Blog

Me sytë nga gjinkallat dhe me këmbë mbi milingonat - Nga Nador Bakalli

Vegim veror…

Shpesh herë, në folklorin e historive fëmijnore, na është thënë se gjinkallat janë insekte që personifikojnë dembelizmin. Thjeshtë ia marrin këngës në periudhën e vapës dhe, në dukje, nuk bëjnë gjë tjetër. Për të na ilustruar modelin e kundërt, atë të virtyteve të larta të punës, na ofrohen milingonat punëtore. Me pak fjalë, njëra fërshëllen tërë ditën pa bereqet, tjetra rropatet në punë.

E kam menduar gjatë këtë argument dhe nuk bie dakord.

Gjinkalla e siguron kollaj ushqimin dhe kohën e mbetur e shpenzon duke kënduar si pjesë e procesit të çiftëzimit. Milingona (me sa duket) e ka kollaj çiftëzimin dhe kohën e mbetur e shpenzon duke kërkuar ushqim.

Të dy insektet veprojnë krejtësisht brenda natyrës së tyre.

Tani, nën hijen e pemës ku këndonin gjinkallat numërova rreth 100 e kusur njerëz që qëndronin të ulur me orë të tëra nëpër tavolina, në pisk të vapës, pa ndonjë qëllim produktiv të dukshëm, me sytë përpjetë nga gjinkallat dhe me këmbët që shkelin milingonat.

Për mendimin tim, këta janë të vetmet qenie të Zotit brenda këtij habitati që veprojnë krejtësisht jashtë natyrës së tyre!

Nuk mendoj se është në natyrën njerëzore që një shoqëri e tërë arrin të humbëtojë vetveten në kotësi të tejzgjatur dhe kohë-humbje pa fre, ndërkohë që 1001 problemet që e rrethojnë duhet ta nxisnin natyrshëm të shkrythej dhe të shkundej! Nuk ndodh! Duket sikur vendi i ka hyrë rrugës së vet-kënaqjes me thërrimet që i kanë mbetur nga konsumi i glutonisë politike. Normalizimi i pushtetit abuziv dhe mungesa e besimit janë rrënjosur frikshëm.

Gjinkallat janë në rregull. Milingonat po e po.

Ne nuk jemi!

©Nador Bakalli