Si komb dimë të nevrikosemi, por jo të revoltohemi - Nga Dashnor Kokonozi
Mattarella dhe "bafti" jonë
Zgjedhja e Mattarella-s në krye të vendit, thuajse me lutje, sakohë që ai kërkonte të tërhiqej në jetën private, më solli ndërmend raste të ngjashëm të Italisë, që në periudha të vështira arrin të gjejë vlera e pika orientuese në gjirin e saj.
Që jep shembuj se politikani mund të jetë edhe i moralshëm.
Për të mbetur në Itali, ka raste të tilla që nga Republika romake, kur konsuj e senatorë, që ishin tërhequr në fshatin e tyre të lëronin arën, iu përgjigjën thirrjeve të qytetarëve për t’u kthye në krye të Republikës. Në Francë emblematik është rasti i Charles de Gaulle, që pasi lau turpin e Francës dhe e futi në radhët e kombeve fituese, u tërhoq nga jeta politike dhe u ul të shkruante kujtimet e tij.
Erdhi kriza e vitit 1958 (e Algjerisë) dhe kur askush nuk dinte ç’të bënte, Franca ktheu sytë nga De Gaulle.
Nuk është e njëjta gjë të kesh një president që do ta shporrësh dhe një tjetër që i lutesh të rrijë aty ku është!
Nuk i rreshtova këto fjalë për t’ju ftuar të nxjerrim të gjithë një shami letre për të fshirë një lot në cep të syrit, duke u ankuar se ne nuk kemi vlera të tilla morale, e pika orientuese në kohë të vështira.
Aspak!
Kush e njeh Shqipërinë e thellë e di se vlera të tilla ka patur dhe ka.
Ai që nuk i lë të kenë dukshmëri në sytë e popullit është egoizmi i shefave të grupimeve politike. Dje dhe sot.
Janë ata që as barin nuk e lënë të rritet në afërsi të tyre.
Si komb dimë të nevrikosemi, por jo të revoltohemi. Rregullisht e marrim njërën për tjetrën.
Dhe habitemi kur shohim se sot ekuilibrin midis meshkujve alpha të tufave politike, duhet ta “ruajë” ndonjë kryetar bande, nga ata që dalin e grabisin në rrugë të madhe.
©Dashnor Kokonozi





















