Blog

Unë, frëngjishtja dhe Vedat Kokona i pavdekshëm - Nga Flurans Ilia

Flurans Ilia

Frëngjishtes i kam borxh pjesën më të madhe të romaneve dhe autorëve të përbotshëm me të cilët jam ushqyer dhe jam i familjarizuar.

Nuk e kam fjalën ngushtësisht për autorët frëng dhe frëngjishten si gjuhë tejet gastronomike, të pasur e plot hijeshi, por për përkthyesit, këta mëditës të palodhur nga gjuhë të tjera (përfshi frëngjishten).

Dhe ajo që po mendoja (pikërisht më 8 gusht), një pjesë të mirë të shijes nuk e kam të kultivuar ndër vite nga frëngjishtja në vetvete se sa nga Vedat Kokona.

Po, po, Vedati ynë, Kalorësi i Urdhrit të Arteve dhe Letërsisë, si edhe Oficer i Palmave Akademike, për të cilin nuk më ka rënë rasti të them ndonjë fjalë por e kam mbajtur gjithmonë me vete si një maestro, tutor, udhërrëfenjës këto 18 vite nëpërmjet Fjalorit të tij Français- Albanais/Shqip-Frëngjisht me mbi 43000 fjalë dhe shprehje (Botimet Kokona, 2002).

Vedati është i pavdekshëm në llojin e vet. Një fenomen leksikologjik. Ka një gjuhë (shqip/frëngjisht) e cila shkon dhe kërkon lëngun e jetës nëpërmjet rrënjëve të veta etimologjike aq thellë, sa edhe pas kaq vitesh vazhdon të ketë po atë përjetësi që parandalon rrënimin, gërryerjet, shkarjet e gjuhës.

©Flurans Ilia