Blog

Një çmenduri që duhet të marrë fund - Nga Ruben Avxhiu

Shqiptarët nuk janë pjesë e Lindjes së Mesme dhe të them të drejtën është ofenduese që kjo punë vazhdon.

Serbët na përshkruajnë si myslimanë, jo se jemi shumica të tillë, por me shpresën se do të na armiqësojmë me të djathtën e krishterë amerikane dhe europiane.

Ndërkohë vetë shajnë Amerikën lart e poshtë nëpër botën myslimane duke e paraqitur Kosovën si vegël amerikane. Me një lugë hanë në dy sofra.

Filloi kjo punë si me shaka pas marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë ku u bë një gafë e u përshkrua Kosova si nga Lindja e Mesme, kurse tani shqiptarët në Michigan të përfshirë në koalicionin e Lindjes së Mesme.

Shumë respekt për komunitetet e tjera. Janë miqtë tanë dhe bëjmë shumë mirë të bashkëpunojmë me të gjithë. Mirëpo, nuk jemi nga e njëjta hapësirë.

Mbi të gjitha jemi së pari shqiptarë e pastaj u përkasim feve të ndryshme.

Drejtuesit e fushatës së Presidentit Trump duhet ta dinë se pavarësisht nga larmia fetare e komunitetit tonë, një nga mbështetjet më të mëdha e kanë mes shqiptarëve katolikë. Nuk e imagjinoj dot se si mund të ndihen, mirëpo pres më së paku që të kërkojnë vetë të drejtën për të mos u keqpërshkruar, keqidentifikuar, e sidomos për të mos u keqpërdorur.

Jo çdo mysliman është nga Lindja e Mesme. Jo çdo shqiptar është mysliman. Dhe mbi të gjitha shqiptaro-amerikanët janë amerikanë si gjithë të tjerët, pavarësisht se cilës fe i përkasim.

Posteri që rreshton shqiptarët në Koalicionin nga Lindja e Mesme për Fitoren e Presidentit Trump

Ky kontrast imazhesh sot, me Ambasadorin Grenell në një meshë serbe në Wisconsin dhe me shqiptarët në Michigan “të shpërngulur” në Lindjen e Mesme, nuk ka si mos të krijojë zemërim.

Sidomos kur mendon se qindramijëra shqiptarë i kanë dëbuar drejt Turqisë, pa dëshirën e tyre, duke nisur nga gati një shekull më parë, prej trojeve të tyre, në ish-Jugosllavi e në Greqi, duke ua mohuar identitetin kombëtar vetëm sepse ishin myslimanë. Përpara se të dëboheshin me dhunë nga gjenerali Zerva, çamët e mijëra shqiptarë myslimanë në Greqi janë dërguar kundër dëshirës së tyre në Turqi, ndonëse shumica pa ditur asnjë fjalë turqisht. Në Jugosllavi shpërnguljet kanë vazhduar edhe pas Luftës së Dytë.

Vërtet ky poster fushate nuk do të kishte asnjë rëndësi, nëse Grenelli nuk do të ishte duke bërë gostitë e radhës me serbët, duke vizituar kisha ku vegjetojnë mitet e serbëve si shpëtimtarë të krishtërimit, e ku Kosova krahasohet me ISIS-in dhe Al-Kaidën.

Nga ana tjetër vijon të injorohen kërkesat dhe të drejtat e pakicës katolike në Kosovë, e vetmja e injoruar në Pakon e Ahtisaarit, një kujtim ironik tani që po dëgjojmë se Pakoja paskej qenë e pamjaftueshme për pakicën ortodokse serbe.

Serbët nuk janë të vetmit të krishterë në Kosovë, as të vetmit të krishterë nga Ballkani. Le të flasin katolikët e Kroacisë, apo ortodoksët e Malit të Zi dhe Maqedonisë se kush ua ka përdhosur kishat përkatëse. Shqiptaro-amerikanët sigurisht kanë 20 kisha katolike e ortodokse nëpër SHBA, mirëpo kush kujtohet për këta njerëz nga Lindja e Mesme.

Kjo sigurisht nuk është punë feje, por çështje ndjeshmërie kombëtare, gjeopolitike e gjeokulturore. Në fund të fundit nga Libani në Palestinë ka edhe ndonjë kishë katolike e ortodokse, kështu që ja ku jemi. Në fund të fundit koptët nga Egjipti, Jazidët etj. nuk janë myslimanë.

Protesta jonë është e rrënjosur në fatkeqësitë dhe abuzimet e të kaluarës, shumë prej të cilave kanë qenë arsyeja kryesore që kemi përfunduar në Botën e Lirë. Po nuk u ankuam e ngritëm zërin për të drejtën tonë edhe këtu, mes demokracisë amerikane, çfarë na mbetet?

©Illyria