Halloween dhe shqiptarët - Nga Çapajev Gjokutaj

Çapajev Gjokutaj
Halloween është festë e re për ne shqiptarët, thënë ndryshe festë e marrë hua.
Këtu s’ka asgjë të jashtëzakonshme. Në rrjedhën e shekujve huazimi i një feste ka qenë gjë krejt e zakonshme, pothuajse po aq e zakonshme sa të shkoje te komshiu e të kërkoje një sahan miell a një filxhan kripë.
Një pjesë e mirë e festave fetare janë strukturuar mbi skelete të mbetura nga festa të tjera, më të vjetra.
Krishtlindjet p.sh. përkojnë jo rastësisht me solsticin dimëror apo fillimin e zgjatjes së ditës, si dhe me një festival të famshëm romak që celebrohej në ditët rreth 25 Dhjetorit. Në palcën e dimrit njerëzit kanë patur nevojë për pak optimizëm e shpresë që lidheshin me imazhin e dritës dhe ngrohtësisë.
Arsyet pse Halloween-i u përfshi kaq shpejt mes festave lokale shqiptare ngjan të jenë të shumta, por kryesorja mund të gjendet tek elementi i frikshëm: është festë e mbushur me fantazma, skelete, shtriga, rrjeta merimangash dhe atmosferë rrënqethëse.
Arratisja nga viset e arsyes te viset e emocionit, nga realja tek fantastikja, nga rutina e përditshmërisë tek drithërimat e frikës ka qenë dhe mbetet tunduese për qeniet humane.
Ky është dhe njëri nga funksionet e Halloween-it: adoleshentët dhe të rinjtë arratisen nga pushteti i arsyes, nga trysnia e racionales, nga robëria e rregullit dhe enden virtualisht në mbretërinë e frikës irracionale.
Halloween-i bën të mundur që impulse të tilla zanafillore të kënaqen duke harxhuar vetëm një natë, madje duke qenë krejt të sigurt, pa rrezikuar kurrsesi veten. Sigurimi i një shërbimi kaq ngashënjyes, me një kosto tejet të ulët, është mbase faktori themelor që ka lehtësuar huazimin e kësaj feste edhe nga shqiptarët.
2.
Por duket se ka ndikuar edhe, thjesht lokal. Ndër festat laike që shqiptarët kanë synuar të huazojnë dekadat e fundit vetëm dy kanë zënë rrënjë e hedhur shtat: Shën Valentini dhe Halloween-i. Që të dyja janë festa të brezit të ri, që të dyja janë festa që kremtohen në çift a në shoqëri.
Festat tradicionale shqiptare, fetare a laike qofshin, kremtohen përgjithësisht në familje. Kjo ishte më se e natyrshme për një shoqëri që ka pasur dhe ende ka tipare të theksuara patriarkale. Ngashënjimi i brezit të ri drejt festash të reja, që u shpëtojnë verigave të familjes dhe synojnë lirinë e personit, të çiftit a të grupit të strukturuar në bazë moshe, është një prirje konstante.
Përpara se kjo prirje të materializohej në huazim festash të reja, kishte nisur të sendërtohej si një zgjidhje kompromisi në kremtimin laradash të natës së Vitit të Ri: gjysmën e parë në familje me prindërit dhe gjysmën e dytë në lokale me shoqërinë.
3.
Gjithsesi ndër faktorët më të fuqishëm për globalizimin e Halloween-it mbetet tregu. Bizneset, të ndërgjegjshëm se kjo festë tërheq në mënyrë thuajse fiziologjike masa pa fund fëmijësh dhe të rinjsh, ndihmojnë popullarizimin e saj duke u mbështetur në parimin oferta kultivon kërkesën.
Kështu duket se ka ndodhur edhe në Shqipëri. Janë bizneset, kryesisht bare e disko ato që me oferta të thjeshta kanë nxitur kremtimin e Halloween-it. E menaxhuar kryesisht nga tregu, festa ka prirjen të mbitheksojë elementin konsumist dhe të denatyrohet në disa elementë të rrafshit social.
Në SHBA dhe në Evropën Perëndimore, Halloween-i priret të jetë mbarëshoqëror, përfshin prindërit që përgatisin dekore për shtëpitë dhe oborret, fëmijët që me vizita të llojit “qerasje ose rreng” grishin në kremtim thuajse gjithë familjen dhe fqinjët, të rinjtë që festojnë nëpër mbrëmje me elementë horrori etj. UNICEF-i njofton se e ka përdorur Halloween-in, veçanërisht pjesën “qerasje apo rreng”, si instrument për të mbledhur fonde për fëmijët në nevojë.
Në Shqipëri, meqë Halloween-i po strukturohet kryesisht mbi oferta biznesesh, ka prirjen të mos jetë mbarëshoqërore, por vetëm e një grupi të rinjsh, që shpesh janë edhe bjerrakohës të përhershëm kafenesh.
Kërkesa për të pasur harmoni më të madhe mes elementit konsumist dhe atij social nuk qëndron vetëm për Halloween-in. Shumica e festave tona tradicionale, si festa të një popullsie të varfër dhe me prirje të forta pagane, janë të strukturuara mbi paradigmën mish-raki. Thënë ndryshe kanë prirje prej vetiu të mbitheksojnë rrafshin hedonist e konsumist dhe zbehin rrafshin shpirtëror.
Lënia e gjërave herë në mëshirën e tregut dhe herë në prirjet hedoniste të njerëzve mund të shpjerë në denatyrim ekstrem. Rast emblematik për këtë paraqet Dita e Verës, që kremtohet masivisht në Elbasan, Tiranë e qytete të tjera. Gjithkush e di se në origjinë të kësaj feste qëndron një rit adhurimi për natyrën, për përtëritjen e saj.
Por të nesërmen e Ditës së Verës, kur sheh Kodrat e Liqenit në një Vaterlo shishesh e gotash plastike, qesesh e mbeturinash ushqimore, kupton se nga festë adhurimi të natyrës e kemi shndërruar në akt përdhunimi të saj.
©Çapajev Gjokutaj




















