Blog

Edhe unë e kam kallëzuar Z. Soreca - Nga Edmond Budina

Këto ditë u zbardh vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe kryesisht përkrahësit e pushtetit, por edhe një pjesë e mirë e shoqërisë civile e quajtën fitore të pjesshme, deri edhe humbje! Fitorja është e plotë dhe e dukshme. Ai, që nuk e do këtë fitore, e sheh gotën gjysmë bosh. Nuk dua të zgjatem, se vendimin çdokush mund ta lexojë, por dy gjëra duhen thënë.

Ligji Special dhe VKM e transferimit të pronës ishin antikushtetues. Për Ligjin Special mbajnë përgjegjësi jo vetëm ata, që e hartuan dhe e votuan, por edhe të gjithë ata, që e mbështetën dhe firmosën për shembjen. Përsa i përket VKM-së, Bashkia e Tiranës duhet t’i kthejë pronën Ministrisë së Kulturës. Prona nuk është vetëm trualli, por edhe godinat me gjithë materialet, që kishin brenda, të cilat u shkatërruan barbarisht mbas një VKB-je. Edhe pse nuk u arrit kuorumi për të shqyrtuar VKB-në, kjo nuk do të thotë, që ai është i ligjshëm, përkundrazi, çdo gjykim i ardhshëm për prishjen, do të ketë mbi të një vendim sipëror të Kushtetueses, kthimin e plotë të pronës.

Faji u shtua edhe më, kur Bashkia nuk mori parasysh vendimin e formës së prerë të KLSH-së, që thoshte se Teatri nuk duhej prishur, deri sa të shprehej Kushtetuesja. Dhe Gjykata Kushtetuese u shpreh qartë. Në seancën e 16 Qershorit, ku Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ishte palë e tretë, një pjesë e mirë e dukumentacionit ishte i hartuar dhe argumentuar me fakte prej nesh. Një punë voluminoze, ku ishin përfshirë edhe argumentat që ne i kemi paraqitur SPAK-ut.

Për të arritur deri këtu, na është dashur të ndeshemi edhe me atë pjesë të shoqërisë civile, e cila jo vetëm VKB-në, por edhe VKM-në e kishte çuar për një gjykim administrativ, në dy padi të ngjashme e të bëra njëkohësisht me dy shoqata të ndryshme. Imagjinoni sikur, nëse nuk do t’u ishim kundërvënë dhe ato të ishin rrëzuar qetësisht nga gjykata, sot kullat do të ishin në katin e dhjetë. (E njëjta histori ka ndodhur me protestën e Parkut të Liqenit).

Në këtë atmosferë të një lufte të paprecedent, na shfaqet edhe zoti Soreca, ambasador i BE, i cili sikundër dihet tashmë, shkoi në Gjykatën Kushtetuese pikërisht në datën 16 qershor, në orën 9.00, në një kohë, kur seanca jonë fillonte në orën 10.00 dhe jo vetëm nuk e bën publik këtë takim, sikundër i ka bërë gjithë të tjerët, por del edhe fshehurazi nga dera e pasme! Hajde besoje, që nuk ka folur për çështjen që gjykohej atë ditë, thua se ditët kishin shterur dhe ishte e vetmja mundësi takimi.

Ai thotë, se ka folur për reformën në drejtësi dhe aspak për Teatrin. Ne nuk thamë, fjala vjen, se ai i ka bërë komplimente kryetares së gjykatës, që ishte veshur shumë bukur për rastin e Teatrit. Ne pyesim: Ku është protokolli i bisedës? Ai na përgjigjet, se ne shpifim dhe do të na hedhë në gjyq. Ne nuk jemi kundër absolutisht. Për këtë ne bëmë kallëzimin në SPAK. Jo për të arrestuar zotin Soreca, por për të hetuar.

Unë si qytetar europian kam plotësisht të drejtë të kërkoj hetim. Nëse ti dyshon, se dikush kryen një veprim të paligjshëm, a nuk është e drejta jote si qytetar i përgjegjshëm të njoftosh organet kompetente? Nuk është e thënë, që unë si qytetar të kem fakte për të bërë një kallëzim. Faktet i gjen prokuroria duke hetuar. Kjo është detyra e saj dhe jo e qytetarit. Është njësoj, sikur të shohësh dikë, që nuk punon, por ka një pasuri marramendëse dhe vret e pret majtas e djathtas. Dikush të njoftojë organet kompetente për të hetuar dhe ata t’i thonë: “Shko ti si qytetar, gjej faktet, sa para ka, ku i ka etj, etj...”

Edhe në rastin e zotit Soreca, ne zbuluam këtë fakt, që u mbajt i fshehtë dhe bëmë kallëzimin. Hetoni! Mund të jetë fantazi e jona, por mund të jetë edhe e vërtetë, që ai ka shkuar pikërisht për Teatrin dhe këtë mund t’ia ketë kërkuar Kryetari i Bashkisë, i cili e konsideron mik të afërt. Në këtë rast shkelen konkretisht disa ligje, por mbi të gjitha ka ndërhyrje, ndikim në sistemin gjyqësor të një vendi të pavarur. Organet kompetente, nëse e gjejnë të arsyeshëm kallëzimin, e regjistrojnë dhe fillojnë hetimin, në të kundërtën e hedhin poshtë. Ka shkallë dhe gjykata të tjera kombëtare e ndërkombëtare, që mund ta ndjekin. Ku qëndron problemi këtu?

Zoti Soreca, si një nga mbështetësit e flaktë të reformës në drejtësi, duhej të ishte i lumtur, që ekziston një grupim qytetarësh, që nuk janë as shoqatë, as parti apo institucion, që nuk kanë as interesa financiare, por kanë guximin të kallëzojnë një ambasador. Në një vend si ky yni, ku frika nga të pushtetshmit i bën qytetarët të mefshtë dhe të heshtur, ai duhej të jepte shembullin personal e t’u thoshte qytetarëve: Guxoni, mos kini frikë, denonconi!

Zoti Soreca, si qytetar europian dhe i pakorruptueshëm, duhej të thoshte vetë: “Hetomëni edhe mua!”, për të krijuar besimin, se reforma në drejtësi nuk është e dështuar dhe askush nuk është i pandëshkueshëm para ligjit. Ai do të dilte faqebardhë e ballëlartë nga ky hetim. Duke e ditur veten të pastër, nuk ka pse të kesh frikë nga një hetim. (Falcone-s e Borselino-s u janë bërë akuza e shpifje pa fund, por asnjëherë nuk dolën të thoshin: “Po shpifni.” Kanë pritur me qetësi hetimet dhe kanë dalë të nderuar.)

Po ashtu, duke qenë një njohës i mirë i rregullave e ligjeve, zoti ambasador duhej t’i kishte këshilluar edhe publikisht miqtë e tij, Kryeministrin dhe Kryetarin e Bashkisë dhe të mos i linte të gabonin duke prishur Teatrin. Duhej t’u thoshte të mos vepronin pa u shprehur Gjykata Kushtetuese, sikundër bëri KLSH. Ky do të ishte një shembull perfekt i ambasadorit, jo të heshtte dhe të krijonte përshtypjen, se ishte palë me ta.

Po ashtu, kur Europa Nostra e shpalli Teatrin një nga shtatë vendndodhjet më të rrezikuara në Europë, edhe kur komisionerja Gabriel u shpreh për dialog, zoti Soreca heshti, nuk bëri asnjë prononcim publik. Nuk shkeli qoftë edhe një herë në atë territor, ku jo vetëm të shihte një copë të trashëgimisë së vendit të tij, Italisë, por edhe të komunikonte me një grupim qytetarësh, që mbronin tashmë trashëgiminë europiane. Për të treguar që është në krahun e qytetarëve dhe jo vetëm të pushtetarëve, me të cilët nuk lë rast pa hedhur valle.

Radha e atyre, që na u kundërvunë për këtë “lajthitje të paparë”, filloi me Kryetarin e Bashkisë, që më i nxirosur se kurrë në fytyrë, na quajti hajvanë, histerikë, kllounë dhe vazhdoi me shpurën puthadorase të pushtetit. Ȅshtë për të qeshur e për të qarë njëkohësisht, kur dëgjon arsyetime të tilla, se ky kallëzim është bërë për të shpëtuar Berishën e Metën!?

Dikush thotë jemi të shtyrë nga opozita dhe opozita, për të treguar që s’na ka nxitur, boton në gazetën e saj një artikull kundër nesh. Ca të tjerë thonë, se jemi vënë nga qarqe të caktuara, që janë kundër BE. Soreca thotë, se jemi të dëshpëruar e nga dëshpërimi shpifim për të. Ndoca të tjerë, që kemi shkatërruar diplomacinë e vendosur këto vite me ambasadorët dhe do të ishte më mirë një notë proteste (mbase si ato mijëra nota proteste, që Republika Popullore e Kinës u bënte SHBA).

Kjo diplomaci, me gjithë takimet me ambasadorët, përfshirë Soreca-n, ku na çoi? Në shembjen e Teatrit. Patë ndonjë ambasador në sheshin e Teatrit, u shpreh ndonjëri prej tyre publikisht për shembjen? Për të mos thënë pastaj, që ka prej tyre, që i kanë dhënë mbështetje qeverisë për ta shembur. Faleminderit, por këtë diplomaci nuk e dua!

Dikush distancohet prej nesh. Kush u ka kërkuar të jenë me ne? Distancohen nga çfarë? Ne nuk jemi as OJF, as organizatë e regjistruar në Gjykatë, sikundër na rekomandoi së fundmi të bënim kryetari i Beledijes (Bashkisë). Na pëlqen të vazhdojmë të jemi Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, sepse e gjejmë veten këtu. Të tjerë nuk e gjejnë dhe kanë Aleancën e tyre. Ku qëndron problemi?

Kallëzimi, që i kemi bërë zotit Soreca, është me natyrë individuale. Gjithkush nga individët kallëzues ka firmosur me bindje të plotë dhe është i gatshëm të mbajë edhe përgjegjësitë. Askënd “të mos e presë barku”, të mos na qajë hallin, se po bëjmë harakiri me veprimin tonë “të papjekur”. Jemi një grup qytetarësh, që besojmë tek e drejta jonë kushtetuese. Që nuk jemi vasalë të asnjë partie apo pushteti. Që nuk kemi interesa t’u servilosemi të huajve deri në pështirosje, me qëllim marrjen e fondeve dhe financimeve për të mbajtur portalet, apo për të bërë projekte. Nuk marrim asnjë qindarkë nga askush dhe kemi bindjen, që në këtë vend gjërat mund të ndryshojnë, kur beson në një ide të frymëzuar nga virtyti dhe e çon deri në fund atë. Duhen veprime konkrete, jo vetëm fjalë.

Sa për fjalë, u fol për dy vjet e ca në sheshin e Teatrit. Deri te procesi i llafollogjisë, i marrjes së mikrofonit e i daljes nëpër ekrane një pjesë ishin shumë aktivë, por kur erdhi momenti i gjërave konkrete, i rreziqeve, i marrjes së përgjegjësisë, shumë u tërhoqën. Bënin kujdes të mos prishnin ekuilibrat, të mos humbisnin projektet, financimet. U bë edhe ndonjë kallëzim, që nuk u ndoq nga askush. Këto nuk e penguan qeverinë ta shembte. Ajo u ndal, vetëm kur ne bëmë kallëzimet, vumë fytyrat, emrat tanë dhe i ndoqëm ato deri në fund.

Edhe për to na anatemuan, se po shkatërronim protestën, se kallëzimet ishin si telenovela e nuk vlenin, por ato tashmë janë objekt hetimi. Na thanë hajvanë, të lajthitur, imbecilë edhe kur vumë gërmat; kur ndaluam të zbrazej Teatri nga kostumet, garderoba etj.; kur u përleshëm për ta çliruar; kur i pastruam një nga një të gjitha ulëset e sallës; kur e dezinfektuam; kur e ruanim natë e ditë dhe organizuam festivalin; kur shpërndanim ndihma nga tërmeti, ndërsa na akuzonin për abuzime, por edhe sot familjet e dëmtuara jetojnë në kontenierët, që u çuam ne; kur u shkruanim bankave të huaja të mos financonin projektin korruptiv të teatrit të ri; kur bënim kallëzimet në SPAK; kur kërkuam të ishim palë e tretë në Gjykatën Kushtetuese.

Jemi po ata të lajthitur, hajvanë e imbecilë, që fituan në Gjykatën Kushtetuese, që kanë kallëzuar edhe zotin Soreca dhe që këtë çështje janë të vendosur ta çojnë deri në fund. Të gjitha sharjet, fyerjet, kërcënimet për ne janë kolloqithka me rigon.

©Edmond Budina