Blog

Atdhe në shumës ose shënime për atdheun në kohën e pandemisë - Nga Enver Robelli

Atdhe nuk është vetëm toka. Janë njerëzit. Vendet ku rrimë. Vendet ku flasim. Vendet ku diskutojmë. Vendet ku gëzohemi. Vendet ku qajmë. Atdhe është gjuha. Dialekti, sidomos. Atdhe është aty ku e ke përshtypjen se të njohin edhe lisat. Atdheun e bart me vete edhe atëherë kur ndodhesh diku larg, por edhe kur je afër.

Më 1974, pra para gati një gjysmë shekulli, shkrimtari gjenial zviceran Max Frisch, i cili e meritoi, por s’iu dha “Nobeli” për letërsi, me rastin e pranimit të çmimit “Friedrich Schiller” mbajti një fjalim falënderues në Zürich. Frisch pyeti: çka është atdheu? Sipas fjalorit të gjuhës gjermane DUDEN, atdheu është aty ku dikush ndihet si në shtëpi, një vend, një pjesë e një vendi, një lokalitet ku je (lindur dhe) rritur, ku e ke vendbanimin e përhershëm apo ku ndihesh apo je ndier mirë. Atdheu e ka një problem: nuk ka shumës. Nuk mund të kesh (disa) atdhe. Së paku sipas fjalorit.

Kështu mund të ketë qenë më 1974. Në vitin 2020 gjithsesi mund të flasim për atdhetë. (Këtu po reagon menjëherë programi për korrigjimin e gjuhës shqipe, duke sugjeruar se atdheu nuk ka shumës). Ka! Për të gjithë neve që jemi rritur mes Kosovës dhe Evropës Perëndimore, mes atdheut ku jemi lindur dhe... atdheut të ri. Zvicrës, kësaj radhe. Një atdhe ku dikur, në një kohë të largët, kemi ardhur me tren. Bujanoc, Nish, Beograd, Vinkovci (këtu më kujtohet romani “Vrasje në Orient-Ekspress” i Agatha Christie), Zagreb, Lubjanë, Jesenicë, Feldkirch (në kufi me Zvicrën).

Atdhe nuk është vetëm toka. Janë njerëzit. Vendet ku rrimë. Vendet ku flasim. Vendet ku diskutojmë. Vendet ku gëzohemi. Vendet ku qajmë. Atdhe është gjuha. Dialekti, sidomos. “Heimat” në gjermanisht. Në anglisht “My Country”, por edhe “Homeland”, por edhe “Motherland”: mëmëdhe në shqip. “La Patrie” në frëngjisht. Max Frisch thotë se sapo e dëgjon këtë fjalë, pra “La Patrie”, menjëherë mendja të shkon te flamuri. Francezët dhe flamuri - një dashuri e përhershme.

Atdhe është aty ku e ke përshtypjen se të njohin edhe lisat. Atdheun e bart me vete edhe atëherë kur ndodhesh në një ishull në Vietnam dhe të shkruan një shok nga Zvicra dhe thotë: “Vitin tjetër në Prishtinë”.

Sivjet u bënë 9 muaj pa e parë Kosovën. Maqedoninë shqiptare. Shqipërinë. U bënë 9 muaj! Kush e ka menduar që një virus nga Kina do të bëhet sebep. Andaj “humbim” kohë në këtë pragvjeshtë me Max Frischin. Ky tipi në vitet 1930 shkoi në Pragë si reporter sporti për të shkruar mbi kampionatin botëror të hokejit mbi akull. Kur mbaroi kampionati, Max Frisch ia dërgoi një letër nënës së tij në Zürich. I tha: s’po kthehem në Zvicër, por do të shkoj në Stamboll, përmes Ballkanit. Beogradi iu duk qytet i pistë, në Sarajevë u ngazëllye me pamjet orientale, në Dubrovnik gjeti strehë te një familje aristokrate dhe aty shkroi romanin e tij të parë, pastaj vazhdoi udhën, nëpër Mal të Zi drejt Kosovës, ku në librin e vizituesve të Manastirit të Deçanit la një shënim.

Si bëhen emrat e huaj, toponimet e huaja pjesë të atdheut? Qe një shembull: në çdo dyqan të Zvicrës mund të blihet një çokollatë e markës “Ragusa”. Fëmijë e të rritur nuk e dinë se si u bë që një çokollatë zvicerane të quhet “Ragusa”. Kështu ndodhi: mes dy luftërave botërore fabrikanti i çokollatave Camille Bloch (1891-1970) kaloi shpeshherë pushimet në Dubrovnik në bregdetin dalmat. Më 1942 ai vendosi që një çokollatë ta quajë “Ragusa”, sipas emrit të vjetër të Dubrovnikut. Camille Bloch pushon në varrezat hebraike të Bernës. Një gërmim më i thellë në histori nxjerr edhe dëshmi të tjera krahas emrit të çokollatës “Ragusa”: mes Adriatikut dhe Zvicrës u krijuan lidhjet e para që në shekullin e 15-të, kur një argjendar nga Bazeli u shpërngul në Dubrovnik, ndërsa nga Dalmacia dhe nga Istria erdhën në Zvicër murgj që luajtën rol edhe në Koncilin e Bazelit (1431-1449). Kështu përzihen atdhetë.

Atdhe janë miqtë. Kuzhina. Dyqanxhiu që të çmend me pyetjen: “A do të bëhet mirë se ti e di...”. (Nuk e di). Atdhe është kamarier Arsimi. Atdhe është të jesh i lumtur që kësaj radhe pengesë për të ardhur në atdhe është vetëm pandemia, jo policia serbe. Jo polici serb që në Suboticë na i grabiste 600 marka gjermane. Dikur. Atdhe është ai që e gjen gjuhën e kryengritjes dhe e refuzon gjuhën e oportunizmit. Diqysh ashtu siç e pati gjetur Pablo Neruda. Atdheu është nostalgjia pa idealizëm. Dhe pa ideologji.

Atdhe, prapëseprapë, është edhe Zvicra. Jo vetëm për shkak të Max Frisch-it. “Ne kërkuam punëtorë, por erdhën njerëz”. Njëra nga fjalët e tij më gjeniale. Njeriu është qenie mobile. Dëshiron nganjëherë të vijë në Kosovë. Ose të shkojë në Përmet. Ose në Strugë. Diku. Kryesorja diku. Aty ku ndihet mirë. Aty ku të tjerët e bëjnë të ndihet mirë.

©KOHA