Rrëfim për staturën vetjake dhe për partitë, organizatat, shoqatat, unionet, e të tjera kësi - Nga Vangjush Saro
Ato janë (duhej të ishin) institucione që i ndihin shoqërisë dhe individit. Por nuk e di pse prodhojnë kaq shumë alergji. Po ta kem gabim, më thoni, se e rishoh… titullin. Në “ato kohë”, u bë modë pranimi në PPSH. Mbaj mend, në Kinostudio, dy kolegë, njëri regjisor e tjetri skenarist, u bënë komunistë ndërkohë që ai (komunizmi) po vdiste. E çuditshme! Megjithatë, mbase nuk ishte ndonjë hata. Shumëkush bëhej komunist për të qenë disi më “i koracuar”, por prapë ndiqte punët dhe ëndrrat e tij. Një nga dajat e mi, komunist, më thoshte: pse nuk na lënë të mbajmë makina private? Një nga shkrimtarët tanë më të njohur ka shpjeguar se hyri në parti vetëm e vetëm për të mos i lejuar të tjerët të flisnin prapa krahëve; (domethënë në “mbledhjet e Organizatës-bazë”, ku nuk merrnin pjesë të gjithë).
Dhe prapë unë them që, përgjithësisht, kishte shumë hipokrizi; sidomos nga lukunitë që ndërruan fletë sapo ra Partia… (Po ta kem gabim, më thoni, se e rishoh çdo paragraf.) Sigurisht, alergjitë nga organizatat gjithfarë, janë vetjake; ashtu siç është vetjake edhe krijimtaria, e cila nuk merr asnjëlloj impulsi nga termat në fjalë. Ku e lashë? Hë, “gara” ndryshoi në vitin ‘90. Se këta*, o burra, nga PPSH, në PD! Hynë në lojë me ngut apo u katapultuan disa që, si ta them: Saliu, komunist 25 vjeçar; G. Pashko, familje prokurorësh e zyrtarësh të lartë; B. Mustafaj nga Instituti i Studimeve M-L i Nexhmijes; P. Zogaj, që e vlerësoja si poet, por me të cilin kisha një peng vetjak. (Kur u shfaq kinokomedia ime “Shkëlqim i përkohshëm” (kinoregjisor Albert Xholi) disa shkrues, përfshi zotërinë e përmendur më lart, e shinjestruan keq në gazetat “Drita” e “Zëri i Popullit”. “Autorët e filmit, shkruante ai plot pathos, nuk e kanë pasur parasysh fjalën e shokut Ramiz Alia me të rinjtë e Kolonjës…” Filmi ynë rrëfente aventurat e një djali fshati, që i kishte ardhur në majë të hundës atje dhe donte të gjente qytetin, me çdo kusht dhe me çdo çmim. Kështu që kur kolegu im M. Topallaj - me të cilin po bashkëpunoja për një kinokomedi tjetër, që nuk u realizua se ai pati probleme familjare - kur ai, pra, më ftoi në parti, unë ndjeva alergji…)
Po ta kem gabim, më thoni, se e rishoh çdo fjalë. Por “këta” ishin dhe janë për të qeshur. Erdhi Bejkeri (Xhejms) në Tiranë, bënë një manifestim të madh e dikur, disa nga organizatorët bërtitën me të madhe: “Në gjunjë të gjithë!” (Domethënë të binim në gjunjë për të nderuar Amerikën. Dhe turma, në masë, ra vërtet në gjunjë.) Ika të pija një kafe me shokun tim Koço Broka, që gjithashtu s’e pëlqeu këtë punën e gjunjëzimit. Mirëpo “këta” janë komikë. Nuk kaloi shumë kohë dhe “e bënë dalje” edhe Amerikën dhe… sherri sherr, me të dhe me gjithë Ambasadorët e saj, nga M. Lino te kjo e sotmja, përfshi edhe tre-katër burra të tjerë përmidis, i fundit z. Lu. Unë nuk them që Amerika është e rënë nga qielli. Por gjithsesi, këto gjeste dhe ekstremitete janë vërtet të çuditshme. Kjo lebeti, ç’po them, histeri kundër saj - ndërkohë që ne e kishim thirrur atë për dekada të tëra - se si më duket…
Po ta kem gabim, më thoni, se e rishoh çdo fjali. Punova për një kohë në gazetën “Alternativa SD” të PSD-së. Ai shoku im i ngushtë, Koço Broka, socialist, erdhi një ditë në një seminar që zhvillohej në PSD. (Në atë kohë, “këta” ishin në Koalicion me PD-në dhe PR-në.) Qaset Sekretari i Përgjithshëm dhe më thotë: “Me ty është ky zotëria?” “Po, me mua është, ç’të keqe ka?” “Po ja, ai është me ata, është ashtu, është i afishuar…” Bëmë ca debat; iku, erdhi prapë e, që të mos e zgjat, e dëboi. E dëboi nga seminari. Sepse ishte socialist; ishte “armik”. Pastaj, dikur, ky Sekretari Përgjithshëm humbi si sëpata pa bisht. Kurse Koço Broka, përveçse një nga shokët e rrallë të jetës sime, përveçse njeri me kulturë të gjerë dhe sjellje qytetare, ishte dhe mbetet një ekspert ekonomie i respektuar dhe një nga njerëzit më të ndershëm që ka ai vend. Po “këta” më qortonin mua pse rrija me Gëllçin (Thoma) që atëhere drejtonte gazetën “Zëri i Popullit” dhe e thërrisnin çdo ditë në Prokurori. Dhe unë iu thosha: “E kam njohur që para pluralizmit…” Po si e mendonin dhe e mendojnë “këta” botën: sot dua këtë, nesër atë, pasnesër atë tjetrin…
Po ta kem gabim, më thoni, se e rishoh gjithë tekstin. Statura vetjake ngrihet mbi “këta” morracakë dhe mbi çdo organizëm. Statura vetjake tregon kush je, çfarë ke dhënë në shoqëri, çfarë të dallon në atë që ti ofron. Është një shoqatë e shkrimtarëve të kontinentit ku jetoj aktualisht; nuk e di çfarë bën ajo, si zgjidhen e vetëzgjidhen drejtuesit, që pastaj u bëjnë thirrje të tjerëve… të anëtarësohen. Po ashtu, nuk di të kenë botuar ndonjë antologji serioze apo të kenë krijuar ndonjë hapësirë në veprimtaritë, nderimet dhe botimet e shtetit amë; ku (siç e kam shkruar këto ditë) vlon hileja. Është gjithaq ndonjë organizatë e ashtuquajtur “atdhetare”, por që manipulohet dhe ndërsehet vend e pa vend kundër aksh partie apo qeverie të radhës. Kështu edhe me shoqatat dhe unionet e gazetarëve, në diasporë apo në Shqipëri. Njëra nga këto, ende ka në krye Y. Rakipin (!) Me sa mbaj mend, tash tri dekada, ai ka qenë kryetar, s’e lëshon vulën. Merre me mend tani se çfarë jete (demokratike, ups) bëjnë këto shoqata, çfarë lirish e të drejtash mbrojnë ato, ndërsa u kërkojnë llogari politikanëve… pse nuk japin dorëheqjen në aksh rast, pse nuk mbledhin forumet, etj.
Është e vështirë të rrish larg organizmave në fjalë; të mos u falesh atyre, politikanëve të njohur apo autoriteteve që japin tituj dhe prona, të tjerëve që bëjnë e zhvillojnë konkurse e programe, të jetosh pa lëmoshat dhe shpërblimet e institucioneve, t’i besosh vetëm ose kryesisht talentit tënd. Është e vështirë, por është kaq bukur. Është liria e vërtetë.
Më falni se u zgjata pak. Por…e përsëris, po ta kem gabim, më thoni… Apo s’e vlen…
Fjalor:
*Këta - fanatikët e partive dhe organizatave.
©Vangjush Saro


















