Blog

Goli “Offside” në fitoren e Lulzim Bashës - Nga Ilir Gjini

Një gol me pozicion të dukshëm “jashtë loje”, i dha sërish shiritin e kapitenit të skuadrës PD Lulzim Bashës, në përballjen e tretë brenda llojit. Ky “gol” i Bashës, më kujton ndeshjen Argjentinë-Peru në Kampionatin Botëror 1978, të fituar nga Argjentina me rezultatin 6-0. Regjimi diktatorial argjentinas me një shkelje syri nga FIFA, ndryshoi rregullat e lojës, ndërsa regjimi peruan përmes presionit dhe joshjes mbi kombëtaren, e shiti ndeshjen me një rezultat tenistik, i cili kualifikonte argjentinasit.

Shiriti i kapitenit, do qëndrojë në krahun e Lulzim Bashës edhe për 4 vite të tjera, ndërkohë që rezultatet e deritanishme, janë katastrofë. Humbje pas humbjesh në 8 vite. Humbje, që përveç vulës së regjimit Rama, kanë edhe lidershipin e dobët nga Basha. Ai suksesshëm po “lulëzon” në uzurpimin e garës pa rregulla për shiritin e “kapitenit kryetar”, për t’u vyshkur në garën reale për të qenë lider. Lider që merr vendimet e duhura në momentin e duhur. Lider që mban fjalën e dhënë. Lider që mban edhe përgjegjësitë për veprimet e tij.

Basha me të drejtë i konsideron zgjedhjet e 25 Prillit një masakër elektorale, por edhe zgjedhjet e 13 Qershorit, ishin shumë larg standarteve demokratike. Si ka mundësi, që kundërshtarët e tij në garë, të mos kishin as listën e votuesve? As komisionerë por vetëm vëshzhgues? Për mos folur për kohën e shkurtër për fushatë. Shto këtu edhe gjuhën denigruese që disa deputetë përdorën për kundërshtarët e Bashës. Partia nuk është “Call center” - tha Gjekmarkaj, për Agron Shehaj.  Nuk janë të aftë as për kryetar fshati - tha Salianji.

Por kundërshtarët e Bashës, veç garës së pabarabartë patën edhe gabimet e tyre. Kadilli, Harxhi e Shehaj, nuk e pranonin që zgjedhjet dukshëm u manipuluan, çka për shumë demokratë që qenë vetë dëshmitarë të manipulimeve, kjo gjuhë qe e papranueshme. Publikimi nga ana e tyre e takimit me Ambasadoren Kim si “dekoratë” fushate, acaroi shumë demokratë. Përkrahja që administrata Demokrate amerikane (që nga njohja e rezultatit të zgjedhjeve ende pa u zyrtarizuar), po i jep haptazi regjimit Rama, ka zgjuar një frymë antiamerikane në elektoratin e djathtë.

Megjithatë, pavarësisht rezultatit të dobët, sfidantët e Bashës sollën edhe risi mjaft pozitive. Manifesti i Kadillit si dhe pikat e Shehajt për demokratizimin e PD, janë nisma shumë të vlefshme që patjetër duhet të përfshihen në statutin e partisë, nëse nuk duan të “nusërojnë” vazhdimisht në opozitë. Nga ana tjetër kapiteni i rikonfirmuar Basha, nuk e ka të qartë strategjinë opozitare drejt suksesit. Si gjithmonë i lëkundur për të marrë vendime dhe për t’i qëndruar atyre me vendosmëri. Ende nuk di si do veprojë me Parlamentin apo me protestat.

Prapsja e tij pas çdo telefonate ambasadorësh, të bën të dyshosh se është një kapiten i shantazhueshëm. Të jetë vallë pagesa 600 mijë $ që u pagua për lobim në State Department? Vetë Meta e pohoi se i qe bërë presion me ca “gjëra” që amerikanët dinë për të. Goditja e Berishës qe një paralajmërim për Bashën. Mos vallë i ranë derës që të dëgjojë penxherja?

Shumë analistë (madje edhe ndonjë që admironte opozitën), e shohin goditjen e Berishës si paralajmërim edhe për Ramën. Në fakt e vërteta qëndron krejt ndryshe. Që nga reforma në drejtësi, ndryshimi i Kushtetutës pa pasur votat reale popullore, patronazhimi i zgjedhjeve e deri tek “Defender 21”, që si “mision” shtesë kishte edhe shuarjen e protestave opozitare për manipulim, të gjitha tregojnë mbështetjen e hapur të administratës amerikane ndaj konsolidimit të regjimit Rama. Administrata amerikane është e lodhur me përplasjet e ashpra për pushtet mes dy forcave kryesore politike, duke ia lënë Ramës të gjithë fushën e lojës, përfshirë dhe rregullat. Njësoj si dikur FIFA në ndeshjen Argjentinë-Peru.

Ishte Qershor 1978. Ndeshjet e grupeve Poloni-Brazil dhe Argjentinë-Peru duhet të zhvilloheshin në të njëjtën orë, për të shmangur manipulimet. Por argjentinasit me një shkelje syri nga FIFA, pritën sa mësuan rezultatin e ndeshjes Brazil-Poloni dhe fituan 6-0 me Perunë. Qe një ndeshje e shitur. Atëherë nuk kishte sistem “Var”.

Po edhe sot që ka OSBE me sistem monitorimi “vari hejbet”, me një shkelje amerikane syri, as që do shihej “GOLI OFFSIDE” në zgjedhjet e 25 Prillit. Në ndihmë të opozitës me kapitenin e “vyshkur” Lulzim, vjen vetëm folklori:

Pa dëgjo o Beu ynë,

mbahe mirë terezinë,

se njerëzia u piknë, iknë e morrën arratinë,

në Australi, Amerikë e Argjentinë.

E pe Abdulla Bej Selimnë,

kullat e bardha në brinjë,

kukuvajkat ulurijnë,

ashtu do ti lësh dhe tinë!

©Ilir Gjini