Në Shtator do kemi arrestime - Nga Ylli Dylgjeri
Kështu lajmerojnë zogjtë. Kështu njoftojnë idiotët. Kështu njoftojnë avokatët, gazetarët, militantët e partive. Kështu diktojnë Shefat.
E çuditshme! Vendoset muaji si datë sulmi mbi njeriun!?
Çfare hyn Shtatori këtu? Në Shtator edhe në kohën e Enverit e kurdoherë, brezat e kanë filluar arsimimin, dijen, kulturën, kanë pjekur rakinë, kanë përgatitur fëmijet për kopësht e shkollë, por jo burgun.
E shikoni se burgjet sërish kanë përmbajte të thellë politike? Në Shtator, në kohën e Ramës, thuhet se do fillojnë burgjet!? Apo, në shtator do startojnë afganët, në Shtator do gjallojnë azganët? A thua se burgu është simestral apo kalendarik e po përgatiten katedrat?
Si të mos mjaftojnë dizinformacionet e të shiturve, nuk po kuptohet as "Drejtësia e re" e pavarur. As monitoruesit e drejtuesit e tyre euroatlantikë. Qëndrojnë të heshtur, që nga Ministria e Drejtësisë e deri te SPAK para këtyre deklarimeve fashistoide. Heshtin. Asnjë përgënjeshtrim. Asnjë interpretim. Tani kanë dhe zëdhënëse të re, por sërish heshtin. Asnjë përgënjeshtrim. Situate ambige. Dhe trumpetojnë “Ballkan të Hapur”!?
Pse duhet mbajtur publiku n panik? Pse duhet trembur? Kujt i shërben kjo klimë? Vetëm në shtete diktature, junte, mbahet në ankth populli. Mbahet nën thashethem. Them populli, se vetëm publik nuk mund të quhet ky yni nga forma e trajtimit me lajme prangash e qelie.
Këto lajme sot quhen krim për të keqen që shkaktojnë te qytetaret. Krim se po dëmtojne brezin e ri, rininë, dhe po i mbajnë mbare qytetarët me stres dhe panik për t’u larguar sa më parë nga ky vend.
Ketu nuk qeveriset. Këtu është prishur marrëdhenia publike. Këtu është prishur njeriu.
©Ylli Dylgjeri



















