Blog

Detyrë e posaçme ose për kë bien këmbanat - Nga Ilir Gjini

Brezit të rritur para viteve 90-të, i kujtohet mirë një film i Kinostudios “Shqipëria e Re” me titull “Detyrë e posaçme”. Me nota të larta i thurreshin lavde heroit të sigurimit, që i infiltruar në agjenturat e huaja shkatërronte armiqtë, që sot quhen ”Ndërkombëtarë,” për të mos thënë zot shtëpie.

Në klimën e acaruar politike ku një pjesë e madhe e popullsisë nuk figuron asgjëkund e përfaqësuar, u arrit nën protektorin amerikan një marrëveshje mes palëve politike ku nuk mungoi edhe firma e opozitares Hajdari. Por Znj. Hajdari njëherë e firmos dhe të nesërmen e çfirmos atë që firmosi dhe në këto kohë pandemie ku janë ndaluar edhe grumbullimet, si rrufe parlamentare u grumbulluan plot 29 firma deputetësh.

Pëlhurën zgjedhore që me zor të madh u thur nga Bylykbashi e Gjiknuri (që kësaj radhe nuk kish nevojë për djemtë problematikë) e bekoi edhe Znj. Kim e Z. Soreka, por, papritur e mallkoi Gjuzi, Majlinda e Murrizi. Në këto ditë që rënkojnë nga gjëmimi i këmbanave të Covid zisë, po bien edhe këmbanat e fundit të asaj që i ka mbetur sistemit që ne e quajmë demokraci.

Histori agjentësh përhapen me shpejtësi për dy figura të shquara të letrave, ndërsa flamurin e demokracisë e ka marrë në dorë deputeti Murrizi. Në popull murrizi njihet si bimë medicinale që ul tensionin e lartë, ndërsa opozites së vendit, deputeti Murrizi po i shfaqet si ferra që nuk të lë të vazhdosh rrugën. Pyetja që shtrohet është: Përse Z. Murrizi apo Znj. Hajdari që u dhimbset kaq shumë demokracia dhe iu duket i padrejtë sistemi, u bënë deputetë nga lista? Kemi të bëjmë këtu me “heronj” të demokracisë, apo me individë që kanë një detyrë të posaçme?

Po të shohësh votimet e deputetëve që quhen opozitë, ata kurrë nuk harrojnë të ngrenë kartonin pro ligjeve të qeverisë. Madje edhe për shkarkimin e Presidentit Meta qenë dakort edhe Rudina edhe Murrizi. Opozitarë që kryqëzojnë Presidentin vetëm se shtyu me dekret datën e zgjedhjeve, vetëm te ne gjen. Madje edhe ekspertët e Komisionit të Venecias nuk gjetën shkelje të Kushtetutës nga Presidenti, por te ligjet e qeverisë për median, apo për betimin e gjykatësve buzë Lanës.

A mundet që një grup deputetësh që përfaqësojnë vetëm vullnetin e tyre dhe jo të zgjedhësve, të ndryshojnë Kushtetutën për të penguar koalicionet zgjedhore? Dikur nga fermerë të lirë na futën me detyrim në kooperativat socialiste, ndërsa tani duan të na imponojnë të mos kemi bashkime partish para zgjedhore që “pazarin” ta bëjnë pas zgjedhjeve?! Dhe këtë e bëjnë disa individë që kanë një grusht votash?!

Për kë bien këmbanat?

Këmbanat po bien gjithandej. Kudo. Rrënkojnë nga dhimbja. Dhimbje për të humburit e pandemisë, dhimbje për shkërrmoqjen e shtetit të së drejtës. Ato bien për qytetarët që nuk gjejnë të drejtën në dyert e gjykatave. Për padrejtësinë e “drejtësisë”, për tenderat e zhvatjes, për shtetin fantazëm që i shërben partisë.

Kultura komuniste ku nënpunësit ishin shërbëtorë të partisë dhe jo të ligjit, vazhdon edhe sot. Dikur miku im Afrim Krasniqi shpëtoi “nderin” e Myslim Murrizit para partisë, ndërsa sot Murrizi edhe pse në dorë mban flamurin e demokracisë, si AS nën mëngë ka pilulat që do mbajnë në pushtet Rilindjen - jo të Shqipërisë…, të partisë që na qeveris.

O udhëtar nëse dëgjon këmbanën të bjerë, mos pyet për kë po bie, ajo bie edhe për ty.  Kështu na sugjeron Hemingueji.

P.S. Kur udhëheqësi dikur na la, një punëtore e prekur nga humbja e madhe tha para kolektivit: “Po tani si do brohorasim? Parti Ramiz hajde të vemi për murriz”?

©Ilir Gjini