Blog

Një teatër për një kërpudhë - Nga Ilir Levonja

Ilir Levonja

Në disa Web-e jepen pamjet e një kërpudhe që po e rivendosin tek kryeministria. Eshtë një histori që dihet tashmë. E hoqën protestuesit atëherë kur kërkonin prej tre vjetësh ndërrimin e pushtetit për shkak të skandalit me votat e vjedhura. Figurat kyçe të pushtetit deri deputetë po vërtetoheshin sheshit se kishin mashtruar me pastërtinë e figurës në lidhje me arsimin dhe botën e krimit. Pa përmendur këtu theqafjen e ekonomisë për shkak të partneritetit publik dhe vetos politike në investim. Pa përmendur gjobat me arbitrazh ndërkombëtar fatura tashmë është mbi tavolinën e shqiptarëve dhe jo ministrit të Financave a kryeministrit në largim, e theksoj, shqiptarëve.

Po, prej tre vjetësh, këta protestues kërkonin ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe listat e hapura në mënyrë të atillë që të shmangej ky element, pra të fortët dhe bota e tyre që po zëvendësonte atë akademike. Po, prej tre vjetësh këta protestues kërkuan që edhe presidenti të zgjidhej nga populli. Dhe ashtu plot maraz ngjyen muret e kryeministrisë dhe u përballën me gazin lotsjellës. Plot maraz hoqën edhe këtë kërpudhë që siç po mësohet, është krijim i një autori austriak.

Në fund të fundit një kërpudhë është. Nuk e di se çfarë simbolizon bash aty tek ajo godinë e cila nuk është se ka një raport të shkëlqyer me shqiptarët. Po ta kishte nuk do ishte rrethuar, çrrethuar, lyer e përlyer deri edhe me zjarr apo me viktima. Shikon në botë vepra monumentale nga më të thjeshtat deri tek përmasat gjigande, por kanë simbolikë. Pavarësisht se si janë trajtuar, kanë një arsye. Dhe në raste të vendosjes merret mbështetja e komunitetit se vendi ku do vendoset nuk është pronë e shefit të kabinetit, por e komunitetit, shefat vijnë e ikin.

Sot kjo kërpudhë rishfaqet, tamam me këmbënguljen e atij kryeneçi që o të vejë e imja o s'ka. Dhe ta mendosh që shqiptarët, sepse në emër të tyre flet edhe kryeneçi, i prishën pa gajle shtëpinë ku u rritën, Kadri Roshi, Violeta Manushi, Margarita Xhepa, Roza Anagnosti, Luan Qerimi, Reshat Arbana, Mihal Popi, Sul Pitarka, Fatos Sela, Ilia Shyti, Drita Pelingu, Demir Hyskja, Loro Kovaçi, Kujtim Spahivogli, (Zot se janë shumë, si yjet në qiell) e ndjesë që nuk ua përmend dot të gjithëve emrat. Por faleminderit që na i dhe, që i kishim. E falna që nuk dimë t'i mbajmë. Nuk e patëm për gjë t'ia fluturonim tjegullat, t'ua rrëzonim muret, shqyenim garderobën. T'i çonim në Azilin e pleqve. Pleqëria është pleh. Kësisoj si ''modernë'' që jemi të na rroj kërpudha. Megjithëse nuk është fare pa shpjegim.

Kryeneçi këmbëngul për të derdhur mendjet përreth mbi dështimin e vet, mbi atë që shqiptarët nuk duan ta besojnë. E ka një shpjegim, sepse shqiptarët nuk meremetuan asnjë nga kampet e vuajtjes, por meremetuan shtëpinë me gjethe, madje paguajnë me organikë aty kalecët e teserave. Nuk lanë asnjë bunker gorgave a monopoleve të ushtrisë, se e kishin një simbolikë, megjithatë e sollën një në qendër të Tiranës. Nuk lanë një fabrikë në këmbë, nuk lanë një fermë a një ndërmarrje frutore, megjithatë këmbëngulin të kenë një mizëri fasonësh me asnjë të drejtë civile mbi orët e punës, sigurimet sociale etj. Nuk lanë depo ushtrie pa rrëzuar e shitur, nuk lanë studio a prona të Kinostudios pa shkatërruar, nuk lanë as bash zemrën e memories historike të mbrujtjes së figurave të artit kombëtar, Teatrin e shqiptarëve, megjithatë e vendosën me kryeneçësi një kërpudhë si simbolin e myshkut dhe plehut!

©Ilir Levonja