Blog

Hipokrati dhe hipokritët - Nga Faruk Myrtaj

Fjala rëndon, veprimi edhe më rëndë. Kur hyjnë emrat në mes, mund të gabojmë edhe më keq...

Njeriu gabon, tërë njerëzit. Paraja josh, shtyn për tu marre. Njeriu e jep për hall, nuk e kursen fare për hall jete... nga dheu e nxjerr...

Specialisti duhet të shpërblehet, themi. Specialisti në cilen fushe?! Të gjithë mund të jemi sakrifikues diku.

Hebrejtë, në Kodin e tyre të Moralit besojnë se "Njeriu lindet neutral. Me vështrim nga joshja!"

Perëndimi e shpall individin njeri të lirë, edhe për të gabuar. Gjithaq të ndëshkueshëm, nga ligji.

Në Lindje, (nuk po i vë thonjëzat, për të shkuar ca më përtej ish-Lindjes së Kuqe) janë të tërë të akuzuar dhe askush i ndëshkuar me ligj. E pëson ndokush rastësisht... Ndaj drejtësia mbetet e vënë në dyshim...

Si i bëhet?

Më 1991 operova dikënd, fëmijën tim në Tiranë. Spitalet ishin edhe pa çarçafë... Po të kisha, do t'ia ofroja doktorit të tëra...

Doktor Muharremi (nuk jam i sigurt për emrin) dhe e shoqja (mbase Liri, quhej) as kërkuan as pranuan... Hipokrat, faleminderit, apo ishte virtyt individi?! Apendicit i kapur në kohë. Mirënjohës, si prindër!

Lusim, me tërë shpirt, të jenë mirë, pas kaq vitesh... Ai çift mjekësh dhe të tërë si ata...

Në Toronto, vite më pas, po ai operacion, jo i vështirë, thuhet per apendicitin, por thika thikë është! Dhe sërish tek fëmija...!

Shkuam ndër fjalë me dikë aty, "një 5 lekshe" siç themi aty... per mirënjohje, doktorit!

"Mos e fol me zë se... edhe pa e dhënë, ndëshkohesh për ryshfet-dhënie-marrje këndej!"

Sistemi, organizimi tërësor, mjekët të paguar, kultura qytetare... ligji i kthyer në vetëdije...

Duhet kohë të nderojmë profesionin e mjekut. Jo vetëm. Njeriun, jetët. Po, edhe duke lutur Zotin si shpërblyes të punëve që bëjmë. Edhe si mjekë, edhe si ministra edhe si... SPAK... Jo abuzim.

Paraja nuk është qëllim. Shpëtimi i jetëve po, nderimi për punën po... në secilën prej punëve...

Si i bëhet? Po ai që s'ka para? Po ai që s'merr, si të jetojë?

Si duhet filluar për tu bërë e madhuar si Njerëz?

Me burg, jo, nuk është zgjidhje, është ndëshkim për të pandreqshmin që shkakton dëm... Vetëm për të?

Me drejtësi? Duhet ca kohë dhe ne s'jemi gati të presim...

Vetëm investimi në kulturë është afatgjatë... por ligjet i miratojnë ca që vetëm kulturën nuk e financojnë... Janë këta të akuzuar, të pandëshkuar, që u vjen hera të ndëshkohen të tjerë, rastësorë?

Nxitojmë... Edhe kur flasim... Nuk jemi të sinqertë, por nuk është kollaj të pranojmë, sado pjesërisht, që jemi hipokritë?

Të jemi të drejtë... sugjerojmë veten, por sa për tu degjuar si të tillë.

Hipokrati nuk vlen për shoqeritë hipokrite...

Mirë bejmë që flasim, mbase kështu fillohet... Duke pranuar se edhe fjalët edhe gabojne...

©Faruk Myrtaj