Blog

“Harresa” antologjike e diktatorit Hoxha - Nga Dashnor Kokonozi

Edhe unë mendoj se “ajo kohë” ka patur të mirat e saj. Eshtë thesar i vërtetë subjektesh tragji-komikë. Shumë shkrimtarë të asaj kohe i kanë trajtuar në veprat e tyre dhe janë nderuar më çmime. Ka edhe të tjera që kanë kaluar pa rënë në sy. Si kjo që do t’ju kujtoj.

Ndonëse Ramiz Alia zbehej deri në fund të jetës së tij nga frika, përsëri në librin e tij, “Jeta ime”, lë të duken ca elementë danteskë. 

Veç frazave, që besoj se do t’ia kishte zili edhe Xhorxh Oruell-i (po qe se ka faj Enveri, kemi edhe ne, po patëm ne ka edhe Enveri), aty mëson se edhe dramat më të mëdha kombëtare janë nganjëherë çështje të vogla harrese « njerëzore », edhe pse shkaktojnë vuajtje e trauma të vërteta të prindërve që mbyllen nga dhimbja e bëhen gur para urisë së fëmijëve.

Ndonëse Alia përdor si linjë mbrojtjeje idenë se fajin e kishin të tjerët që nuk i thonin të vërtetën Enver Hoxhës, ai diku në librin e tij tregon se një herë tek kthehet nga një vizitë në Veri të Shqipërisë i raporton Enver Hoxhës se "një fshatar i kishte kërkuar t’i lejonin të mbanin nga një derr për shtëpi".

Enveri habitet. Nuk e kupton këtë dhe kërkon shpjegime pse fshatarët nuk kanë bagëti të tyren në shtëpi. Alia i shpjegon se një nga vendimet që ishte marrë nga ata vetë nja dhjetë vjet më parë, kishte të bënte me zhdukjen krejtësisht te pronës private edhe në fshat. Në këtë kuadër asnjë fshatar nuk kishte të drejtë të mbante ndonjë derr a dele në shtëpinë e tyre. 

Ai, përfundon Alia, (citoj): duket se e kishte harruar vendimin për heqjen e bagëtive dhe të oborrit në kooperativa…

Ata që nuk e njohin funksionin e ekonomisë së kohës e kanë të vështirë t’i kuptojnë pasojat e kësaj «harrese» që i kishte lënë shqiptarët pa ushqimin bazë, pa atë ushqim që e kishin siguruar vetë në mijëravjeçarë. Nuk flas për anën ideologjike, për faktin se një vend i tërë ishte vënë në funksionin e kavjeve eksperimentale të një ideologjie pa krye, por për pasojat në shëndetin e njerëzve.

Ndërkohë që kooperativa mund t’u siguronte presh, ca bukë misri dhe asgjë më shumë (sidomos zonat malore), heqja e bagëtive private i kishte lënë pa gjalpë qumësht, mish, pa lesh për çorape a triko a gjësendi tjetër. Merrini me mend pasojat.

Pata mundësi në atë kohë, të ndjek një ekspozitë etnografike në Dibër dhe me atë rast përfitova të kthehem në zonën e Katër Grykëve, për të takuar një shok të fëminisë që punonte aty si mjek.  E gjeta tapë. E di ku ke je këtu, më tha. Ke hyrë në mbretërinë e të vdekurve. Dhe më shpjegoi se aty nga kequshqyerja një pjesë e banorëve ishin me tuberkuloz. Të ftohtit po i vret. Nuk kanë asnjë pikë qumësht për fëmijët e sëmurë, asnjë kockë mishi për supë, asnjë lugë gjalpë për një gjellë. 

Nënat i sillnin fëmijët në kopsht dhe aty u linin një shishe me ujë me pak sheqer të tretur brenda dhe shkonin të rrëmonin tokën e ngrirë… Ai ishte ushqimi i gjithë ditës për ato foshnje. Ishin njerëzit që Hoxha kishte “harruar” se u kishte hequr atë mundësi mbijetese që nuk ua kishin hequr as romakët, as bizantinët, as serbët e car Dushanit, as turqit…

Harresa nuk është amnezi, harresa është një turbullim pa pasojë i kujtesës, që ndodh në raste të veçanta dhe zakonisht ka të bëjë me emra njerëzish, data, detyrash për të kryer... Por në një diktaturë, kur diktatori ka një turbullim të vogël kujtese, ai lë një popull të tërë të vuajë nga uria.

©Dashnor Kokonozi