Blog

Për nga shkon Partia Demokratike - Nga Faruk Myrtaj

"...nacionalistët shqiptarë, të shumtën e kohës kanë dalë të “humbur”, madje edhe pa atdhe kanë mbetur, për të mbetur nacionalistë.”

Foltoret përcillen on line por tjetërkund, besoj, është shenja që duhet ndjerë…

Shqipëria, kjo që është, është bërë nga karakteret. Siç kanë qenë. Karakteret kanë bërë fatin e saj.

“Unë besoj te HISTORIA”, shprehet Tomorr Alizoti.

“Tre lëvizje ka pasur dhe ka në Shqipëri, Zogu, Enver Hoxha dhe Sali Berisha…”

Sepse, edhe pas rënies apo shuarjes së tyre ka pasur dhe ka zogistë, enveristë dhe… berishistë.

“Rama nuk ka rrymë, nuk ka mendim të tijin, nuk ka ndjekës, nuk ka dhe as do ketë Ramistë apo Ramizëm. Ka vetëm njerëz të interesuar prej pushtetit, që kanë fituar apo humbur nën pushtetin e Ramës, por s’ka frymë të tij. As Basha…, e ka të vështirë, dhe askush tjetër…”

Bëra ta perifrazoj Tomorr Alizotin, në dëshirë të mos dal përtej thelbit të tij, në proces hapje.

I kthjellët dhe i admirueshëm, në raportet e materiales përballë ideales (kjo e fundit tmerrisht munguese në predikimin verbal të Tiranës. Më shumë akoma në veprimin e shtresës politike shqiptare të tranzicionit. Idealizmi mungues, gjithashtu, edhe në hullinë që druhet se po rrënon dukjen e Partisë Demokratike sot.

Them “dukjen” se “brenda saj” mungesa e idealizmës ka qenë gjithnjë e nevojshme, hera-herës ulëritëse. (Bie fjala, “Me ne, fitojnë të gjithë” është thuajse “Me ne, të gjithë humbasin”).

Përballë këmbënguljes së mirëkuptuar të gazetarëve dhe opinionistëve ditorë, që këmbëngulin të pyesin “Për cilin nga të Dy do të votonit sot”, Tomorr Alizoti, duke mos votuar për asnjërin prej Të Dyve, voton hapur, më hapur se tërë të tjerët të vendosur në llogoret përballë.

Nuk është abstenim, ky qëndrim. Besoj se është gjest për t’u admiruar, manifestuar në situatë që nuk çon askund. Është qartësi që duhet pranuar prej të pranishmëve në politikë, por edhe në ekranet opinion-ofruese. Është refuzim për ta shtyrë tranzicionin në pafund.

“Ambicia ime është të them fjalën time”, është ftesë për një të Djathtë që ka munguar, kujtesë për fisnikërim të skenës politike, prej kohësh të rënduar nga njerëz që duan kamjen e madhe thjesht duke votuar shefat. A nuk e kemi dëgjuar opinionin gri: të bëhet drejtësi për peshqit e mëdhenj?

“Njeriu është krijuar jashtë kohe, vjen në kohë dhe ikën nga koha”, shton Alizoti. KOHA, në kontekst, është shumëdimensionale, e shumëllojtë, brenda moralit dhe padyshim e doemos dinjitoze.

S’ka më bukur, më nderuar s’ka se si, nëse hyn në betejë jo doemos për të fituar. Edhe duke humbur, mund të çmohesh si fitues. Le t’i kthehemi vëmendshëm historisë: nacionalistët shqiptarë, të shumtën e kohës kanë dalë të “humbur”, madje edhe pa atdhe kanë mbetur, për të mbetur nacionalistë.

Shqipërisë i kanë munguar KARAKTERET, DINJITETET, jo ata që llogarisin raportet dhe në momentin e caktuar dinë të bashkohen me fituesin, për të ndarë pjesë pushteti material me të.

Ata që përballen me Bashën, ende-kryetar prej dilemave të tyre, duhet të kujtohen se kanë humbur me njeriun e Berishës.

Nëse Berisha nxiton të premtojë konservatorizmin, pluralizmin dhe sovranitetin e një partie të vetën do duhej të krijonte bindje se është gati të bëjë të kundërtën e asaj që ka bërë: respektimin e Individit. Konservatorët bëjnë atë që besojnë, jo atë që beson shumica, citojmë Alizotin. Dhe, nuk e godasin tjetrin, thjesht se ai gjendet në moment kritik.

Sërish: karakteret premtojnë gjatë. Ata ofrojnë institucione, parime, kritere, kod moral.

A mund të shpresohet nga ata që i atashohen Berishës thjesht për t’u bërë të ndihmueshëm si Basha dje?! Nën cilën platformë do konkurojnë ata përballë tij?

Prirem të besoj se Alizoti në fton të mendojmë arsyeshëm: “E kujt do jetë Partia Demokratike? Jo e cilit kryetar, por e cilës pjesë Shqiptare?”

©Faruk Myrtaj