën gjithçkaje dhe të bertasë edhe për shkatërrimin e Mount Rushmore, por kjo është çmenduri për mua.
Për dikë që nuk i ka munguar as peshku, as sallami, as kondicioneri, as ngrohja, as shkolla, as pishina, as makina, as fluturimet me avion, e të tjera e të tjera që nuk numërohen, mund të jetë normale ta kthejë Amerikën në një Kinë të dyte ku njeriu torturohet në kampe përqendrimi dhe e mbikqyr shteti edhe kur dhjet. Por, mua që e kam pasur burgun e Burrelit në derën e shtëpisë dhe e di se çfarë haej në mencat e kooperativave në Shqipëri, nuk mund të më bëjë kush moral për parajsën komuniste kineze dhe për " ferrin" amerikan... Unë e di mirë dallimin....
Dhe për ta mbyllur do të tregoj një histori të shkurtër. Para nja pesëmbëdhjetë vjetësh, një polic amerikan më ndaloi për tejkalim shpejtësie në autostradë. Më këputi gjobën. Sipas rregullit duhej edhe të shkoja në një klasë ku edhe një herë duhej të rifreskoja njohuritë si shofer. Edhe klasën duhej ta paguaja...
Salla plot me ata si puna ime që ishin gjobitur. Ngjitur kisha një grua në moshën time.
Më pyet ajo:
- E para gjobë kjo për ty?
- E para - i them unë, i mërzitur sikur kisha bërë ndonjë hata të madhe
- Ehu - më thotë ajo duke qeshur - unë nuk e mbaj mend sa herë kam marrë gjobë...
- Po, - i them zonjë - por ka një ndryshim midis teje dhe meje. Sepse ti e ke mësuar makinën ta ngasësh që kur ke qenë fëmijë, ndërsa unë e mësova vetëm kur erdha në Amerikë. Dhe vetëm kur u bëra 45 vjeç.
- Po pse, nuk kishe ti makinë?
- Nuk kisha të drejtë të kisha as makinë timen, as shtëpi timen, as tokë timen, as dyqan timin në vendin ku jam lindur dhe rritur...
- Po në çfarë planeti paska qenë ky vend? - pyeti zonja jo pa qesëndi.
-Në planetin Shqiperi - iu gjegja unë.
- Po ajri që thithje, ishte i yti, apo edhe atë ta mohonin?
............
Dhe kështu, kështu, ju që më bëni moral për racizëm e për dokrra të tjera që e nënçmojnë Amerikën , duhet të dini një gjë se ju nuk u ka ra b.... në ujë... Ju doni t'i shkatërroni monumentet sepse doni të shkatërroni Ameriken që të mos jetë më siç pati thënë Presidenti Reagan "A shiny city on the top of the hill".
Por, ju nuk keni për ta arritur këtë!
Dhe a e dini pse?
SEPSE UNË BESOJ NË LIRI! I BELIEVE IN FREEDOM!
DHE UNË NUK JAM VETËM. KA ME MILIONA SI UNË.
HAPPY FOURTH OF JULY! I LOVE AMERICA!




















