Blog

PD reale është në Foltoren e Sali Berishës - Ilir Levonja

Ilir Levonja - Florida, SHBA

Shumë njerëz pyesin pse prapë me Sali Berishën do merremi, prapë Sali Berisha do na qeverisi ne? Bëhet me këtë plakun etj.? Dhe përgjigja është fare e thjeshtë..., jo po rrini me këtë Nusretin e studiove, i cili i di të gjitha, madje është kthyer një kopje perfekte e sentencës me dashuri dhe qetësi të Ilir Metës. Arsyeja është e thjeshtë demokratët po gërrvërren, po, shoqërinë civile ne e kemi gjithnjë në minorancë etj. Ky i di të gjitha, deri metrat për kub të ujit në liqenin e Fierzës.

Si nuk doli kurrë në një studio një ekip ekspertësh të flasë për parametrat ekonomikë, çfarë prodhon, çfarë blen a shet Shqipëria? I di Nusreti të gjitha. Deri çmimin e hashashit në tregun e zi. Ka një kokë magjike që sheshon gjithçka, pavarësisht se pjesa dërrmuese e shqiptarëve ankohen nga mëngjesi e deri në darkë. Ai vulos, ai vendos.

Sa për Foltoren e Berishës duhet të kuptojmë një gjë. Nuk dihet se me cilin në krye na pret e nesërmja. Eshtë një lëvizje ku në fund do flasë vota kolegjiale e demokratëve. Por ajo çfarë ka rëndësi, është lëvizja. Një frymë civile që po debaton, që ka të drejtën e fjalës, karshi ca paneleve me deklarata pa asnjë lidhje nervi me problemet tuaja nga dera e SHQUP-it të Lulzim Bashës. Një zyrtar anemik që do mbahet mend për 5 humbje radhazi dhe që kurrë nuk e njohu institucionin e dorëheqjes, duke shpikur alibinë me ngriva-shkriva.

Eshtë plak Sali Berisha? Edhe unë, edhe Amerika ime plak e kemi presidentin. Sali Berisha tha mbrëmë se duhej ta kishte filluar foltoren, menjëherë pas marrëveshjes mes Ramës dhe Bashës në muajin Maj të vitit 2017. Midis të tjerave shpjegoi punën e liderit të thyer, zhbërjen e forumeve dhe votës kolegjiale etj. Rishtas pranoi si gabimin e tij heshtjen kur shihte se si përjashtoheshin kundërshtarët e kryetarit etj. Ashtu sikur edhe pranoi se koha është gjëja më me vlerë që demokratët duhet ta çmojnë shumë.

Do Zoti dhe e ka sinqerisht, por kjo nuk do të thotë se nuk kemi të drejtën tonë për t'i treguar dallimin midis përgjegjësive personale dhe historisë së një force politike. Këto janë disa të vërteta që të bien kokës dhe kur ne i thoshim Berisha heshtte. Megjithatë nga kjo lëvizje vihet re qartazi se sa e madhe është diferenca midis një lideri opozitar dhe një zyrtari partie. Sot demokratët a gjoja partia e tyre, nuk kanë në krye një lider, por një zyrtar. Një kolegjium zyrtarësh dhe për më tepër humbsa.

Eshtë e thjeshtë, kush humb, hap krahun. Kjo mendësi e thjeshtë është sekreti i artë, ekzistenca e florinjtë. Them gjoja, se në fakt partia reale e demokratëve, përfshi edhe ata pa teserë është në Foltoren e Sali Berishës. Na pëlqen apo nuk na pëlqen neve, duam apo nuk duam. Kur dialogon dhe vepron me votë kolegjiale edhe produktet vijnë të arrira. Aty janë argumentat, pasi janë edhe faktet. Që do të thotë, një ide mund të ofrohet edhe nga zgjedhjet e fundit, kandidaturat të jenë ata që mundën herësin, këtë nyjë magjike të marrëveshjes Basha-Rama. Në fund të fundit janë më të votuarit.

©Ilir Levonja