Blog

Ndërkombëtarë, Rama po ju fërshëllen! - Nga Ylli Dylgjeri

Siç e dëgjuat sot në Kuvend, i Pari i Qeverisë, si një lokomotivë me avull e shtoi shpejtësine dhe bile edhe u fërshëlleu.

"Do të diskutojmë - tha, por pastaj ky Kuvend do të vendosë, se ç’u kuptua? SOVRANI vendos! Me, apo pa Ata, listat do të hapen"!

Janë këto fjalët e tij që më dërguan larg. Më dërguan në Izrael. Më dërguan te libri "Unë, agjenti i Mosadit"...

Agjenti, duke rrëfyer për vështirësitë e punës në shërbim, tregon për një bashkëpunëtorin e tij, që punonte për Mosadin në Lindjen e Largme. Agjenti ishte në hall se nuk e kishte paguar rregullisht për spiunazhin si bashkëpunëtor.

Pasi u mendua e u konsultua, vendosi ta thërrasë në një qytet të ndërmjetëm, diku nga Jordania. Ashtu u bë. Agjenti niset dhe rrugën e bën edhe në këmbë nëper një shkretëtirë. Diku në tokat ranore sheh dy shina treni që zgjateshin pa mbarim. Nuk kish parë kurrë tren në jetë!

Ç’të jenë këto? - pyet veten. I shkujdesur ulet më pas mbi to per tu shlodhur. Por... nuk vonon dhe një tren po vinte me shpejtësi drejt tij. Prapë nuk e kupton.

Trenisti i binte pa pushim borive. Bashkëpunëtori nuk lëvizi. Në fund treni megjithëse e uli pak shpejtësinë e përplas. Bashkëpunëtori gjymtohet e pas disa muajsh kthehet në një invalid.

Agjenti i Mosadit u bë dy herë borxhli. Duhej takuar e paguar ai. Kështu agjenti vendos të paguajë nje taksi e ta ftojë në shtëpine e tij. Ashtu bën.

Me mundime bashkëpunëtori vjen e sipas zakonit arab miku pritet fillimisht me çaj, ndaj vendosin ibrikun mbi sobe e presin të ziejë çaji. Pas pak ibriku zien dhe lajmëron zierjen me fërshëllimën e enës. Por aty ndodh çudia. Miku nuk duron, merr filxhanin e qëllon mbi ibrikun e çajit.

Çfarë ndodhi? - e pyet agjenti.

Këto gjërat që fërshëllejnë duhen prishur sa janë të vogla, se po u rritën, të vrasin -sqaron bashkëpunëtori duke parë nga vetja i gjymtuar.

Ndërkombëtarë! Rama po ju fërshëllen.

©Ylli Dylgjeri