Vegime - Nga Edison Ypi
Me sy mbyllur lexova një libër të mirë. Me sy hapur pashë në një vitrinë librin e palexueshëm të një spiuni të ndyrë.
Me sy mbyllur pashë një djalë që i bëri një vajze një kompliment të bukur. Me sy hapur pashë një djalë që i tha një vajze "qeke derr femre".
Me sy mbyllur pashë një pllajë mahnitëse në Përmet me ujvara që rridhnin në Vjosë. Me sy hapur pashë një kazan plehrash brenda të cilit një rreckaman në bashkëpunim me disa mace kërkonin diçka inekzistente.
Me sy mbyllur pashë si u ngjita më këmbë në majën e një mali. Me sy hapur pashë në rrugë 3 obezë duke kullufitur 10 hamburgerë.
Me sy mbyllur hëngra groshë, piva dhallë në një katund, dhe ia futa një sy gjumë në një livadh. Me sy hapur pashë në një restorant në Bllok ca karaputana OJQ-sh nga ato që në '91 ishin të reja dhe fukaresha, ndërsa tani janë plaka me zinxhirë floriri dhe rruaza nëpër qafa duke ngrënë e duke pirë me paret e taksapaguesve.
Me sy mbyllur pashë Voskopojën magjike plot me kisha dhe manastirë. Me sy hapur pashë lumin e Ishmit plot me minj të mëdhenj si gica.
Me sy mbyllur pashë një prift të urtë duke mbajtur meshë para besimtarëve kokëulur. Me sy hapur pashë në Youtube një imam Kosove duke predikuar hajvanllëqe me ulurima si i xhindosur.
Me sy mbyllur mu bë sikur diktatura kishte hedhur nëpër burgje vetëm Poetë. Me sy hapur pashë se diktatura, bashkë me poetët, nëpër burgje dhe internime, kishte mbyllur edhe plot pisa që mbahen për poetë dhe mutër që hiqen si mendimtarë.
Me sy mbyllur mu faneps sikur dosjet u hapën, u hodha përpjetë nga lumturia, dhe bërtita: Shpëtuam nga mutërit që mbahen të pastër! Me sy hapur kuptova se dosjet janë rrena të stisura nga Sigurimi.
Me sy mbyllur pashë Djallin duke bindur Zotin të heqë dorë nga urtësitë dhe të fillojë të zbatojë strategji perverse por kurative për shpëtimin e shqiptarëve. Me sy hapur pashë Zotin duke u thënë shqiptarëve të mos kenë frikë nga asgjë sa kohë është e vërtetë thënia e Shekspirit: "Ferri është bosh, të gjithë djajtë i keni midis jush".
Me sy mbyllur mu duk se Shqipëria hyri më së fundi atje ku është, në Europë. Me sy hapur pashë ca halabakë që Europën e quajnë "kurvë".
©Edison Ypi



















